Albert Hitoaliaj
Foreign Affairs: Greqia e vitit 1861, 20% të banorëve i kishte shqiptarë
Pak muaj më parë, ndër të tjera, në 20-vjetorin e themelimit të OMONIA-s, konsulli grek në Korçë, Ikonomus, tha: “Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke”. Cila betejë? Ç’luftë synojnë të bëjnë grekët? Duke shtuar në mënyrë artificiale numrin e popullsisë “greke”, hapin tjetër, betejën tjetër, ata do bëjnë që kjo popullsi të fitojë autonominë e mandej të bashkëngjitet me popullsinë mëmë të Greqisë. Ata kërkojnë të bëjnë një lloj paralelizmi me rastin e Kosovës, duke shpresuar vonimin apo pezullimin e zgjidhjes së pronave të shqiptarëve të dëbuar nga Greqia. Kjo luftë nisi nga Venizelosi.
Në krijimin e saj si shtet, Greqia rezultonte të ishte një shtet me shumë kombe në brendësi dhe kjo gjë është fakt historik. Popullsia shqiptare ishte një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së shtetit të ri grek. A u lejua ajo popullsi të fliste gjuhën e saj? A u hapën shkolla për shqiptarët, heronjtë e revolucionit grek që nuk dinin greqisht? Jo. Ata u tretën në harresë. U asimiluan me metoda nga më të ulëtat, deri në dëbim masiv. Pa dashur të zgjatem në këtë drejtim, do të sjell në vëmendje një raport diplomatik, të Mr. Lyiton, ambasador i Britanisë në Greqinë e vitit 1865, që i drejtohet Ministrisë së Jashtme britanike.
Ky raport është pjesë e botimit “Accounts and papers of the House of Commons, Great Britain” (Raporte e dokumente të Parlamentit, Britani e Madhe), botuar nga Parlamenti britanik. Raporti mbi gjendjen e popullsisë dhe mbretërisë greke, titullohet: “Report by Mr, Lyiton, Her Majesty's Secretary of Legation, on the present Condition of the Greek Kingdom and People, Athens, January, 1865”. Po shkëpusim një fragment nga pjesa e nënndarjes “Popullsia dhe kombësia”. Ja se ç’thuhet:
“...Shtrirja dhe karakteri i territorit, mbi të cilin janë shpërndarë 1 096 810 banorë (sipas Censusit të vitit 1861) të Mbretërisë së Greqisë, do të japë lëndën për shënimet në pjesën pasuese të këtij Raporti. Kombësia e këtyre 1 096 810 banorëve është e përzier. Raca shqiptare tashmë zë një pjesë të konsiderueshme të territorit të Greqisë së lashtë, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Mbretërisë së re. Me përjashtim të dy qyteteve kryesore (Athinës dhe Megaras), ajo (shënim, raca shqiptare) ka monopolizuar gjithë Atikën dhe Megares. Ajo është në posedim të pjesës më të madhe të Boeotisë dhe një pjese të vogël të Lokrisit. Jugu i Eubeas, veriu i Androsit, pjesë të Eginas dhe e gjithë Salamina janë të populluara nga shqiptarët. Në Peloponez ky element shqiptar është akoma edhe më i fortë. Ajo zë gjithë Korinthin dhe Argolisin, veriun e Arkadias, lindjen e Akaisë dhe duke u shtrirë në Lakonia, poshtë shpateve të Thaigetus drejt pllajës së Helosit, ajo kryqëzohet me Eurotas dhe mban në posedim një rajon të madh përreth Monemvasias. Në Mbretërinë e Greqisë (ku ajo numëron rreth 200 000 shpirtra) fuqia e saj numerike nuk është më pak e rëndësishme se sa epërsia në veprimtarinë shoqërore dhe në komandim. Ajo e furnizon territorin grek me numrin më të madh të kultivuesve dhe popullsinë detare të Greqisë me elementin e saj më me iniciativë.”
