e shtunë, 20 gusht 2011

Të shpëtojmë gjuhën shqipe

Nga Fatos DACI
Publicist, historian 

Është koha për të dhënë kushtrimin për mbrojtje qytetare e ligjore të gjuhës shqipe. Shqipja nuk po lëngon nga mungesa e rregullave drejtshkrimore, por nga moszbatimi i tyre.



Është ende i njohur një lloj debati për rishikuar ose për të mos rishikuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Gjuhëtarët dhe historianët janë ndarë në dysh. Madje njëra palë u mbledh kohë më parë në një mbledhje të posaçme me mendimin për ta rishikuar Kongresin e Drejtshkrimit dhe për të revizionuar rregullat e tij drejtshkrimorë. Por, me shumë keqardhje, vërejmë se gjuha shqipe nuk lëngon nga mungesa e rregullave drejtshkrimore, por nga mos zbatimi i këtyre rregullave, nga gjymtimi i përditshëm që po i bëhen kësaj gjuhe kaq të bukur e të ëmbël, e cila nuk ka shoqe tjetër. Si gjymtohet dhe nga kush po gjymtohet?
Deri në vitin 1972, kur më 20 deri më 25 nëntor u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, shqipja nuk ishte e njësuar, nuk ishte e unifikuar në të gjithë territorin shqipfolës e as në territorin e shtetit shqiptar. Deri në këtë kohë përdoreshin në mënyrë krejt të zakonshme si e folmja dhe e shkruara në gegërisht, si e folmja dhe e shkruara në toskërisht. Secili përdorte atë gjuhë që e kishte të nënës. Shteti kishte qëndruar si asnjanës në përdorimin e një shqipeje të njësuar në të folur dhe në të shkruar. Pranoheshin të dy variantet njëherësh dhe secili variant përdorej edhe zyrtarisht.
Zogu bëri një përpjekje për të shqipëruar emrat e fshatrave dhe të krahinave. Për këtë qëllim ai ngriti komisione në çdo prefekturë e qark dhe pasi u krye studimi dhe u dha mendimi shkencor bëri një ligj të posaçëm që, mjerisht, nuk u zbatua asnjëherë. Nuk u zbatua gjatë regjimit të Zogut, se ai i pati ditët e numëruara. Por askush nuk di përse as sot prej askujt nuk po bëhen përpjekje të tilla, më qëllim që këtë gjë të bërë mirë e të lënë në udhë asokohe, ta kthejnë në ligj e normë juridike.
Ndërsa, me Kongresin e Drejtshkrimit mori fund anarkia në përdorimin e përditshëm dhe zyrtar të shqipes. Shqipja u njësua dhe u unifikua për të gjithë shqipfolësit. Përdorimi i kësaj shqipeje të njësuar u bë normë ligjore në shkolla, në institucione zyrtare, në shtypin e kohës, në radio e televizione, në botime etj.; kudo ku përdorej gjuha shqipe. Kështu, zbatimi i këtyre normave drejtshkrimore u bë normë juridike. Ndërkohë, edhe anarkia në vendosjen e emrave të sapolindurve mori fund me një vendim shtetëror, ku të interesuarit dhe zyrat e gjendjes civile ishin të detyruar t’u vinin të sapolindurve emra burimor ilir, duke shmangur në këtë mënyrë emrat me prejardhje nga gjuhë të huaja. As kjo tani nuk zbatohet askund, por edhe të gjithë emrat e mëparshëm me prejardhje ilire janë kthyer në emra grekësh, italianësh, gjermanësh e amerikanësh me vendime të posaçme gjyqësore. Ja sa larg shkon marrëzia vetëm shqiptare! Si duket, një pjese të shqipfolësve, sot u interesojnë vetëm gjëra çasti, para e turp bashkë, e jo vlerat kombëtare, ndër të cilat gjuha shqipe është themeltarja.
