Nga Prof.Dr. Hasan Çipuri
Fatos DACI ,autori i shquar dibran, publicisti, shkrimtari dhe historiani Fatos Daci, botoi librin e tij më të ri të titulluar “Skënderbeu i vërtetë”, një libër me vlera të jashtëzakonshme për historinë tonë mbarëkombëtare.
Ky autor paraqitet para publikut shqiptar me këtë vepër të madhe, pasi gjatë 10 vjetëve të fundit ka botuar 11 vepra të tjera letrare e historike, përfshirë veprën madhore “Enciklopedia e Dibrës”, në vitin 2006, duke botuar në të njëjtën periudhë tri gazeta “Dibra”, “Zëri i Lirë” e “Trojet Shqiptare” dhe duke shkruar intensivisht artikuj në më shumë se 12 organe të tjera publicistike të vendit tonë.
Kjo veprimtari kaq e frytshme letrare e shkencore e z.Fatos Daci është për t’u admiruar dhe lipset vlerësuar siç duhet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, nga Akademia e Shkencave, nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dhe nga e gjithë shoqëria shqiptare, veçanërisht ajo dibrane.
Në librin “Skënderbeu i vërtetë” shkrimtari Fatos Daci mbron me mençuri, atdhetarizëm dhe guxim e burrëri një nga figurat më të mëdha e më të shquara në të gjithë historinë e popullit shqiptar, madje në shkallë botërore, që është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilin në planin ndërkombëtar, Evropa e quan shpëtimtarin e saj nga thonjtë e Perandorisë Osmane, ndërsa Krishterimi e quan shpëtimtar të tij nga Islamizmi. Ashtu, siç shkruan dhe vetë autori, për një çerek shekulli Ai qe mburoja e Perëndimit kundër sulmit brutal të Lindjes, e cila synonte të thyente tabu të kufijve shtetërorë, fetarë e ideologjikë të të dy kontinenteve.
Shkrimtari e historiani Fatos Daci iu ndërmor studimit dhe realizmit të kësaj vepre dinjitoze, duke mos duruar dot falsifikimet monstruoze të disa autorëve të huaj, por sidomos atyre vendas lidhur me origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut të Madh, të cilit i “nxjerrin” kështu tri origjina tepër absurde.
Pastaj, me këtë rast, u kundërvihet edhe disa autorëve të huaj, sidomos këtij të fundit, zviceranit Oliver Jens Schmitt, me librin e tij “Skënderbeu”, i cili, tërthorazi e denigron figurën e madhe të Skënderbeut, si dhe të servilëve të tij shqiptarë, që e mbrojtën me zjarr në disa gazeta e televizione shqiptare në vitin e kaluar, duke u rreshtuar në anën e të huajve, pa vlerësuar dëmin që i bëhej figurës së Skënderbeut. Sidomos kjo u duk qartë në intervistën e Schmitt-it.
Për të sqaruar dhe argumentuar të vërtetën mbi origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut, autori ka përmendur në libër mbi 28 studiues të huaj dhe mbi 40 historianë e studiues shqiptarë nga më të spikaturit, duke filluar që nga Marin Barleti e Gjon Muzaka, te Fan Noli, Naim Frashëri, Marin Serdari, Dhimitër Frengu, e deri tek Aleks Buda, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Mustafa Kruja, Injac Zamput, Kasem Biçoku, Luan Maltezi, Shahin Leka etj. Gjatë hulumtimit të burimeve të nevojshme, autori ka pasqyruar 110 referenca të shënuara sipas çështjeve të renditura në libër.
[Skenderbeu i Vertete] Libri “Skënderbeu i vërtetë”, ose e thënë ndryshe e vërteta për origjinën, vendlindjen dhe datëlindjen e Skënderbeut, ka një vëllim prej 250 faqesh. Ai fillon me pjesën hyrëse, ku autori shkurtimisht paraqet figurën e madhërishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në plan kombëtar e ndërkombëtar dhe meritat e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Evropën. Ky libër u promovua me datë 21 mars 2009 në sallën e Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në prani të qindra pjesëmarrësve.
Pasi pasqyron të gjithë studiuesit dhe historianët më të shquar të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar me respekt të madh për figurën e Heroit tonë Kombëtar, autori numëron tre autorë vendas, të cilët paraqitën tri origjina për Skënderbeun, gjë që s’mund të ndodh kurrë në botë.
Atëherë autori thotë me të drejtë se “arma” e së vërtetës është analiza historike! Kush bën analizën historike ka zgjidhur dilemat rreth figurës madhështore të Skënderbeut.
Dhe pas kësaj, autori, fillon përmbajtjen e librit me krerë. Në kreun e parë, që emërtohet “Polemika”, ai i kundërvihet me argumente të padiskutueshme autorit të librit “Tedeli i Kastriotëve është Hasi” me kapitujt :” Skënderbeu, Heroi Kombëtar, nuk mund të privatizohet lehtë”, “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër”, “Sajesat nuk përcaktojnë origjinën e Gjergj Kastriotit”.
