Mustafa Nano
Duket se, në ditët e sotme, ne shqiptarët bëjmë dy vlerësime të gabuara në raport me Serbinë e me diplomacinë perëndimore. Së pari e shohim ende Serbinë si macen e zezë të diplomacisë perëndimore, dhe së dyti, i shohim fuqitë e mëdha ose si aleatet tona të përjetshme, ose si dado që e kanë për detyrë të na kenë xhan. Mirëpo dinamika në terren ka prodhuar një dinamikë tjetër të marrëdhënieve diplomatike. Serbia nuk është më macja e zezë e kësaj diplomacie. Dhe në ndryshim nga ajo që besohet e thuhet, nuk është vetëm arrestimi i të kërkuarve për krime lufte që ka “trukuar” imazhin e serbëve gjatë viteve të fundit (ndonëse këto arrestime kanë një domethënie të fortë). Janë dhe vetë zhvillimet në Serbi, të cilat nuk kanë trazimin e konfuzionin e botës shqiptare dhe ndjekin një rrjedhë pak a shumë demokratike. E sikur të mos ishin mjaft këto, serbët “eksportojnë e shesin” shumë më tepër se ne në ca fusha, që prodhojnë vizibilitet e simpati në arenën ndërkombëtare, si në art, kulturë, sport etj. Mund të ngjajë si broçkull, por nuk është: një tenist si Djokoviç vlen sa dy ministri të jashtme, apo më shumë se disa marka të kërkuara në tregun global. Sigurisht, ne kemi Kadarenë, Inva Mulën, Lorik Canën, Anri Salën, Tedi Papavramin, Igli Taren, por të gjithë bashkë (në ndonjë rast për shkak të fushave, ku spikasin, të cilat janë jashtë reflektorëve të medias, e jo për shkak të staturës të tyre) nuk kanë magjinë e magjepsjen ndërkombëtare të do serbëve të sportit e të show-t.
Duhet thënë, sidoqoftë, se imazhi nacional është më së pari vepër e politikës. Dhe kjo jo në kuptimin e personaliteteve që tërheqin vëmendjen, por në kuptimin e çdo gjëje që prodhohet nga politika e për shkak të politikës, e që merr vizibilitet ndërkombëtar. Fjala vjen, ajo që ndodhi më 21 janar i ka bërë një dëm të jashtëzakonshëm imazhit të Shqipërisë, s’ka gjë se ky imazh është tradicionalisht copë-copë. Po kështu, kacafytja mes palëve që ka arritur në nivele shock-uese ka bërë punën e vet. E përjavshmja “The Economist”, një vitrinë e bujshme imazhi, dhe një model i së folmes politikisht korrekt, arriti deri atje, sa të zgjidhte para ca muajsh për titull të një shkrimi frazën “Why everyone is sick of Albania” (“Pse Shqipëria ua sjell në majë të hundës të gjithëve?”; në një stil të lirë dikush e kish përkthyer: Pse Shqipëria ua shpif të gjithëve?). Për serbët nuk është shkruar kurrë një frazë e tillë; as në ditët më të errëta, kur vendi sundohej nga Millosheviçi. Dhe është për shkak të këtyre situatave që, ndërsa Tadiçi kë nuk pret e ku nuk e presin, kryeministri ynë është katandisur në pikën, që takon me pompë të madhe vëllain ekzotik të Obama-s, në prani të shqiptarit fantastik Fahri Balliu.
Në periudhën kur ne kacafyteshim me sho-shoqin (në Tiranë e në Prishtinë), kur lejonim banditët me pushtet të vrisnin qytetarët në mes të bulevardit, e kur shtrëngonim të tjerët të thoshin fraza të ngjashme me “everyone is sick of Albania”, serbët bënin hapa drejt Europës. Zhvillimet politike në Beograd nuk janë shquar për bujë gjatë këtyre viteve, gjë që do të thotë se gjërat kanë ecur e ecin në rrjedhën e tyre normale. Nuk vjedhin vota, palët komunikojnë normalisht me njëra-tjetrën, institucionet funksionojnë, ka rule of law, bëhen reforma, etj. Dhe në fund, bënë në mënyrë kurajoze dhe atë që u kërkohej prej vitesh: vunë prangat në duart e atyre, të cilëve shumica e serbëve do kish dashur t’u jepte lule. E parë së jashtmi, ka qenë e lehtë të hidhje akuza në adresë të autoriteteve serbe, por pakëz sforcim është dashur për të kuptuar se arrestimi i Karaxhiçit, Mlladiçit, e të tjerëve, ka bartur plot rreziqe të natyrave të ndryshme, që do të komprometonin gjithçka. Europianët e amerikanët, ndonëse rrisnin presionin që kjo të ndodhte, kanë qenë të vetëdijshëm se kjo nuk ishte e lehtë.
Në këtë kuptim, serbët janë sot me të gjitha kartat në rregull. Pas kësaj, diplomacia e tyre me siguri është duke punuar për të përcjellë në çdo vesh mesazhin, që “ne hoqëm ç’na takonte për të hequr, e bëmë çfarë na është kërkuar; ne ju sollëm Milosheviçin e të gjithë kriminelët e luftës në Hagë; ne jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga Kosova, nga djepi i kulturës sonë, madje jemi të gatshëm të njohim Kosovën e pavarur, por me një kusht: duam veriun e Kosovës, duam 10% të territorit të saj, që popullohet nga serbë, të cilët janë prore të rrezikuar nën hyqmin e shqiptarëve”. Bie në vesh të shurdhër ky mesazh? Nuk do vija bast për këtë.
Mund t’ia arrijnë qëllimit, atëherë? Kjo duket e pamundur, hë për hë. Nuk është çudi të shihet si një kërkesë racionale, dhe t’u hidhet poshtë, në mënyrë racionale gjithashtu, si një gjë praktikisht e pamundur. Ndarja e Kosovës do të hapte një lojë të keqe, e cila do ta rikthente gjithë rajonin në pikën fillestare. Ka vetëm një rrethanë, që do mund të bënte të merrej në konsideratë ndarja e Kosovës si një zgjedhje nga halli. Kjo rrethanë e ka emrin “dështimi i shtetit të Kosovës”, ose thënë në mënyrë më përshkruese e fjalëshumë, “dështimi i shqiptarëve të Kosovës për të jetuar tok me pakicat, për të ndërtuar një demokraci të prekshme e të vlerësueshme, për të ngritur një shtet funksional të së drejtës, e për të qenë faktor qëndrueshmërie në Ballkan”. Nëse kjo dëshmi nuk jepet, gjithë kohën kemi për të jetuar me opsionin e ndarjes “a portata di mano”. Dhe merret vesh, kur je i detyruar të jetosh me idenë, që “prit, se puzzle-i ballkanik nuk ka gjetur akoma zgjidhje për fare, dhe se ka akoma gjëra për t’u lëshuar, dhënë, rivendikuar, mbajtur me forcë, etj., etj”, nuk mund të ndërtosh asgjë të hairit. Madje, edhe ne të Republikës së Shqipërisë vuajmë në një farë mase prej kondicionimeve të kësaj natyre.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.