Nëse në këto rregulla drejtshkrimore mbizotëroi e folmja dhe e shkruara toskërisht, nëse këto rregulla duhen rishikuar, kjo është një çështje tjetër. Nëse duhet të mbizotëroj e folmja dhe e shkruara gegërisht, edhe kjo është një çështje me të cilën duhet të merren shkencëtarët e gjuhës, të cilët janë ngërthyer me tituj e grada, si askush. Nëse me prishjen e kufijve dhe të raporteve ideologjikë e politikë kanë ndryshuar raportet demografike dhe a duhen marrë në vlerësim këto raporte dhe në favor të cilit komunitet shkojnë, dhe kjo le të jetë çështje e gjuhëtarëve. A është tejngopur gjuha shqipe e shkruar nga “ë”-të vend e pa vend dhe mes të fjalës, le ta gjykojnë gjuhëtarët tanë. Ajo që na shqetëson është fakti i njohur nga të gjithë se shqipes sonë nuk i mungojnë rregullat standarde të të folmes dhe të shkruarit, por mungon vullneti qytetar e institucional për t’i zbatuar këto rregulla.
Gjuha shqipe në këto njëzet vjet është gjymtuar, dhunuar e masakruar aq rëndë, si në të folur dhe në të shkruar. Kur themi në të folur nuk është fjala thjeshtë e vetëm për televizionet e radiot. Këto, po se po, por dhe në të folmen e përditshme. Jo vetëm fëmijët e emigrantëve po mësojnë si gjuhë nëne gjuhën e vendeve, ku jetojnë sot, por edhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri përbëjnë një çudi, deri në marrëzi, në përdorimin vend e pa vend të fjalëve të huaja, si për të treguar se kush jemi e se kushedi çfarë dimë. Në të gjithë mjediset publike, në familje e jashtë saj, dëgjon kaq rëndom fjalët “okej” në vend të fjalës “në rregull” , “yes” në vend të fjalës “po”, “ciao” në vend të fjalës “mirupafshim” etj. Si këto, dhe shumë të tjera, janë futur në mënyra parazitare si huazime në të folmen e shqiptarit, ndërkohë që të gjithë kombet dhe shtetet e tjera flasin vetëm gjuhën e tyre zyrtare, të cilën e ruajnë me fanatizmin më të madh të mundshëm. Kush ka dëgjuar që ata të flasin në shqipen tonë? Askush nuk ka si të dëgjoj, se ata nuk janë kthyer në “majmunë”, që veç dinë të imitojnë të tjerët, ata janë serioz, prandaj kanë bërë e bëjnë dhe shtet, punë e realizime serioze në të gjithë fushat.
Keqpërdoruesi më i madh i gjuhës shqipe është shteti me strukturat e tij. Është me të vërtetë torturuese të lexosh një dokument apo një shkresë zyrtare të hartuar e shkruar në çdo zyrë apo institucion shtetëror. Të gjithë letrat shkruhen pa zbatuar normat më elementare drejtshkrimore, letrare e shkencore; tejmbushjen fund e krye me fjalë të huaja vetëm të dëgjuara, që s’ua dinë as kuptimin ata që i përdorin, por që i përdorin vend e pa vend. Në asnjërën prej tyre nuk përdoret zanorja “ë”, por në vend të saj përdoret zanorja “e”, nuk përdoret bashkëtingëllorja “ç” , por “c”.
Kjo është mënyra e parë. Mënyra e dytë është ajo e tjetërsimit të shqipes sonë me gjuhë të huaja nga shtetarët tanë, qofshin dhe më të lartët e këtij vendi, të cilët, duke shkelur hapur protokollet zyrtare, edhe pse pas kurrizit të tyre kanë flamurin kombëtar shqiptar, flasin në gjuhë të huaja, si në konferenca shtypi, në deklarata, në bisedime ndërshtetërore etj. Dhe, më e keqja është këtë e quajnë si gjënë më të mirë që bëjnë, madje dhe gufosen, se kushedi çfarë bënë. A nuk e shohin me sytë e tyre e nuk dëgjojnë me veshët e tyre se asnjë udhëheqës apo shtetar i lartë i vendeve të tjera nuk flet në gjuhën shqipe?Po këta pse e ndërrojnë, apo e nënvlerësojnë, aq lehtë gjuhën e nënës së tyre?!
