Nga Frymzim DAUTI
Shkrimet për Esat Pashën që i kanë shkruar historianët komunistë të Shqipërisë, kanë pasur qëllime propagandistike, pasi Esati ka shërbyer si përfaqësues i klasës bejlere në Shqipëri. Nëpërmjet nxirjes së personalitetit të tij, makineria propagandistike komuniste shërbehej për luftën e klasave në shoqërinë shqiptare. Esat Pasha po ashtu ishte dhe daja i Ahmet Zogut, prandaj dhe historianët e Shqipërisë përpiqeshin që dajën dhe nipin t’i quanin bashkëpunëtorë të Serbisë. Për mendimin tim shkrimet e tyre nuk kanë asnjë vlerë shkencore dhe nuk i ia vlen që të komentohen. Një ndër historianët që ka shkruar një punim shkencor për aktivitetin politik të Esat Pashës për periudhën 1914-15 është historiani nga Maqedonia prof. dr. Shukri Rahimi. Punimi i tij është mjaft serioz dhe në dallim nga kolegët e tij nga Shqipëria, nuk ka patur qëllim propagandistik; prandaj dhe vlen që të komentohet. Historiani Shukri Rahimi vjen në përfundim se aktiviteti politiko-ushtarak i Esatit ishte tradhti. Ai vjen në këtë përfundim duke i interpretuar marrëveshjet dhe telegramet. Por puna e historianit nuk është që të interpretojë marrëveshjet dhe të japë përfundime në bazë të tyre se kush është i poshtër apo tradhtar. Historiani duhet t’i mbledhë të dhënat dhe të japë sqarime lidhur me ta. Shukri Rahimi në konkluzion të punimit të tij mes të tjerave shkruan: Qeveria serbe duke vlerësuar karakterin e prishur të këtij pashai (Esatit), i premtoi që do ta ndihmojë financiarisht dhe ushtarakisht që të marrë pushtetin në Shqipëri[...]. Kjo është një pasqyrë shumë e qartë se Esat Pasha dhe ushtarët e tij, nuk kanë nguruar para kurrfarë tradhtie, për t’i arritur qëllimet e veta personale (Shukri Rahimi ”Gjurmime historike të rilindjes kombëtare” faq. 318-9. Prishtinë 1986).Kuptohet që konkluzioni i historianit Shukri Rahimi është ndikuar nga kolegët e tij në Shqipëri, dhe ky historian si një patriot i dëshmuar ka dashur që të jetë në një vijë me librin “Historia e Popullit Shqiptar” të botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Edhe historiani i ri kosovar Isa Blumi, në një libër të botuar në gjuhën angleze në Stamboll, ka shkruar pak edhe për Esat Pashën. Por te libri i tij vërehet se autorit i mungon guximi që të japë mendimin e vet, edhe pse atë libër e shkruan pas një studimi të gjatë që e bën në arkiva të ndryshme. Isa Blumi të paktën nuk e quan Esat Pashën tradhtar, apo as dhe politikan kontravers.-Pasi fillon Lufta e Parë Botërore, Princ Vidi i pafuqishëm dhe duke qenë i rrethuar nga kryengritësit, të dëshpëruar pas largimit të Esat Pashës dhe nga pakënaqësia e imponimit të mbretit të krishterë, në shtator të vitit 1914, me një anije ushtarake italiane largohet prej Shqipërisë; pas 5 muajve qeverisje të pasuksesshme. Me të marrë vesh për këtë dhe për shkak të rrethanave të reja të krijuara, Esat Pasha vendos që të kthehet në Shqipëri. Ndërkohë qeveria e Serbisë filloi të mendojë thellë për pasojat që do të paraqiteshin për të, nëse dhe Perandoria Osmane hyn në luftë kundër saj, sikurse Austro-Hungaria dhe Gjermania. Serbia në atë rast do të duhej të luftonte në dy fronte, gjegjësisht në frontin verior kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë dhe në atë jugor kundër Shqipërisë. Për shqiptarët besohej se do t’i përgjigjeshin pozitivisht kushtrimit të Perandorisë Osmane për luftë- xhihad. Serbia kuptohet që nuk do të kishte kapacitet që të mbrohej në atë rast, prandaj dhe e ftoi Esat Pashën që të negociojë. Serbia vendosi që të lidhë marrëveshje me Esat Pashën dhe i verifikoi me shkrim, që e pranonte popullin shqiptar, shtetin e Shqipërisë, kufijtë e saj dhe ushtrinë shqiptare. Me