e martë, 23 gusht 2011

Mbi nacionalizmin shqiptar

ALFRED ÇAKO

Ka disa muaj që me rastin e regjistrimit të përgjithshëm (i kërkoj ndjesë z. Pollo që s’jam mësuar ta quaj “census”) të popullsisë, janë hapur disa debate rreth nacionalizmit shqiptar. Përveç z. Berisha, i cili kujton se me staturën e vendosmërinë e tij si patriark i politikës, në mbrojtje të kauzës qeverisëse mbi regjistrimin, ai mund t’i bindë shqiptarët se dielli lind nga Adriatiku. Në këtë debat “antinacionalist” janë përfshirë në shtyp edhe disa “profesorë” të tjerë, si z. E. Hasimja, ish-këshilltar i tij. Duket se z. Berisha e sheh këtë problem sa në prizmin pragmatist të jashtëm për të realizuar një angazhim institucional apo të kulisave, aq edhe në prizmin politik të brendshëm, pasi ai ka droje se PD-ja, e cila po vjen duke u tkurrur, mund të marrë një krisje tjetër në elektorat nga lëvizja “Kuq e Zi” dhe nga PDIU. Personalisht nuk bëj pjesë te dy lëvizjet e reja, përkundrazi, jam votues i PD-së, por dëshiroj t’i qasem temës për të disatën herë publikisht, pasi e ndiej edhe unë veten të përfshirë indirekt nga disa etiketime të Kryeministrit. “Të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë shprehje e një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj, duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre”, do të theksonte Kryeministri para disa ditësh. Thelbi i debatit mbi regjistrimin qëndron vetëm mbi vetëdeklarimin fetar e etnik, dhe jo mbi pasuritë, siç përpiqet të sulmojnë “penguesit kuq e zinj” të kësaj vepre stërmadhore të Kryeministrit dhe gjithë antinacionalistëve të tjerë të trimëruar nga Doktori. Ç’kuptim kanë përçartje të tilla, që duan të tërheqin vëmendjen ndaj thelbit etniko-fetar të konfliktit mbi regjistrimin, kur Kryeministri thotë se “ky është një interes madhor kombëtar, sepse në regjistrat dhe në database-t e këtij vendi duhet të ekzistojë realiteti shqiptar i vitit 2011? Ky realitet, natyrisht, është i kundërt me atë që e nxijnë çdo ditë kollagjerë dhe çakej që shfrytëzojnë lirinë për qëndrime nga më absurdet. E kundërshtojnë këtë sepse ky regjistrim do të nxjerrë të gjitha pasuritë e patundshme që krijuan shqiptarët, duke derdhur lumenj djerse në këto 20 vjet”? E cili “nacionalist” shqiptar është kundër këtij lloj regjistrimi të pasurive? Askush. Në fakt, “nacionalistët“ bazohen në kundërshtimin e tyre edhe në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 10.2, ku deklarohet laiciteti i shtetit, ndërsa thuhet se “shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes”. Pra, shteti nuk merr pjesë në problemet e regjistrimit shpirtëror, por vetëm zyrtarizon superstrukturën institucionale të tij, duke njohur fe të caktuara zyrtare. Pra, me laicitetin e vet kushtetues, shteti distancohet nga punët e fesë dhe, pa dyshim, edhe të regjistrimeve fetare. Po kështu, në pjesën e dytë të Kushtetutës, neni 20.2, thuhet se pakicat etnike “kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore…”. Sipas kësaj pike, pakicat kombëtare kanë të drejta (dhe në fakt i kanë gëzuar këto të drejta pa u penguar) të organizohen e tubohen sipas origjinës së tyre në parti politike, institucione fetare a gjuhësore, institucione të cilat kanë qenë nën mbështetjen apo mbrojtjen e shtetit gjatë aktiviteteve të tyre. Përsëri nuk e kuptojmë se ç’punë ka shteti në regjistrimet e masës së tyre sasiore, kur këtë punë e ndan Regjistri i Gjendjes Civile, ku njerëzit regjistrohen sipas ligjeve në fuqi mbi etninë e tyre. Pra, ç’hyn këtu vetëdeklarimi fetar dhe etnik nga një shtet laik? A e di Kryeministri se Haxhi Qamili ishte turkoshak e u var se donte fenë mbi shqiptarët? A e di Kryeministri se pika e vetme ku bashkohen haxhiqamilët dhe dhespotfotët e vrarë nga nacionalistët shqiptarë është prevalimi i identitetit fetar mbi atë nacional? A e kupton Kryeministri ynë se po del kundër parimeve të Pashko Vasës, të cilat u bënë themeli i shtetit kombëtar e laik shqiptar në tri periudhat kryesore qeverisëse të vendit, nga vitet 1920-1939; 1944-1990-2011? A e kupton ai se nëse të parët tanë do të kishin pikëpamjet haxhiqamiliste