Institucioni i parë zyrtar që duhet të mbrojë gjuhën shqipe është Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Por, si mund ta ruaj e ta forcoi gjuhën e pastër shqipe kjo ministri, kur fjalori zyrtar i saj është mbytur egërsisht nga fjalë të vjedhura nga gjuhët e huaja. Këto fjalë përdoren përditë në mënyrë zyrtare dhe kanë zëvendësuar fjalët e bukura të shqipes. Ja disa prej tyre:”Curricula” , “Extra curricula”,” Module”, “claster” etj., kur shumë mirë mund të përdoren në vend të tyre fjalët shqipe “programe”, “jashtëshkollore” ose “jashtëprogramore” , “modele”, “hartë mendimesh” etj.
Gjuhën e bukur shqipe po e gjymtojnë politika dhe politikanët. Dhe kjo ndodh në takime me qytetarët e votuesit, në parlament e jashtë tij, në mbledhja e aktivitete partiake etj. Vërtetë si mish i huaj janë futur në shqipen tonë të pastër e të mirë fjalët” “maxhorancë”, kur shumë mirë mund të përdoret fjala “shumicë”; “minorancë”, kur shumë mirë mund të përdoret fjalë “ pakicë”; “përformancë”, kur shumë mirë mund të përdoren fjalët shqipe “formë” ose “paraqitje”; “votim nominal” kur mund të thuhet e të shkruhet fare lehtë në shqip “votim një nga një”, “suport” kur mund të përdoret fjala “mbështetje”, “kaos” kur mund të përdoret fjala shqipe “rrëmujë”.
Si përdoruesit më të këqij të gjuhës shqipe sot paraqiten gazetarët e radiove, televizioneve dhe gazetave, si dhe autorët e librave të ndryshëm, të cilët në vend të fjalës së ëmbël shqipe, të saj fjale që e kanë dëgjuar veshët e tyre për herë të parë dhe e kanë shqiptuar buzët e tyre po për herë të parë, përdorin pa asnjë kriter fjalë të huaja, huazime e barbarizma, që s’kanë asnjë lidhje as me ilirishten e as me shqipen. Këto gazeta e gazetarë pëlqejnë të përdorin fjalët e huaja si një tentativë për të bërë interesantin a të diturin, ashtu si dhe politikanët e shtetarët. Jo vetëm që ka në vendin tonë dhe gazeta e televizione që as emrin nuk e kanë në shqip, por ka dhe prej atyre që nuk tregojnë interesin më të vogël për të përdorur drejt e me vend fjalën e bukur shqipe. Kushdo dëgjues e lexues ka dëgjuar e ka parë se sa fjalë të huaja janë futur si molës a si glasa pule në fjalorin e përditshëm të shkruar e të folur të këtyre operatorëve. Le të rreshtojmë disa të tilla: “Supliment”, “event”, “eveniment”, “show” etj.në vend që të përdorin fjalët shqipe “shtesë” apo “shtojcë”, “ngjarje” ose “ndodhi”, “shfaqje” etj.