Pas tij u kundërvihet autorëve matjanë me çështjet: “ Rreth “shakave” matjane për origjinën e Gjergj Kastriotit”, “Jo thjeshtë resto”, “Edhe shakatë duhen marrë seriozisht”, “Ka toponime e toponime”, “Gjon Kastrioti shkoi nga Dibra në Mat dhe shtroi edhe Matin”, “Kufijtë dhe çeshtja “Stelush”, “Si e “harruat “ Ballabanin?!”, “Ja që edhe betejat nuk janë zhvilluar në Mat...por, janë zhvilluar në Dibër” , “Rreth Aemathias”, “Po, ku lindi Heroi?” , “ Përçartjet e Ferit Këputës”, “Skënderbeu dhe Kastriotët nuk kanë asnjë lidhje të veçantë me Matin”.etj.
Së treti autori i kundërvihet autorit Fehmi Kaloshi me çështjet: “Me përralla e andrralla nuk bëhet historia e Skënderbeut” dhe “Kaloshët kanë origjinën e tyre, e cila nuk ka asnjë lidhje të veçantë me Kastriotët”
Debatet mbi librin e Schmitt-it për Skënderbeun, të zhvilluara kohët e fundit në medie janë në kapitujt e mëposhtëm të librit:” Skënderbeu nuk mund të tjetërsohet; Realiteti i dhimbshëm shqiptar”, “Skënderbeu është realitet historik”, “Kush ishte Skënderbeu”, “Skënderbeu u kthye në shtëpinë e tij”, “Betejat e Skënderbeut në Dibër”, “Skënderbeu dhe Dibranët luftuan për Shqipërinë”, “Skënderbeu ka marrë vlerësimet e merituara”, “Simbioza e shoqërisë pa standarde”, “E vërteta dhe të pavërtetat e Schmitt”.
Më pas, në libër, vjen kreu i dytë i titulluar “Përfundime”, i cili ka këto kapituj: “ E vërteta historike dhe realiteti te filmi artistik me ngjyra “Skënderbeu”, “Edhe Mazrekët janë në Dibër”, “Barleti asnjëherë nuk ka thënë e nuk ka shkruar se Kastriotët janë nga Mati”, “Toponimia vërteton lidhjet e vetme të origjinës së Kastriotëve në Dibër”, “Hasi i Kastriotëve është në Çidhën të Dibrës”, “Ç’thotë trashëgimia dibrane për origjinën e Kastriotëve dhe të Skënderbeut”, “Origjina e Kastriotëve është zyrtarizuar nga Akademia e Shkencave e RSH, në vitin 1985”, “Gjergj Kastrioti lindi në Dibër, më 6 maj 1405”, “Skënderbeu vdiq më 1466”, “Rreshtohuni përkrah shqiptarëve, zotërinj të medies”.
Në pjesën përmbyllëse (Epilogu), autori me të drejtë thotë se nuk e ka pasur aspak të lehtë të arrijë në idetë dhe përfundimet kushtuar kësaj figure madhore, më përfaqësuese të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Por është krejtësisht i qetë se atë që ka bërë e ka bërë me seriozitetin maksimal të mundshëm, pa bërë asnjë përpjekje për manipulim apo abuzim me të vërtetën historike, pa deformuar e pa anashkaluar rezultatet që kanë arritur të tjerët para tij, pa i rënë askujt “në qafë” për idetë dhe mendimet që ka shfaqur publikisht deri më sot.
Vlerat e këtij libri ia rrit më shumë edhe fakti që autori e ka shkruar librin me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme, të kuptueshme e bindëse. Autori, analizën dhe faktin historik nuk i ka veshur me letrarizma dhe komente mërzitëse. Edhe pse ka debatuar me disa autorë e historianë, në një kohë kur bindjet e tij janë standarde dhe të njëjta për të gjitha çështjet, ka ditur të shmangë përsëritjen, gjithnjë është shfaqur origjinal dhe racional, natyrshëm. Gjithashtu, autori ka ditur t’i largohet emocionit dhe komentit të panevojshëm. Në asnjë rast nuk ka rënë në amulli e pështjellime dhe as në euforizëm e egoizëm. Ndërkohë, autori ka përdorur të gjithë mjetet stilistike publicistike dhe figurat letrare më të goditura, si një mjeshtër i vërtetë i fjalës së shkruar, me një përvojë të gjatë. Të gjithë këto elemente e bëjnë këtë libër një botim të mirëfilltë shkencor me shumë vlera, që botohet në kohën e mënyrën e duhur, për figurën më përfaqësuese të shqiptarëve në të gjithë kohërat.
Unë e përgëzoj autorin e këtij libri të madh shkencor në interes të mbrojtjes me mençuri e guxim të figurës më madhore mbarëkombëtare të të gjithë kohërave, Gj.K. Skënderbeut dhe i uroj shëndet e mbarësi për vepra të tjera të mëdha edhe në të ardhmen.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.