Vetëvendosje, 17 nëntor 2008
Si të zvogëlohet fuqia e strukturave paralele të Serbisë në polici dhe siguri, gjykata, arsim dhe shëndetësi?
I. Marrja e sovranitetit Në gjithë këtë konfuzion ndërkombëtar rreth Kosovës dhe brenda saj, pikërisht tash është momenti që të merret sovraniteti në duar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
1. Kryetari i Kosovës duhet ta nisë procesin e shndërrimit të TMK-së në Ushtri të Kosovës e jo të shuhet ajo. Ai më pas do të jetë Komandant Suprem i kësaj Ushtrie. Është shumë e rrezikshme që të shuhet TMK-ja në dhjetor, kushedi se kur do të startojë FSK-ja (edhe ashtu aq e mangët si forcë), dhe të krijohet vakumi për decentralizimin e Kosovës. Për këtë shndërrim, Kryetari i Kosovës duhet të kërkojë marrëveshje të veçanta mbrojtëse me shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran (Shqipërinë, ShBA-të, Britaninë e Madhe, etj.) Ndërkohë që duhet ta kërkojë një Marrëveshje SOFA me Aleancën Veri Atlantike.
2. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet që menjëherë, përmes Ministrisë së Rendit, ta vendos Policinë e Kosovës nën komandë të veten. Këta policë duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për ushtrimin e ligjshmërisë së Kosovës në tërë territorin. Këto veprime duhet të bashkërendohen me Kryetarin e Kosovës, si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës. Mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës si dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin janë çështje të ngutshme dhe prioritare sot në Kosovë.
3. Bashkësia ndërkombëtare është e ndarë sa i përket pavarësisë së Kosovës. Është absurde që Kosova për pavarësinë e saj të mbështetet në tërë bashkësinë ndërkombëtare si të tillë. Organizmat ndërkombëtar veprojnë me konsensus që do të thotë se te ata Kosova duhet t'i pëlqejë edhe shtetit që më së paku e pëlqen Kosovën. Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me shtetet e veçanta që e kanë pranuar e posaçërisht me Shqipërinë.
II. Policia e Kosovës në veri
1. Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë e vendosur në një kazermë në veri të Kosovës.
2. Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje.
3. Në veri janë rreth 500 familje shqiptare. Duhen shikuar mundësitë që secilës familje t'iu punësohet nga një anëtar në ShPK dhe asisoj do t'i kishim afër 500 njerëz të armatosur në veri në gjendje për ta mbrojtur veten atje.
III. Rivendosja e kontrollit të pikave kufitare
1. Trupat e KFOR-it duhet të mbrojnëpikat kufitare të kontrolluara nga Policia Doganore e Kosovës në veri të Kosovës. Madje, ato mund të mbyllen për një periudhë prej 3 deri në 6 muaj derisa të merret situata nën kontroll. Veriu i Kosovës para se të jetë problem i kontrabandës (siç propanon RTK-ja) është problem i integritetit territorial dhe i sovranitetit.
IV. Prerja e lidhjeve politike ndërmjet Serbisë dhe strukturave paralele: Sfidimi i strukturave paralele
1. Duhet të bëhet e vështirë për Serbinë që politikisht ta mbrojë marrëdhënien e saj me strukturat paralele duke demonstruar që këto struktura paralele janë:
a) kriminale,
b) mbijetojnë përmes detyrimeve dhe
jo përkrahjes popullore,
c) e shkatërrojnë të ardhmen e serbëve lokal në Kosovë,
ç) e ndajnë dhe e përçajnë popullin e Kosovës.
2. Duhet të ndërpriten çfarëdo negociata me Serbinë përderisa ajo mbështet struktura paralele në Kosovë me qëllim të rrënimit të pavarësisë së Kosovës.
Faktorët ndërkombëtar duhet t'i ndërprejnë negociatat me Serbinë kurseinstitucionet e Kosovës të mos i rifillojnë ato. Negociatat vazhdimisht janë përdorur si kohë shtesë për ta rritur pavarësinë e serbëve prej Kosovës dhe për thellim të ndarjes së Kosovës.
3. Ndërprerja e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë duhet të jetë kusht për Serbinë për ta fituar statusin e vendit kandidat për BE.
Që të gjitha këto duhet që institucionet e Kosovës, e posaçërisht Qeveria e Kosovës, t'ua sqarojë faktorëve ndërkombëtar. Dhe t'i kushtëzojë ato. Nuk ka politikë pa kushtëzime!