e dumbabiste të turkoshakëve, z. Berisha nuk do të ishte Kryeministër i Shqipërisë? A kanë kuptim emocional fjalët e rralla që “tregojnë poliedrizmin” e Kryeministrit, kur ai huazon nga Kushtetuta e vendeve të panjohura si “Cape Verde” me etiketime “antinacionaliste” si fjala “apatrid” apo fjalë të shpikura nga Kryeministri, si fjala pa kuptim “kollagjer”? Eh! Çfarë të bëjmë? “Jetojmë në Zulluland”, do të thoshte Konica i famshëm në këtë rast. Pasi ka hequr kostumin e internacionalistit, Kryeministri ynë u përpoq ta vishte mbas viteve ’90, vetëm në festa të rralla e intime, kostumin e nacionalistit; ndërsa tash duket se ai ka veshur kostumin e globalizmit (shpresojmë të mos kemi lajthitur nga sytë e s’është ndonjë kostum i qepur me penj blu e të bardhë). Ndoshta Kryeministri e ka kryer regjistrimin prej kohësh me ekspertët e huaj që qëndrojnë në Institutin e Statistikave dhe kjo do të ishte gjysma e së keqes, pasi regjistrimet dhe këndvështrimi zyrtar i historisë së çdo shteti janë thellësisht politike e jo aq transparente. Gjithsesi, kjo do të dukej si një mollë e kalbur nga brenda e me shkëlqim nga jashtë. Por, për kuriozitet, nga burimet e mia, po i them se në qarkun e Korçës, me 180 mijë banorë, pa as edhe një qytetar grek, zotit Berisha mund t’i regjistrohen 32 100 qytetarë grek. Kryeministri ynë duhet të koordinojë pak edhe me SHISH-in për këto punë, gjë që është e vështirë të ndodhë. Ndoshta Kryeministri ynë nuk e di se shumica e këtyre 32 mijë të vetëdeklaruarve mund të jenë myslimanë korçarë, ashtu siç mund të ndodhë që edhe në Pukë e Laç, të Vaut të Dejës, do të ketë “grekë” sa të duash. Kryeministri, me minoritarët nga Konispoli, që ka lënë për të drejtuar degën e vet të PD-së në Korçë e me disa drejtorë (që përveç se janë kopilë të hierarkëve ish-komunistë, janë edhe shumë progrekë), as që ka për ta marrë vesh se këto kohë, në ndonjë kishë të Korçës, njerëzit e N. Gaxojanit kanë ngritur edhe aparatura përgjimi të sofistikuara dhe njerëz të ndryshëm që nga shërbimet sekrete greke, në bashkëpunim edhe me terroristët e organizatës “17 Nëntori”, janë mobilizuar ethshëm në shërbim të kauzës së tyre të madhe “Pollo”, duke hyrë e dalë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Pas pranimit indirekt të “fajit shqiptar“ për luftën italo-greke të vitit 1940, duke paguar tokat nga shteti ynë dhe pas Marrëveshjes së ujërave, me këtë regjistrim realizohet faza e parë e planit “Janullatos” me Shqipërinë, para largimit të tij nga kjo botë fizike.
Të shohim pak se ç’është nacionalizmi, natyrisht jo në dritën zyrtare e sipas trushpëlarëve të universiteteve, kozmopolitëve krenarë e servilë. Nacionalizmi u frymëzua nga bankierët dhe financierët e mëdhenj, kryesisht jahudinj, kur ata dështuan në dy raste për të zhdukur papatin, të cilin e kishin pasur gjatë mesjetës një armik të hidhur. Në fillim ata financuan Napoleonin për të shkatërruar Vatikanin dhe ai iu sul Italisë e gati sa s’e kreu këtë punë, por mendoi se punët e shpirtit kanë rrënjë të thella e s’janë të lidhura vetëm me ngrehinën e Shën Pjetrit. Kur Napoleoni u rimartua me një vajzë nga dera më e krishterë katolike e Habsburgëve, më 1810-n (Maria-Luizën), ai u konsiderua një “puppet string” që s’i duhej besuar nëse bëhej sundimtar i gjithë Europës. Ndaj u sponsorizuan anglezët, rusët, prusianët dhe habsburgët, me shpresën që këta do të pranonin skemën e ndërtimit të perandorive laike, sipas parimeve të Iluminatit bavarez, të krijuar më 1770-n nga Moses Mendelsoni dhe Adam Waitshaup, emisarë të bankierëve jahudinj. Laicizmi i shtetit ishte parë si një mundësi nga bankierët jahudinj, me qëllim që atë të kishin të drejta të barabarta me gjithë besimtarët e tjerë e të mos shtypeshin prej këtyre. Kur projekti i laicitetit u kundërshtua nga familja ortodokse e Aleksandrit I të Rusisë në Koncertin e Vjenës, kjo familje u dënua me vdekje së bashku me familjen Habsburgase. Këto parime i pranoi kurora angleze me përfaqësues Viscount Castlereagh, si dhe organizatori i saj, austriaku Princ Meternihu, që kontrollohej nga zëvendësi i vet, baroni