këtë rast, më 17 shtator 1914 në Nish (Serbi) pas negociatave të Esat Pashës me kryeministrin e Serbisë, nënshkruhet marrëveshja e parë e Shtetit të pavarur Shqiptar nga një shqiptar në emër të popullit shqiptar; pra nga Esat Pasha dhe përfaqësues të Qeverisë së Serbisë. Esat Pasha me këtë rast kishte në dorë një dokument që dëshmonte njohjen e Shqipërisë nga armiku kryesor i Shtetit Shqiptar, jepte mundësinë për ta legjitimuar pretendimin e tij për të qenë në krye të Shqipërisë para faktorëve të brendshëm dhe ndërkombëtarë, si dhe jepte mundësinë për riorganizimin e ushtrisë shqiptare dhe përgatitjen e saj nga rreziku që i kanosej nga lufta e përgjithshme dhe veçanërisht nga rreziku i okupimit të Shqipërisë nga vetë Serbia apo Austro-Hungaria. Serbia, para nënshkrimit të këtij “traktati”, shqiptarët e krishterë i konsideronte serbë të asimiluar, ndërsa shqiptarët muslimanë i quante turq. Por pas kësaj marrëveshjeje, qëndrimi zyrtar i Serbisë ndaj Shqipërisë ndryshoi. Ja disa nga artikujt e asaj marrëveshjeje: “Artikulli 10: Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e shqiptarë. Artikulli 13: Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo-shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokë të Serbisë”. Pas kësaj marrëveshjeje, Esati kalon kufirin për në Shqipëri. Pasi mobilizon me mijëra përkrahës trima të tij, pa asnjë plumb të krisur, hyn si triumfues në Durrës, ku dhe merr qeverinë e Shqipërisë në dorë. Esat Pasha nuk gjen aspak ambient të qetë në Shqipëri pasi pakënaqësitë ende vazhdonin në Shqipëri, sidomos pas situatës së përkeqësuar ekonomike si pasojë e kolapsit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe për shkak të pasigurisë permanente si rezultat i luftërave të klaneve për pushtet. Qeverisja e Shqipërisë në këtë periudhë ishte një sfidë e madhe, prandaj dhe Esatit iu shtuan armiqtë edhe nga radhët e veta. Pas pavarësisë së Shqipërisë, Esat Pasha bëri gjithë të mundshmen që të detyrojë të largohet një mbret i huaj i krishterë, i cili ishte injorant për çështjet e shqiptarëve dhe që i ishte imponuar Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Vendimi arbitrar i të huajve i irritoi në masë të madhe shqiptarët, të cilët u ngritën në kryengritje kundër Vidit. Një pjesë e tyre kërkuan zyrtarisht, pasi morën pushtetin e cunguar në dorë, që djali i Sulltan Abdulhamidit të shpallet mbret i Shqipërisë. Esat Pasha pasi mori pushtetin, përpiqej dhe luftonte që Shqipërinë ta udhëhiqte vetë ai, pasi e njihte më mirë dhe kishte forcën dhe vendosmërinë që ta mbronte Shqipërinë kur ishte në rrezik për të ekzistuar, ashtu sikur e dëshmoi atë në luftën për mbrojtjen e Shqipërisë më 1912/13. Esat Pasha ishte e vetmja forcë në këtë periudhë që mund të stabilizonte vendin. I vetëdijshëm për rrethanat botërore dhe për interesat e Shqipërisë, edhe pasi Perandoria Osmane hyn në Luftën e Parë Botërore, Esat Pasha radhitet në anën e Antantës. Me hyrjen e Perandorisë Osmane në LPB, me pretendim që t’i kthejnë edhe territoret e humbura në Evropë, që i kishte humbur para dy viteve, ata po ashtu i ofrojnë bashkëpunim Esat Pashës, që në atë kohë kryesonte qeverinë e Shqipërisë. Por, Esat Pasha i refuzon ata. Për këtë qëndrim të tij Gjykata Ushtarake e Perandorisë Osmane në Stamboll e dënon Esat Pashën me vdekje në mungesë dhe më vonë me një vendim të Ministrisë së Luftës ia marrin titullin ushtarak. Kuptohet që këta kundërshtime mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Perandorisë u reflektuan dhe te populli shqiptar dhe prandaj u shfaqën lëvizje opozitare kundër qeverisë së Shqipërisë. Një nga lëvizjet e rëndësishme opozitare në këtë periudhë shndërrohet