e mërkurë, 24 gusht 2011

Fundi i botës bipolare dhe Europa Bashkuar


Dott. mag Alban Daci

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë mbaroi edhe bipolarismi thuajse 50 vjecare, i cili e kishte ndarë botën në dy blloqe të mëdha influence, Perëndimore të udhëhequr nga SHBA dhe Lindore të përfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik. Ngjarjet ndodhën aq shpejt, sa udhëheqësit e Europës Perëndimore u gjetën në befasi, por të vendosur për të vazhduar më vendosmëri ëndrrën europiane si një alternativë të tretë në rendin e ri pas bipolar.

Në Këshillin e Europës të mbledhur në Madrid (26-27 qershor 1989) Delors prezanton raportin mbi bashkimin ekonomik dhe monetar. Plani i Delors zhvillohet sipas tre fazave: koordinim i forcuar i politikave ekonomike e monetare dhe integrimi i tregjeve financiare; transaksionet drejt institucioneve të reja; vendosja e barazisë dhe transferimi i kompetencave të përbashkëta në institucionet komunitare. Në Madrid vendoset që faza e parë e bashkimit ekonomik të fillonte me datë 1 korrik 1990. Një Konferencë ndërqeveritare do të vendoste për etapat e mëvonshme. Plani i Delors do të ri dimensionohej në ambiciet e tij dhe do të shtyhej në kohë, siç kishte ndodhur me planin Werner. SMS-ja përfaqësonte për Gjermaninë një zgjidhje më komode të monedhës së përbashkët, sepse i lejonte të mbante autonominë e plotë të politikave monetare. Për vendet si Italia e Franca rregullat e SME-së nuk përjashtonin aftësinë, të cilën e kanë përdorur disa herë, atë të rregullimeve periodike të barazive. Ndërsa kundërshtimi anglez për monedhën e përbashkët ka ardhur nga fakti se nuk donin të hiqnin dorë nga sovraniteti i tyre. Nxitjet për të ndërmarrë hapa gjigant dhe të rëndësishëm për ecurinë e integrimit europian erdhën përsëri nga jashtë. Rënia e Murit të Berlinit në 1989, perëndimi i hegjemonisë së Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishin faktor të rëndësishëm që rritën besimin tek vendet europiane për të vazhduar rrugën e tyre të përbashkët drejt edhe një bashkimi monetar.
Presionet popullore, të cilat u bënë gjithnjë e më të pranishme dhe të fuqishme duke nisur nga ato polake dhe hungareze, provokuan rënien e regjimeve komuniste. Këto të fundit përfaqësonin një dobësi strukturore. Zhvillimi i madh e i fuqishëm i telekomunikacionit i bënë globale krizat dhe revoltat, nga Kina tek Europa Lindore. Revolucioni paqësor, në fund fitoi edhe për shkak të zemërgjerësisë të Gorbaçovit, i cili ishte i vendosur për të mos përdorur forcën për të zgjidhur krizën e thellë ekonomike dhe politike që po përjetonte vendi i tij. Gorbaçov u përpoq të shpëtojë të shpëtuarin, duke hequr dorë nga përdorimi i forcës ushtarake. Ai gjithashtu le të themi se hoqi dorë nga dëshira e një revolucioni komunist në nivel ndërkombëtar dhe mbështeti idenë e një bashkëpunimi bipolar pse jo dhe mundësinë e një aleance me Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me sfidat e reja që po përjetonte bota. Gorbaçov vazhdoi idenë e rikonstruktimit demokratik të komunizmit, i cili do të vazhdonte të drejtohej nga një parti e vetme, por me kushtin se kjo duhet të ishte koherente dhe ndriçuar. Ka një koincidencë mjaft të rëndësishme, sepse pothuajse në të njëjtën kohë, kur fillon Presidenca e Dolors në Komision, fillon edhe mandati i Gorbaçov si Sekretar i Përgjithshëm. Bashkimi Sovjetik u zhduk katër ditë para se të firmosej Traktati i Maastricht. Kjo lloj koincidence bën të reflektosh edhe mbi ecurinë e rëndësishme të procesit të integrimit europian të Europës Perëndimore si dhe të ngjalljes të shpresës se edhe Europa Lindore mund të bashkohej me atë perëndimore në një familje të përbashkët, por këtë here demokratike dhe jo të detyruar shtypëse e totalitare.
Edhe pse transformimet e para për aspirata demokratike siç thamë nisin në Poloni dhe Hungari, rënia e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989, bëri të mundur zhdukjen e kufijve të brendshëm të Gjermanisë, e cila tashmë jo vetëm u bashkua duke realizuar ëndrrën e një gjysmë shekulli, por do të bashkohej në një diçka më ta madhe se sa edhe vetë bashkimi i saj, në familjen e madhe europiane. Edhe pse viti 1989 nuk mund të krahasohet për nga rëndësia me atë 1945, ai përfaqëson një ëndërr të madhe dhe të hershme të kontinentit europian, atë të bashkimit, sepse konferenca e Jaltës fatkeqësisht e kishte ndarë si fizikisht, ekonomikisht ashtu edhe politikisht.