Vetëm sot, duke shfletuar gazetat e përditshme, pamë se sa shumë fjalë të huaja janë futur në vend të fjalëve shqipe në faqe e tyre, madje dhe në titujt e mëdhenj të gazetave, në tituj normal, në mbi tituj, në nëntituj etj. Të tilla fjalë mund të rreshtojmë: “ambjent”, “ aplikim”, “aplikant” ‘emergjente”., “negociata”, “evakuim”, “filial”, “alokim”, “implementim”, “inaugurim”, “draft”, “set”, “evolutiv”, “doping”, “kontestim”, “prioritet”, “axhendë”, “kapitali human”, “probalitet”, “menaxhuese”, “lider”, “heterogjene”, “’kryqëzatë”, “taskë force”,”asimilim”, ‘staf”, “akse rrugore”, “investigim”; kur shumë mirë e shumë lehtë mund të përdoren respektivisht fjalët shqipe: “ “mjedis”, “kërkesë”, “kërkues”, “urgjente” ose “me ngut”, “ bisedime”, “largim”, “degë”, “lëvrim”, “zbatim”, “përurim”, “program” ose ”plan”, “pjesë” “ndryshues”, “drogë”, “kundërshtim”, “përparësi”, “kapital njerëzor“, “qëndrueshmëri”, “drejtuese” ose ”organizuese”, “udhëheqës”, “ndryshme”, “furtunë” “forca speciale”, “përvetësim” , “grup pune”, “rrugë” ose “degëzime rruge”, “hetim” etj. dhe këto keqpërdorime të fjalës shqipe janë nxjerr vetëm për një ditë pa hetuar tekstet e artikujve. E shihni se ç’po ndodh me gjuhën tonë!
Shqiptari nuk e ndjen vetën si në Shqipëri as në Kryeqytet e as në qytetet e tjera. Ai përditë po përballet me një trysni të jashtëzakonshme të gjuhëve të huaja, të cilët veç stresit të zakonshëm po i shkaktojnë një lloj terrorizmi. Të gjitha reklamat janë shkruar në gjuhën e huaj, se të tilla janë emrat e firmave e të bizneseve, fatkeqësisht të miratuara dhe të regjistruara edhe në gjykata e nuk bëhet fjalë thjeshtë për reklama të shkruara në gjuhë shqipe e të përshtatura njëkohësisht edhe në gjuhë angleze, apo në gjuhë të huaja. Të gjithë e shohim për ditë këtë gjendje skandaloze e askush nuk ngre zërin, aq më keq askush nuk ndërhynë për ta ndryshuar këtë mjedis shqiptar, mbytës për shqiptarin. Këtu nuk është fjala as për ksenofobi e as për fobi, nuk mbivlerësojmë e as nuk nënvlerësojmë gjuhën e vlerat e të tjerëve, por kërkojmë që komunikimi i përditshëm dhe zyrtar të bëhet në shqip, se jemi shqiptar dhe jetojmë në Shqipëri. Edhe Maqedonia, e sapodalë shtet më vete nga ish Jugosllavia, më 1995, brenda natës i ndryshoi të gjithë reklamat me një ndërhyrje ligjore dhe ato i ktheu në gjuhë maqedonase. Shembull shumë i mirë është edhe Kosova, ku të gjitha reklamat janë shkruar në gjuhën shqipe të pastër e burimore. Po ne, që aq shumë na pëlqen të themi se duhet të bëjmë si bota, në këtë rast përse vlerat tona të mëdha nuk ruajmë si bota?
Nisur vetëm nga këto konstatime, mendojmë që ka ardhur koha për të dhënë kushtrimin atdhetar në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të pastërtisë saj. Kjo luftë patriotike nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin qytetar. Kjo po, por duhet të ndërhyjë shteti me mekanizmat e tij, duhet të bëjë ligje për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe pa droje gjymtimi dhe keqpërdorimi i gjuhës shqipe duhet të mbrohet dhe me ligj dhe sipas rastit të konsiderohet vepër penale, jo vetëm të konsiderohet kundërvajtje administrative. Duhet të ngrihet urgjentisht një institucion shtetëror që të mbrojë ligjërisht gjuhën shqipe, që të kontrolloi pa ndërprerje gjatë 24 orëve gazetat, televizionet, radiot, shtëpitë botuese, zyrat e shtetit se si e ruajnë ose e dhunojnë gjuhën tonë shqipe dhe t’i ndëshkojnë dhunuesit e saj pa mëshirë. Vetëm kështu do të shpëtoj shqipja jonë e dashur, shqipja jonë e nënës, e cila nuk vuan për mungesë rregullash, por për mungesë të vullnetit për t’i zbatuar rregullat e normat, tashmë të vendosura.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.