dhe lëvizja e myftinive të Tiranës dhe Krujës, të cilët kërkonin me çdo kusht që të kthehet rendi i vjetër shtetëror. Ata u inkurajuan sidomos pas fillimit të Luftës së Parë Botërore duke shpresuar që të rikthejnë dominimin osman në Shqipëri, apo së paku që Shqipëria të udhëhiqet nga një mbret i familjes mbretërore osmane. Tentativa e tyre për të arritur këtë qëllim rezultoi në rebelim të armatosur, e që përbëhej nga mijëra luftëtarë të Shqipërisë së Mesme, dhe të cilët arritën që t’i marrin nën kontroll shumë qytete të Shqipërisë. Por kjo lëvizje e tyre dështoi pasi që Esat Pasha jo që nuk i përkrahi ata por edhe i luftoi ata deri në fund. Kjo lëvizje u shtyp edhe me ndihmën e ushtrisë serbe të cilët erdhën në Shqipëri për ta përgatitur terrenin që të iknin nga ushtria e Austro-Hungarisë që ishte në avancim. Liderët shqiptarë të kësaj lëvizje pro-osmane pasi që u arrestuan më 1915 u dënuan me vdekje dhe më pas u ekzekutuan pas vendimit të gjykatës ushtarake të udhëhequr nga vëllai i Ahmet Zogut. Ky rebelim i dështuar e që u udhëhoq nga njerëz me ndikim dhe luftëtar trima si Haxhi Qamili, është një dëshmi më shumë se shumë shqiptarë e patën vështirë që të pajtoheshin me realitetin e largimit të Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare. Marrëveshja tjetër ndërmjet kryeministrit Esat Pasha me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë lidhet në Tiranë më 28 qershor 1915. Kjo marrëveshje duhet analizuar më thellë dhe atë nuk mund ta interpretojë secili historian apo jurist i së drejtës ndërkombëtare publike, e që nuk i ka tejkaluar manipulimet që janë bërë gjatë shkrimit të historisë së popullit shqiptar. Nëse marrëveshja e vitit 1915 në mes Shqipërisë dhe Serbisë lexohet pa i njohur thellë rrethanat e kohës, formohet përshtypja se bëhet fjalë për një tradhti të nivelit më të lartë. Por gjatë negociatave nuk bëhet tradhti, por bëhet politikë. Esati, si politikan i kalibrit të lartë dhe si ish deputet i Perandorisë i zgjedhur në dy mandate, nuk e kishte prioritet përmbajtjen e marrëveshjes, por shuarjen e rebelimit pro-osman, të cilët iu përgjigjën pozitivisht kushtrimit të Perandorisë Osmane për xhihad. Por që për atë kohë, lëvizja e tyre, sipas Esatit ishte në dëm të interesave gjeopolitike të Shqipërisë. Prandaj dhe ai ishte i përgatitur që të lëshonte pe vetëm që të ndërronin rrethanat politike në Shqipëri pas rebelimit. Gjatë marrëveshjeve nuk është me rëndësi përmbajtja, por interpretimi juridik që i bëhet marrëveshjes. Se ky parim është real në diplomaci, si shembulli më të freskët e kemi Marrëveshjen e Ohrit, ku u parapa që gjuha shqipe në Maqedoni të jetë gjuhë zyrtare, mirëpo më vonë gjatë interpretimit të saj, shqipja u kufizua si zyrtare vetëm në komunat me shumicë shqiptare. Esati, me siguri që gjatë negociatave për lidhjen e marrëveshjes së dytë me Serbinë, është përpjekur dhe i ka dhënë më shumë rëndësi që neni 1 i marrëveshjes të jetë sipas insistimit të tij, përderisa për të tjerat është përkujdesur më pak. Për shkak të hapësirës së kufizuar për këtë shkrim nuk mund t’i interpretojmë të gjithë nenet e kësaj marrëveshje veç e veç.Neni 1 i kësaj marrëveshje thotë: “Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë coptimin e saj, por ajo do të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë në aleancë dhe bashkësi në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli”. Ndërsa neni 14 i këtij protokolli, parasheh që ndihmat në para konsiderohen borxhe. Kjo është shumë me rëndësi që të theksohet, pasi nëse Esati do të punonte vetëm për interesat e Serbisë, ai nuk do të merrte obligim që t’i kthente borxhet. Me rëndësi po ashtu është që të