e premte, 10 qershor 2011

DREJT THEMELIMIT TË SHTETIT PALESTINEZ

DREJT THEMELIMIT TË SHTETIT PALESTINEZ

Autor: Prof. Dr. Ramazan Gözen

Në botë mbretëron një konsensus në lidhje me zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar izraelito-palestinez, por bota është e ndarë për sa i takon mënyrës dhe fazave të zgjidhjes.

Problemi izraelito-palestinez, që është edhe problemi më jetëgjatë në Lindjen e Mesme duket se ka mbetur në plan të dytë në një kohë kur në rajon vazhdojnë me shpejtësi kryengritjet dhe ndryshimet e regjimeve. E ndërsa e gjithë bota po ndjek zhvillimet në Tunizi, Egjipt, Libi, Bahrejn, Jemen dhe Siri, neglizhon ngjarjet në Gazë dhe Bregun Perëndimor. Më e rëndësishmja është se kohët e fundit nuk vëmë re në procesin që zhvillohet në drejtim të themelimit të shtetit palestinez.

Presidenti i SHBA, Barak Obama deklaroi se një shtet palestinez mund të krijohet brenda kufijve të vitit 1967, ndërsa sugjeroi se duhet gjetur një zgjidhje, ku shteti i Izraelit dhe ai i Palestinës të jetojnë pranë njëri-tjetrit; gjithashtu sugjeroi një formulë që do të garantonte sigurinë e Izraelit dhe pandashmërinë e Palestinës. Menjëherë pas kësaj Kryeministri i Izraelit, Netanjahu shkoi me nxitim në Uashington dhe u mundua të ndryshojë mendimin e Obamës. Në një fjalim që mbajti në Kongresin amerikan ai bëri të ditur se Izraeli nuk do të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në vitin 1967. Por lajmet dhe komentet e publikuara në mediat izraelite dhe amerikane thonë se Netanjahu nuk arriti të bindë askënd. Për shembull ish-presidenti i SHBA, Jimmy Carter në artikullin e tij të botuar më 26 maj 2011 në gazetën “International Herald Tribune” shkruante se është e nevojshme themelimi i një shteti të Palestinës brenda kufijve të vitit 1967.

Në anën tjetër palestinezët filluan përgatitjet për shpalljen e Shtetit të Palestinës. Janë duke u bërë përgatitjet për shpalljen zyrtarisht të shtetit palestinez në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2011. Në këtë drejtim mori vendim edhe Liga Arabe në një mbledhje që u mbajt më 29 maj 2011 në Doha. Sipas vendimit të Ligës Arabe, do të përkrahet shpallja e një shteti palestinez të formuar nga Gaza dhe Bregu Perëndimor me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe anëtarësimi i këtij shteti në Kombet e Bashkuara. Një zhvillim tjetër paralel me këtë është edhe përgatitja e një flotileje me pjesëmarrje të gjerë që do të niset nga Turqia për në Gazë, sikurse vitin e kaluar.

Nuk ka dyshim se në krye të problemeve më jetëgjatë dhe të komlpikuar të politikës së Lindjes së Mesme dhe madje të të gjithë botës renditet konflikti izraelito-palestinez. Ky konflikt ka një numër të madh arsyesh dhe shpjegimesh. Në lidhje me këtë problem janë shkruar me mijëra libra ose artikuj. Shkaku kryesor i këtij konflikti, nëse do të shpreheshim thjesht duke pasur parasysh të gjitha pikëpamjet e kësaj literature, është mos-themelimi i një shteti palestinez. Është mungesa e një shteti të pavarur, sovran, të nderuar, real dhe të qëndrueshëm në territoret që zotërojnë ose duhet ti zotërojnë palestinezët.