Burime të tjera që vërtetojnë se në Greqinë e fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XIX, banonte një komunitet i gjerë shqiptarësh, ka me shumicë.
Venizelos, krijuesi i politikës së vetëdeklarimit
Si është e mundur që kombi grek të përbëhet nga një larmi racore dhe përsëri ta konsiderojë veten homogjen? Gazetari i njohur amerikan, Herbert A. Gibbons, na jep një përgjigje në librin e tij biografik, “Venizelos” (1920). Pjesa e mëposhtme tregon filozofinë e politikës greke që ka ndjekur diplomati më i aftë grek, Venizelos, në Konferencën e Paqes:
“Në pretendimet e tij për Epirin e Veriut, Venizelos parashtroi teorinë e famshme të vetëdijes kombëtare si provë të kombësisë. "Dikush mund të joshet", tha ai, "për të ngritur kundërshtimin që një pjesë e konsiderueshme e kësaj popullsie greke përdor gjuhën shqipe si gjuhën e vet, dhe është, rrjedhimisht, sipas të gjitha gjasave, me origjinë shqiptare; por konceptet demokratike e Fuqive Aleate dhe të Bashkuara nuk mund të pranojnë ndonjë standard tjetër përveç se atij të vetëdijes kombëtare.” Venizelos vazhdoi të nxjerrë në pah se standardi i racës apo gjuhës si provë e nënshtetësisë ishte "konceptim gjermanik." Ai pohoi se epirotët kishin qenë grekë që kohë më parë themelimit të Mbretërisë së Greqisë, se familjet e tyre kryesore kishin nxjerrë heronjtë drejtues të Luftës së Pavarësisë, dhe se epirotët e veriut kishin qenë mes mirëbërësve kryesorë të Greqisë, duke themeluar shkollat greke dhe institucionet publike.
"Mund të jetë e vlefshme të shtoj se zëvendëskryetar i tashëm i Këshillit Ministror grek, z. Repulis; komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë greke, gjeneral Dangëllis; komandant i përgjithshëm i forcave detare greke dhe Ministri i Detarisë, admiral Konduriotis dhe pjesa më e madhe e ekuipazheve të marinës greke, flasin gjuhën shqipe si gjuhën e tyre amtare".
Nga përvoja ime personale kam pasur konfirmim të mjaftueshëm, për ndërgjegjen e zjarrtë kombëtare greke të banorëve të Epirit dhe gjithashtu atyre të Atikës, gjuha e të cilëve në shtëpi ishte shqiptare. Kur e shpjegoi këtë teori për mua, Venizelos shpjegoi se çfarë nënkuptonte me thënien se standardi i racës apo gjuhës është një konceptim gjermanik. Ai përmendi autorë gjermanë në lidhje me kufijtë e Deutschthum, të cilët pretendonin për Gjermaninë nga gjuha apo prova racore pjesën më të madhe të Zvicrës, Belgjikës, Alzas-Loreinës e madje edhe Holandën. Mosnjohja e provimit të kombësisë sipas gjuhës është tipari më i rëndësishëm i pretendimeve greke.”
Pra, edhe pse me origjinë shqiptare, mjafton të kesh vetëdije greke (vetëdeklarim), të duash të jesh grek dhe automatikisht shndërrohesh në grek. Kjo ishte filozofia e Venizelosit që vazhdon edhe sot. Ikonomus është pjesë e “pretorianëve” që luftojnë për të shtuar numrat e Greqisë, ato numra që shtojnë fuqinë kombëtare siç janë popullsia dhe më pas, pse jo, do të kërkojnë edhe territorin. Politika e tyre është e ftohtë, këmbëngulëse dhe largpamëse. Grekët vlejnë për t’u marrë si shembull për aftësinë planifikuese, por tregojnë se janë shumë të pavlerë për sa i përket ndërtimit të një fqinjësie të mirë e të bazuar mbi ato vlera që njerëzimi i sheh të burojnë nga religjioni më antik, e vërteta.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.