analizohet periudha kur lidhet kjo marrëveshje; gjegjësisht kjo është nënshkruar pas traktatit sekret ndërmjet Italisë dhe Antantës, që parashihte zhbërjen e Shqipërisë. Kuptohet që Kryeministri i Shqipërisë në atë kohë kishte burime nga informohej për përmbajtjen e këtyre traktateve që parashihnin zhdukjen e Shqipërisë nga harta politike; së paku nga diplomacia e Serbisë apo dhe ndoshta të ish kolegëve të tij në Perandorin Osmane. Serbia ishte kundër prezencës së Italisë në bregdetin shqiptar, pasi ia humbte shpresat asaj për dalje në det apo okupimin e Dalmacisë. Po ashtu për Serbinë ishte e papranueshme që një shtet i fuqishëm si Italia të kufizohej afër me Serbinë, pasi kjo nënkuptonte mosimplementim e vendimit nga Konferenca së Londrës më 1913, për ndërtimin e linjës hekurudhore që nëpërmjet Shqipërisë i garantonte dalje Serbisë në Detin Adriatik. Kjo marrëveshje në aspektin juridik ka shumë mangësi. Duhet patur parasysh që nuk nënshkruhen traktatet, ndërsa trupat ushtarake gjenden në territor të një shteti; pasi në këto raste mund të formohet përshtypja se marrëveshja imponohet. Traktate të karakterit të rëndësishëm lidhen në shtete neutrale siç është p.sh. Zvicra. Këta lloje të traktateve zakonisht lidhen në konferenca ndërkombëtare apo ku së paku gjatë lidhjes së traktatit të ketë një shtet të fuqishëm që do të garantojë implementimin e tij, apo të luajë rolin e arbitrazhit nëse vjen në kontestim të traktatit nga njëra palë nënshkruese e traktatit. Arbitrazhi nuk është paraparë në “traktatin” mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të thotë se atë nuk kishte se kush e interpretonte. Një mangësi e madhe e këtyre dy marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Esat Pasha është se tek ata, nuk parashihen afatizime. Kjo do të thotë se implementimi i detyrimeve që dalin nga këto marrëveshje me shkrim mund të shtyheshin në pafundësi. Në nenet e tjera të marrëveshjes përmenden vetëm situata hipotetike që duhet të ndodhnin por që ishin shumë larg realitetit dhe që nuk ka asnjë garanci se mund të ndodhnin. Të gjitha këto mangësi në formë dhe përmbajtje, pa dyshim që mund t’i shpallte ato nul apo të pavlefshme. Marrëveshje e dytë ishte vetëm një veprim politik i mirëmenduar si për interesat e Shqipërisë ashtu dhe për ato të Serbisë, prandaj dhe u quajt procesverbal. Pastaj ushtria e Serbisë në kohën e lidhjes së kësaj marrëveshjeje thuajse veç ishte shpartalluar nga ushtria austriake, ndërsa qeveria e Serbisë ishte dislokuar prej Beogradi në Nish. Ndërkohë përgatitej dhe Bullgaria që të hynte në luftë kundër Serbisë, çka e bënte të pamundur ekzistimin e Serbisë në ato rrethana. Duhet patur po ashtu parasysh që Serbia në këtë kohë ishte shumë më e vogël me territor dhe popullsi. Në përbërje të saj nuk ishte Bosnja, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Vojvodina. Në Serbi po ashtu pas Luftërave Ballanike ishin të okupuar bullgarët në Maqedoni si dhe boshnjakët në Sanxhak. Serbia përbëhej nga një numër prej më pak se 3 milion serbë që brenda shtetit të Serbisë kishin afër 1 milion shqiptarë dhe që me bashkimin me pjesën tjetër të Shqipërisë, popullsia e këtij unioni të Shqipërisë me Serbinë do të përbëhej me popullatë që do të ishte gjysma shqiptare dhe gjysma tjetër serbe. Prandaj dhe do të ishte absurde të besohej se serbët do të mundeshin t’i mbanin të okupuar shqiptarët në një situatë të tillë dhe me një ushtri të shkatërruar nga lufta. A thua Parlamenti i Serbisë do të aprovonte një marrëveshje të tillë për aleancë mes Shqipërisë dhe Serbisë në ato rrethana? Kjo është shumë e pabesueshme. Qeveria e Serbisë vetëm tentonte që të ekzistonte dhe prandaj përpiqej