e enjte, 19 maj 2011

Europa vetëm një hap larg


Dott. mag Alban Daci*


Makiaveli shkruante shumë kohë më parë, se të themelohej demokracia moderne, si më poshtë: “Nuk mund të quhet virtyt” shkruan tek Princi “të vrasësh qytetarin, të tradhtosh mikun, të jesh pa besim, pa mëshirë, pa fe; këto janë mënyra për të marrë perandorinë, por jo lavdinë.”
            Në këto zgjedhjet lokale, qytetarët shqiptarët treguan një kulturë të lartë politike dhe një dëshirë të madhe për demokraci. Ishim mësuar që shqiptarët t’i shikonim në radhë për të marrë një biletë avioni, për të kaluar në doganën e një vendi europian, për të marrë bukë, për të legalizuar dokumente në një institucion të shtetit tonë, por nuk kishim parë kurrë më parë që shqiptarët të qëndronin me orë të tëra në radhë për votuar.
            Si një qytetar i thjeshtë, si një intelektual i ri, pashë me sytë e mi shumë të mëshuar që nuk largoheshin nga qendra e votimit dhe që donin të votonin me çdo kusht. Dëgjova shumë të rinj, të cilët shpreheshin, se: “ nëse është e nevojshme do të qëndrojmë deri në mëngjes për votuar, sepse ky është i vetmi akt nga ku varet e ardhmja jonë”.
            Qytetarët shqiptarët, e kanë kuptuar më në fund se vota është i vetmi akt, ku ato ndjehen drejtpërdrejtë qytetarë të lirë për të bërë demokracinë e përbashkët. Flitej se do të kishte trazira gjatë ditës së votimit, por të gjitha parashikimet dashakeqëse të kësaj natyre dështuan, sepse qytetarët shqiptarë, si asnjëherë tjetër, treguan një pjekuri politike, një sensibilizim të madh demokratik dhe dëshirën për të pasur në dorën e tyre dhe të akujt tjetër fatet e së ardhmes.         
            Qytetari e shprehu vullnetin e tij përmes votës, ashtu siç ndodh në çdo demokraci perëndimore, por për fat të keq disa persona dhe klane të veshur me kostumin politik, dëshirojnë të mos e njohin votën e qytetarit, duke e quajtur të pavlefshme. Në çdo vend të botës demokratike, kutia e votimit është vetëm një simbol i shprehjes së vullnetit të qytetarit, por nuk mund ta ndaloj dhe as nuk mund ta mohoj “të drejtën e votës”, që përbën shtyllën kryesore të demokraci dhe të lirisë së individit.
            Askush, qoftë edhe i veshur me kostumin e politikës dhe të pushtetit, nuk mund të mos numëroj votën e qytetarit, ose ta mohoj krejtësisht atë, vetëm për faktin se qytetari mund të ketë ngatërruar kutinë. Pra, kutia është thjeshtë një prej simboleve të shprehjes së vullnetit të popullit. Të mos harrojmë, se më parë ka pasur votim me ngritje dore, me pohim me gojë, me gjest, e kështu me radhë.  Ajo që kam vënë re unë është fakti, se një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kanë qenë të informuar mirë në lidhje me aktin e votimit. Gjithashtu, në disa qendra votimi nuk ka pasur edhe persona, të cilët do të t’i ndihmonit qytetarët për të mos ngatërruar kutinë, ku do të futej fleta e votimit.
            Çdo votë e çdo qytetari, që është e vlefshme, dhe që nuk mund të konsiderohet e pa rregullt, nuk mund të mos numërohet vetëm me faktin se është ngatërruar kutia. Vota shpreh vullnetin e qytetarit, zgjedhjet shprehin vullnetin e shumë qytetarëve, që quhet sovrani, dhe asnjë ligj i një vend demokratik nuk mund të dal mbi këtë vullnet, kur ky është demokratik, legjitim dhe i lirë. Pastaj, asnjë person qoftë edhe i veshur me kostumin e politikës nuk duhet të ketë frikë nga vota e qytetarit, sepse kjo e fundit është e vetmja mënyrë që legjitimon edhe pushtetin e tyre, që jo rrallë herë e përdorin, duke abuzuar mbi interesat e përbashkëta të qytetarëve.