Dhe kjo ka dy arsye themelore. E para dhe më e rëndësishmja mbajtja të pushtuara që nga viti 167 e këtej i territoreve palestineze, territore të cilat sipas rezolutës nr.181 të Kombeve të Bashkuara të vitit 1947 u takojnë palestinezëve. Këto territore të përbëra përafërsisht prej Gazës, Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit, jo vetëm që mbahen të pushtuara, por janë hapur në mënyrë ilegale për vendbanim (kolonizim) nga qeveria izraelite. Palestinezët, pronarët e këtyre tokave ose janë internuar ose mbahen nëpër burgjet e Izraelit. Për të themeluar një shtet palestinez është e nevojshme që Izraeli të tërhiqet, pra të kthehet në kufijtë para vitit 1967. Por, Izraeli me vite refuzon të bëjë një gjë të tillë.

Arsyeja e dytë e mos-themelimit të shtetit të Palestinës janë edhe problemet e brendshme të palestinezëve. Palestinezët me vite të tëra janë të ndarë në dysh edhe si popull, edhe si vend. Grupet radikale të udhëhequra nga Hamasi janë vendosur në Gazë, kurse në anën tjetër në Bregun Perëndimor është vendosur grupi i Al Fatahut, që sot udhëhiqet nga lideri Mahmud Abbas. Hamasi dhe Al Fatahu nuk ndahen vetëm si territor, por kanë edhe mosmarrëveshje në çështje kryesore, siç është njohja e Izraelit.

Megjithëse në botë mbretëron një konsensus mbi zgjidhjen e këtij problemi që vazhdon me dhjetëra vite, ekzistojnë edhe dallime të thella për mënyrën dhe fazat e arritjes së kësaj zgjidhjeje. Procesi paqësor izraelito-palestinez, që vazhdon prej marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 1993, parashikon themelimin e shtetit të Palestinës. Formula e shprehur kohët e fundit gërnjë zgjidhje me “Dy shtete” përkrahet nga e gjithë bota, me në krye udhëheqjen e SHBA, por që fatkeqësisht nuk realizohet.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe dinazmi drejt shtetit të Palestinës krijuan një atmosferë që të bënë të mendosh se këtë herë kjo formulë do të zbatohet. Pothuajse jemi duke iu afruar me shpejtësi themelimit të shtetit të Palestinës. Por që ky proces të përfundojë me sukses ka ende punë për tu bërë. Fillimisht në këtë proces duhet që të bindet shteti i Izraelit ose me fjalë ose duke i bërë presion, nëse do të jetë e nevojshme. Në krye të shteteve që do ta bëjnë këtë janë SHBA dhe vendet tjera perëndimore. Ose duhet të krijohet një presion botëror i një niveli që do të kishte ndikim mbi Izraelin. Në të njëjtën kohë është e nevojshme që palestinezët dhe vendet që i përkrahin ata të jenë të fortë, efektivë dhe të bëjnë përpjekje në mënyrë të vazhdueshme si dhe që Hamasi dhe Al Fatahu të jenë një trup i vetëm.

Njëra prej vendeve që mundohet të jetë efektive në dy çështjet është Turqia. Në të vërtetë, në thelbin e politikës së Turqisë ndaj çështjes izraelito-palestineze vitet e fundit qëndron konkretisht ky qëllim. Turqia siguroi marrëveshjen mes Hamasit dhe Al Fatahut dhe bëri përpjekje që vendet arabe të veprojnë së bashku në çështjen e themelimit të shtetit të Palestinës. Në anën tjetër, Turqia po punon në drejtim të themelimit të shtetit të Palestinës duke rritur presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit. Si shembull i presionit që Turqia ka ngritur mbi Izraelin mund të vlerësohen shumë ngjarje, duke filluar nga kriza e njohur si “One minute” e deri tek kriza e anijes “Mavi Marmara”. Unë mendoj se ky presion është pritur me mirëkuptim nga e tërë bota, kryesisht nga udhëheqja e SHBA, pavarësisht se ka ngjallur reagimin e Izraelit. Sepse përpjekjet e Turqisë për themelimin e një shteti të Palestinës kontribuojnë në zgjidhjen paqësore dhe të qëndrueshme të problemit izraelito-palestinez. Në qoftë se ky problem do të zgjidhet, atëherë ai do të ketë një kontribut të pashoqë në paqen botërore.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.