Wessenberg. Car Aleksandri dhe Frederiku III i Prusisë dëgjuan fatalisht këshillat e gabuara të ministrave të vet, Naselrod dhe princit Hardenberg, duke u armiqësuar me maniatët financiarë për çështjen e laicitetit. Nëpërmjet laicitetit, bankierët synonin të krijonin Europën Federale. Por, pas këtij dështimi, bankierët e kuptuan se nuk bëhej stan me “lepujt-perandorë”, ndaj hodhën kartën e nacionalizmit, me qëllim që me këtë të shkatërronin perandoritë dhe perandorët. Kulmi i nacionalizmit arriti në Luftën e Parë Botërore, e cila synonte, përveç shkatërrimit të perandorive e ngritjen e shteteve nacionale, ngritjen e Lidhjes së Kombeve, të cilën synonin ta manipulonin drejt Rendit të Ri Botëror apo thënë ndryshe, Qeverisë Botërore. Para Luftës së Parë, emëruesi i përbashkët i të gjithë mendimtarëve trushpëlarë ose të paguar, ishte nacionalizmi, derisa u arrit shkatërrimi i dyerve shekullore e të mëdha perandorake dhe i rendit të vjetër. Bota hyri nën sundimin e ideve të iluminizmit, të cilat kishin bazë të drejtat e kombeve dhe të individit brenda perandorive si dhe laicitetin e shteteve e mospërzierjen e shtetit në punët e feve, pikërisht atë që kërkonin vëllezërit Bauer (hegelianët e rinj) dhe Karl Marksi, qysh më 1840-n. Por, tani, mbas Luftës së Dytë dhe krijimit të Izraelit, armiqtë më të mëdhenj të Qeverisë Botërore kanë dalë fetë e ndryshme dhe kombet. Tani po flitet në të gjitha drejtimet kundër nacionalizmave. Teoricienë si, H. Arendt, filluan të shkruajnë kundër nacionalizmit. Natyrisht që ne shqiptarët jemi në një varkë me më të fortët dhe të bësh politikë do të thotë të mos zbresësh nga varka në det, por hapat hidhen me faza. Hasimja thotë te gazeta “Panorama” (dt.16 gusht), se “të gjithë nacionalistët së bashku nuk mund të bëjnë për këtë vend më tepër sesa një pastruese e përgjegjshme e rrugëve të Tiranës. Madje, mund të bëjnë të kundërtën: mund të na çojnë në greminë”. Natyrisht që ky “profesor“ nuk është në rregull nga logjika që flet kështu, e s’ia vlen t’i bësh koment, por ajo që duhet thënë është fakti se Ballkani është një pyll me ujqër dhe të blegërish me zërin e Hasimjes si komb do të thotë që shumë shpejt je në stomakun e ujkut. Shyqyr që s’ka pasur kaq shumë dele në kohën e Rilindjes, pasi emri “shqiptar” do t’i kishte mbetur historisë. Hasimja të shkul së qeshuri me trushpëlarjen e vet antinacionaliste kur thotë se, “e, meqenëse është gjellë e turmave, nacionalizmi luan në fushën e vet: është ideologjia më e kapshme nga turmat dhe më e vështirë për t’u përballuar me argumente, sepse jo gjithkush ka studiuar teoritë e nacionalizmit në nivel universitar. Aq më tepër në vende me nivel arsimi mediokër”. Në këtë vend me arsim mediokër të gjithë ne kemi faj, vetëm “profesor” Hasimja s’ka faj, e vetëm ai nuk është mediokër. Por, Hasimja as e kupton se kjo ideologji dhe këto turma që ndoqën prusianët dhe Bismarkun e bënë të madhërishëm emrin e gjermanit; Hasimja nuk e kupton se kjo ideologji mbisunduese e kohës, e udhëhequr nga Kavuri dhe Garibaldi, edhe pse derdhi gjakun e italianëve (dhe francezëve) në Solferino me kova, bëri që italianët sot të jenë komb dhe një nga 7 vendet më të forta të botës. Ermali thotë se është patriot dhe harron se ligjësia maltusiane e kombeve s’e njeh këtë fjalë të shpikur nga oportunistët me armikun. Amerika, shteti që u krijua mbi parimet e “patriotizmit” antikolonial britanik, u bë menjëherë nacionaliste kur u bë superfuqi. Është e vërtetë që nacionalizmi, me kalimin e kohës, do të ngelet në muzetë e historisë dhe kombet do të shkojnë me dashje ose pa dashje drejt ëndrrës së Demostenit dhe Hegelit, për një qeverisje të vetme botërore, por ne s’kemi pse ngutemi. Aq më tepër që antinacionalizmi dhe heqja e brekëve para kohe nuk u vlen as aleatëve tanë, të cilët duan ta balancojnë me nacionalizmin shqiptar sado pak nacionalizmin ortodoks (europianët duan të përmbajnë me të, sado pak, edhe nacionalizmin neootoman) grek e serb. Kur lexova Hasimjen, në fakt e kuptova se përse ai ka qenë edhe këshilltar i Kryeministrit.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.