që të shfrytëzonte Shqipërinë dhe të afrohej me qeverinë e saj, për ta përgatitur terrenin në rast se do të duhej që të tërhiqej ushtria e saj e thyer nga lufta nëpërmjet territorit të shqiptarëve. Esati vetëm sa i shfrytëzonte ata që të siguronte pushtetin e tij, afrimin e Shqipërisë me Anglinë dhe Francën, si dhe të komplikonte situatën me qëllim për të parandaluar implementimin e traktatit për zhbërjen e Shqipërisë (mes Italisë dhe Antantës) dhe okupimin e saj nga Italia. Po ashtu ai tentonte të komplikonte situatën reale në terren, pasi Greqia kishte okupuar Shqipërinë Jugore me mbështetjen e Anglisë, ndërsa Italia (që kishte okupuar Vlorën) apo Franca nuk e ndihmonin financiarisht qeverinë e tij, pasi kishin plane tjera për Shqipërinë. Më e rëndësishmja është që me këtë marrëveshje, Shqipëria fitoi mbështetjen e një shteti fqinj për deligjitimimin e Princ Vidit, pasi parashihej që Esat Pasha të zgjidhej në krye të Shqipërisë.Në aspekt juridik ky “traktat” me Serbinë mund të interpretohet me fjalën e urtë popullore: Tava në zjarr, peshku në det. Kjo është dhe arsyeja se pse Kryeministri i Serbisë, edhe pse negocionte me Esatin, nuk firmosi në asnjërën marrëveshje, por që në vend të tij dërgonte përfaqësues të qeverisë serbe që ta nënshkruanin atë. Duhet patur parasysh që Esat Pasha jo vetëm që ishte edhe një diplomat dhe që i dinte të gjitha intrigat diplomatike, por ai këshillohej me diplomatët më të lartë botërorë, gjerësisht me diplomatët apo ish diplomatët e Perandorisë Osmane, që ishin kryesisht shqiptarë. Kjo situatë hipotetike e përshkruar në marrëveshje, u dëshmua vetëm pas 4 muajsh se ishte e parealizueshme, pasi ushtria e Serbisë bashkë me kryeministrin dhe mbretin e saj ikën në Greqi nëpërmjet Shqipërisë për të shpëtuar kokën. Por Esati u largua nga Shqipëria pasi nuk kishte forcë të mbronte atë nga okupimi i Austro-Hungarisë; mirëpo para se të largohej në emër të qeverisë së Shqipërisë ai i shpalli luftë Austro-Hungarisë. Pas kësaj, ai nuk ndejti duarkryq duke pritur përfundimin e luftës. Duke parë rrezikun se shumë faktorë politikë në Shqipëri u lidhën me okupatorin Austro-Hungarez dhe me këtë veprim të tyre rrezikohej që pas luftës në rast të fitimit të Antantës të konsideroheshin shqiptarët si kolaboratorë të Boshtit Qendror, ai e dha atë çka dinte më mirë dhe për çka Evropa e çmonte më shumë. Ajo ishte aftësia e tij ushtarake, për të udhëhequr luftë. Fakti që Esat Pasha e njihte territorin e Maqedonisë shumë mirë, pasi kishte vepruar aty, në dallim nga gjeneralët francezë, e bëri atë figurën udhëheqëse ushtarake dhe vendimtare të përpilimit të strategjisë së betejës së Frontit të Maqedonisë; e që përfundoi me fitore të plotë. Për këtë pozicionim diplomatiko-ushtarak të Esat Pashës, më shkurt 1916 shkruan dhe njohësi i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare Fan Noli: “Ay i cili lëfton sot për Shqipëri të lirë, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës, është Esat Pashë Toptani![…] Esat Pasha pra po lëfton për Shqipërinë, posa që u bashkua me Fuqitë të cilat zotohen për lirinë dhe tërësin e saj. Shqiptarët që u bashkuan me austriakët, gjermanët dhe bullgarët nuk dinë pse lëftojnë,…(Fan Noli “Vepra 2” faq. 434. Tiranë 1988). Pikërisht dhe në përmbajtjen e memorandumit që i dërgon Noli presidentit Vilson në vitin 1918, përmendet pjesëmarrja në luftë e shumë ushtarëve shqiptarë në anën e Antantës dhe lavdërohen për civilizimin që treguan shqiptarët me trajtimin e ushtrisë së thyer serbe që ikte nëpërmjet Shqipërisë; edhe për shkak të këtyre veprimeve kërkonte që të njihej pavarësia e Shqipërisë.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.