Bashkimi i Gjermanisë lindi kryesisht edhe nga kontributi mjaft i rëndësishëm që kishte dhënë Adenauer që 40 vjet më parë në zemrën e Europës Perëndimore duke hedhë bazat e bashkimit të kontinentit. Megjithatë, edhe pse në pamje të parë fuqitë e tjera europiane si Franca, Anglia dhe Italia ishin dakord për faktin se Bashkimi Sovjetik po binte dhe se Europa Lindore kishte mundësi të bëhej pjesë e asaj Perëndimore, ato nuk ishin shumë të qetë për faktin se shumë shpejt dhe në formë të pakontrolluar po ndryshonin ekuilibrat në Europë dhe Botë. Mbi të gjitha, si Anglia dhe Franca ishin të shqetësuar me faktin se Gjermani po bashkohej. Si për Anglinë ashtu edhe për Francën do të ndryshonin ekuilibrat e forcës në Europë. Në kontinent, Franca nuk do të vazhdonte të ishte më fuqia e parë, duke pasur parasysh edhe simbolin që kishte marr pas mbarimit të luftës. Gjithashtu, Anglia, kishte frikën e vjetër se nuk do të ishte më një fuqi e rëndësishme detare në ujërat përreth kontinentit. Në Itali, Andreoti ishte dyshues për tranzicionin që po përfshinte të gjithë ekuilibrat ekzistues, mbi të gjitha në ato zona që nuk ishin nën kontrollin e plotë të Paktit Atlantik dhe të Planit europian. Mes partnerëve europian, vetëm Kryeministri i Spanjës, Gonzalés, ishte dakord pas asnjë dyshimi për bashkimin e Gjermanisë.
Kancelari Kohl, edhe pse në arenën ndërkombëtar nuk ishte shumë i mirëpritur për të realizuar ëndrrën e bashkimit të Gjermanisë si edhe për faktin se edhe brenda vendit të tij kishte shumë skeptik për një hap të tillë historik, ai nuk u tremb, por vazhdoi i sigurt rrugën e tij drejt objektivit final. Në takimin e Krerëve të Komunitetit dhe të ministrave të jashtëm të realizuar më 18 nëntor në Paris, Thatcher i kujton Kancelarit gjerman se deklaratat e përsëritura të fuqive perëndimore në favor të bashkimit të Gjermanisë kishin ndodhur duke u nisur nga ideja se ai nuk do të ndodhte kurrë. Ky takim i Kohl me Thatcher e bind më fort se kurrë se bashkimi i Gjermanisë duhet të ndodh dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, para se të ndodhte ndonjë ndryshim i radhës në ekuilibrat e fuqisë në Europë. Ai takohet me Andreotin, të cilit më në fund arrin t’i shuaj dyshimet dhe ta bëj që të jetë në favor të bashkimit Gjermanisë. Andreoti sapo kthehet nga takimi i Parisit, në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave shpreh dëshirën e tij për të realizuar bashkimin e Gjermanisë, i cili duhet të ndodhte për faktin se Italia e Gjermania kishin pasur lidhje të hershme historike si dhe për faktin se të dyja vendet kishin të njëjtin qëllimin, forcimin e procesit të integrimit të Kontinentit.
Më 28 nëntor të 1989, tre javë pas rënies së Murit të Berlinit, Kancelari gjerman lançon një plan për një konfederatë mes dy Gjermanive, brenda një shtëpie të përbashkët europiane, e cila do të respektonte të drejtat e njeriut dhe do të bazohej mbi principin e vetëvendosjes. Shpejtësia me të cilën po rridhnin ngjarjet e gjetën Mitterrand të papërgatitur më shumë për lindjen e “Gjermanisë së madhe” se sa me faktin se Bashkimi Sovjetik po binte. Mitterrand ashtu si De Gaulle në vitin 1944, merr rrugët e Lindjes për të ndalur bashkimin e Gjermanisë. Ai në dhjetor takon në Kiev Gorbaçovin, dhe me datë 20 po të njëjtit muaj shkon për vizitë në Gjermaninë Lindore. Gjithashtu, vite më vonë do të deklaronte Thatcher se në atë periudhë kishte pasur tre takime sekrete me Presidentin francez, të cilat kishin pasur për qëllim të ndalonin aspiratat e Kohl për të bërë bashkimin e Gjermanisë. NATO mblidhet në Bruksel në dhjetor të 1989. Bushi në këtë takim flet për një atlantizëm të ri. Ndërsa Kohl refuzon të marr impenjime për njohjen e kufijve dhe të heq dorë nga arma atomike e Gjermanisë së bashkuar. Ai nuk flet për bashkimin e dy Gjermanive në nocionin e dy shteteve, por për bashkimin e një populli. Në këto momente Thatcher i ulërin Kohl-i në fytyrë duke i thënë: doni armën nukleare për të rimarr pozicionin dhe territoret e humbura!