V. Inicimi i veprimeve legale kundër strukturave paralele
1. Duhet bërë ngritja e akuzave dhe arrestimi për strukturat ilegale të sigurisë, për përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, për vozitësit që përdorin targa të Serbisë, për gjykatat paralele.
2. Duhet arrestuar ata që janë në krye të krimeve etnike në veri.
3. Të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave paralele.Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i strukturave paralele të Serbisë. Kjo po ashtu përputhet me pikën e mësipërme për vështirësimin e arsyetimit politik të Serbisë për të vazhduar me financimin e atyre strukturave.
4. Të ndërpriten pagat për policët që refuzojnë të punojë në Policinë e Kosovës.
VI. Mospranimi i komunës së veriut të Mitrovicës
1. Nuk duhet të legjitimohet komuna e veriut të Mitrovicës. Kësisoj, së paku nuk do t'i vështirësohej bashkimi i Mitrovicës gjeneratave të ardhshme të politikanëve. Nëse pranohet komuna e veriut të Mitrovicës, atëherë çfarëdo ndërmarrje integruese apo çlirimtare atje në të ardhmen do të konsiderohet agresion.
VII. Reciprociteti i të drejtave me Luginën e Preshevës
1. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Luginë të Preshevës. Asimetria e situatave na lë peng të konfliktit që nuk mbaron. Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të bëhen bashkë për flamurin kombëtar që nuk i lejojnë ta përdorin dhe për universitet në gjuhën shqipe. Për këto, ata duhen ndihmuar pa kursim nga Prishtina e Tirana.Prerja e varësisë së serbëve lokal nga Serbia dhe brishtësia e shqiptarëve: Garim me strukturat e Serbisë Serbët në veri janë të varur nga Serbia sepse i vetmi punësim atje është ai që e ofron Serbia në shërbimet publike prandaj duhet të stimulohen ekonomia private atje. Për dallim nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ne nuk mendojmë që serbëve duhet t'u jepen mijëra euro kesh, traktora apo paga (që madje iu ruhen) edhe kur punojnë për Serbinë. Përderisa veprojnë strukturat e Serbisë në Kosovë, çdo cent që Qeveria e Kosovës ua jep serbëve i shkon Serbisë.
Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit.
Jo negociata me e për strukturat e Serbisë, por integritet territorial e sovranitet.
1. Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Në fund të viteve të 70'ta por edhe përgjatë të '80-tave, arsimtarët e mjekët në Kosovë kishin paga që mund të krahasoheshin edhe me disa vende të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, kjo ishte e mundur pikërisht për shkak punonte Trepça.
2. Themelimi i një Universiteti të Evropës Juglindore (sikurse në Tetovë) me fondet e Bashkimit Evropian ashtu siç ka propozuar ESI. Kjo të bëhet qendër e arsimit të shkëlqyer për të gjithë rajonin e Mitrovicës dhe t'ia merr fuqinë Universitetit të veriut të Mitrovicës të kontrolluar nga Serbia.
3. Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.
4. Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.
5. Forcimi i fshatrave të shqiptarëve atje si pakicë e rrezikuar që janë duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe t'ua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje.
6. Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t'i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t'i shesin pronat e tyre.
Qeveria e Kosovës t'ua blejë ato.
Qeveria e Kosovës mandej t'i lëshojë me qira të ulët për ata që duan të banojnë atje. Kurse, politikanët e Kosovës, të cilët gojën e kanë plot premtime boshe për bashkimin e qytetit, t'ua lirojnë një pjesë të hapësirës së apartamenteve dhe shtëpive të tyre të gjera e luksoze banorëve të dëbuar prej veriut të Mitrovicës në mënyrë që ata të mos paguajnë më qira në jug të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë që jetojnë e banojnë tash.
7. Në aspektin e të drejtave serbëve të Kosovës duhet ofruar gjithë atë që e parashohin këto dokumente:
- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Politike dhe Civile
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore
- Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
- Konventa Evropiane për të Drejtat e Pakicave
Kësisoj, serbët do të mund të integroheshin në Kosovë: integrimi nuk është dëshirë por nevojë. Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat që serbëve t'ua bëjë të panevojshme integrimin në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Para çfarëdo joshje të serbëve të Kosovës duhet që paraprakisht të ndërpritet ndikimi i Serbisë.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.