            Sot një grup personash, ose klane të veshur me pushtetit e deleguar nga populli, tentuan të hyjnë me dhunë në KQZ për të mohuar dhe dhunuar pikërisht pushtetin e popullit, të sovranit, votën e lirë. Makiaveli shkruan: “Nuk është e mira e veçantë, por e mira e përbashkët ajo që i bën qytetet e mëdha...Nëse princat (sot liderët politikë) janë më superior se popujt për të bërë ligjet dhe për të organizuar jetën civile, popujt janë edhe më superior për të mbajtur këto ligje në rregull. 
            Ka më shumë se tre muaj që klane të caktuara të politikës shqiptare që po tentojnë të ndërtojnë “qytete të mëdha”, ku të mbizotërojnë ligjet e tyre dhe interesat e tyre. Ndërsa, qytetarët (populli) shqiptarë nuk po i dëgjojnë dhe nuk po i ndjekin mbrapa këto klane në realizimin e këtyre qëllimeve që u përkasin më shumë të interesave të veçanta, sesa  të interesave të përbashkëta. Shembulli më i mirë, është dita e sotme, kur disa qytetarë dhe klane të veshur me kostumin e politikës tentuan të ndërtonin një qytetet të madh, ku të mbizotërojnë vetëm ligjet dhe interesat e tyre personale. Qytetarët shqiptarë, me ndjesi të madhe kolektive dhe demokratike, nuk i lejuan dhe nuk i ndoqën në rrugën pa kryer dhe jo demokratike që dëshiruan t’i çonin.
            Presidenti i Komision Europian z. Barroso, anuloi vizitën që kishte planifikuar të bënte të premten në Tiranë për shkak të injorimit që politika shqiptare u ka bërë mesazheve të dërguara nga Perëndimi. Dhe këtë gjë e deklaroi publikisht zëdhënësja e tij. Kjo ndodhi për shkak se disa politikanë, ose persona të veshur me kostumin e politikës dhe të pushtetit po tentojnë me çdo kusht të marrin pushtetin, duke përdhosur edhe votën e qytetarit.
            Kjo do të ishte një padrejtësi e madhe dhe një tentativë për të shuar shpresën për demokraci të mijëra qytetarëve shqiptarë të cilët qëndruan me orë të gjata në radhë për të votuar, duke kryer një detyrë sa demokratike, aq edhe morale. Zoti Barroso duhej të vinte të premten në Tiranë dhe të jepte një mesazh shprese për shqiptarët, të cilët treguan një kulturë të lartë demokratike. Gjithashtu, ai duhej të vinte në Tiranë që t’u jepte një mesazh të fortë të gjithë atyre personave dhe klaneve, të cilët, për shkak të interesave individuale dhe të veçanta, janë të gatshëm të mohojnë dhe të hedhin poshtë votën e qytetarit, simbolin e demokracisë.
            Me votën e tetë majit, qytetarët shqiptarë e shprehën, në formë krejt demokratike dhe të lirë, vullnetin e tyre. Politika, nëse dëshiron të veproi dhe të ec mbi bazat e një demokracie perëndimore nuk duhet të bëj gjë tjetër veçse të respektoj vullnetin e çdo qytetari të shprehur përmes votës dhe preferencës së tij. Shqiptarët treguan se janë europian, se jo vetëm e duan demokracinë, por edhe se e njohin mirë atë. Ata e kanë kuptuar se vota është një akt sa politik, aq edhe social, nga ku varet e ardhmja e secilit dhe e të gjithëve së bashku.
             Me tetë maj shqiptarët i treguan Botës dhe Europës se ato janë vetëm një hap larg familjes së Bashkimit Europian. Ato treguan një pjekuri të rrallë politike duke votuar në qetësi në respekt të plotë me parimet e pranueshme demokratike. Tashmë shqiptarët nuk mund t’i ndalojë asnjë person, apo grup personash, që janë të veshur me kostumin e politikës që t’i afrohen Europës së Bashkuar. Bashkimi Europian, për ne shqiptarët, një ëndërr shekullore, që tashmë u bë realitet me zgjedhjet e tetë majit.
            Qytetarët me datë tetë maji morën në dorën fatin e tyre dhe tashmë nuk duhet ta lejojnë që të përfundoi në duart e personave që vetëm me demokracinë dhe Bashkimin Europian nuk kanë asgjë të përbashkët. Demokracia nuk bëhet me dhunë, ajo bëhet me votën e lirë të shprehur nga çdo qytetar. Qytetarët e kanë dhënë vullnetin e tyre, ai duhet të respektohet dhe të numërohet sipas parimeve demokratike të pranuara. 


*Është autor i librit “Europa dhe shqiptarët”

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.