Njeriu i momentit i Europës ashtu siç kishte qenë shumë vite më parë Monnet, ishte Delors, i cili kishte një mbështetje të rëndësishme të Italisë në lidhje me bashkimin e Gjermanisë brenda një Europe të bashkuar. Koincidenca e prezantimit të raportit të Delors me atë të rënies të Bashkimit Sovjetik është thjeshtë rastësore, por mundësia e një projektit të madh europian për të kaluar me sukses këtë fazë transitore ishte diçka më shumë e nevojshme se sa rastësore.
Kalimi nga bashkimi i Gjermanisë në atë europian do të ndodhte vetëm nëse do të realizohej një rikonstrukturim i ndërtimit komunitar, i cili nuk duhet të ishte vetëm ekonomik, por step by step edhe politik. Këto ishin ambiciet e Gjermanisë e Italisë, të cilat gjithmonë që nga lufta kishin shprehur si zgjidhje më të mirë për kontinentin, bashkimin e tij si ekonomik ashtu edhe politik.
Mitterrand si njeri me eksperience të fortë europiane e kupton shumë shpejt bashkimin e Gjermanisë si mundësi për të forcuar më tej mundësinë reale të bashkimit politik të kontinentit. Ndërsa e palëkundur kundrejt këtij fakti duket se qëndronte Thatcher, e cila kishte frikë se mos dështonte iniciativa gjermane. Mitterrand nënvizon: “De Gaulle kishte nevojë për Moskën për të shkuar në Uashington. Për mua rruga për Moskë kalon nga Uashingtoni dhe ajo për Bruksel kalon nga Boni”. Marrëveshja mes Mitterrand e Kohl lindi edhe për shkak të ngjashmërive personale: ishin të dy provincial dhe ndjeheshin krenar; ishin të dashuruar pas historisë; ishin më shumë europian se sa atlantik.
Në takimin e 12 krerëve në Strasburg më 8 dhjetor 1989, realizohet mirëkuptimi mes një Francë që nuk kundërshton më bashkimin e Gjermanisë dhe të një Gjermanie që mbështeste fort Francën në realizimin e një bashkimi monetar. Komunikata e Strasburgut, e cila bëhet e mundur edhe falë ndërmjetësimit të Andreotit dhe të ministrit të tij të jashtëm De Michelis, ndër të tjera nënvizon: Populli gjerman mund ta rigjejë bashkimin përmes vetëvendosjes në perspektivën e integrimit komunitar. Sinkronia është perfekte. Këshilli vendosi përsëri me votën e shumicës, thirrjen e një konference ndërqeveritare nën Presidencën italiane në mesin e 1990. Më 31 dhjetor Presidenti francez lançon idenë e një Konfederate Europiane. Në të njëjtën kohë edhe ministri De Michelis, propozon dhe realizon një shoqatë danubiane e ballkanike, sepse disa vende të asaj zone duhet të kalonin vite tranzicioni para se të pranoheshin në familjen e madhe europiane.
Në mars të 1990 organizohen zgjedhjet e para të lira në Gjermaninë Lindore. Demokristianët marrin shumicën relative. Qeveria e re më 18 maj firmosi Traktatin mes dy Gjermanive. Zgjedhjen pan-gjermane u përcaktuan më 2 dhjetor. Më 2 korrik u vendos shkëmbimi i barabartë i dy monedhave, i asaj perëndimore me atë lindore. Më 12 dhjetorin e ardhshëm në Moskë mes Kohl dhe Gorbaçov realizohet takimi dhe bëhet e ashtuquajtura marrëveshja e “dy plus katër”, sipas të cilës, Gjermanisë i njihej sovraniteti i plotë dhe në këmbim kjo e fundit hiqte dorë nga aspirata për të pasur armën nukleare. Më 1 tetor i gjithë komuniteti i shteteve europiane merr akt në New York për sistemuar në mënyrë definitive çështjen e Gjermanisë. Po në të njëjtën kohë ministri i jashtëm i San Marino-s, presidenti i radhës i OSBE-së, nga një pallat i madh me xhama ndriçuese të Hudson shpall fundin e Luftës së Ftohtë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë mbaroi edhe bipolarismi thuajse 50 vjecare, i cili e kishte ndarë botën në dy blloqe të mëdha influence, Perëndimore të udhëhequr nga SHBA dhe Lindore të përfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik. Ngjarjet ndodhën aq shpejt, sa udhëheqësit e Europës Perëndimore u gjetën në befasi, por të vendosur për të vazhduar më vendosmëri ëndrrën europiane si një alternativë të tretë në rendin e ri pas bipolar.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.