e enjte, 28 qershor 2012

Partitë e vogla në mozaikun e politikës shqiptare

 Alban Daci 

Në të gjitha sistemet politike, ka parti të cilat cilësohen të mëdha për shkak të përfaqësimit që arrijnë të kenë në pushtetin legjislativ, por edhe për shkak të koalicioneve qeverisëse që arrijnë të realizojnë për të marrë pjesë në nivelet e ndryshme të ekzekutivit. Gjithashtu, në sistemet demokratike, e drejta për të krijuar subjekte politike, të cilat janë në respektim dhe reflektim të ligjeve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare është e garantuar. Nisur nga kjo, në shumë vende, të cilët në të kaluarën kanë pasur mungesë pluralizmi politik, me ta fituar atë kanë krijuar lloj-lloj subjektesh politike, që herë lidhen me të kaluarat ideologjike dhe doktrinore të historisë politike e ndonjëherë krijohen me filozofi krejt të reja politike. Shqipëria për një periudhë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e gjatë e pluralizimit politik. Për këtë arsye kultura demokratike dhe tradita e partive tradicionale politike u zbehen si në jetën e përditshme politike në vend ashtu edhe në kuptimin e zhvillimit të filozofive të reja politike. Situata e pluralizmit politik u zgjidh me rënien e regjimit politik komunist, i cili për nga forma dhe funksionimi i tij, ndoshta mund të konsiderohet si sui generis në Rajon. Kështu, me të rënë regjimi dhe me t’u aprovuar pluralizmi politik, u krijuan shumë parti, disa prej të cilave kishin ekzistuar para se regjimi te vinte në pushtet dhe disa të tjera u krijuar duke kopjuar në pamje të parë atë të partive perëndimore. U krijuan parti si: Partia Republikane, Partia Demokratike, u bë transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste, Partia Legaliste, e shumë të tjera. Sot Shqipëria pa frikë mund të themi se ka një numër të jashtëzakonshëm partisë, sa mund të krijojnë teorinë, dhjetë shqiptarë= një parti politike. Lind pyetja a i bëjnë mirë shoqërisë dhe demokracisë gjithë këto parti të krijuara. Në pamje të parë patjetër po, se në teori shoqërinë e pasurojnë në alternativa dhe vizione të ndryshme. Në praktikë kam dyshimet e mia. Pse? Shumë parti në Shqipëri nuk janë krijuar për të sjellë ndryshime të mëdha sociale që lidhen me përfaqësinë reale të qytetarëve. Shumë anëtarë të partive të reja që janë krijuar sot, vijnë si drejtues të rëndësishëm të dy partive të mëdha, disa nga PD e disa të tjerë nga PS. Madje disa nga këto drejtues të partive të reja, kanë qenë jo vetëm përfaqësues të lartë të dy partive të mëdha, por kanë pasur edhe poste të rëndësishme drejtuese në institucionet e ekzekutivëve të krijuar ndër vite. Nga, kjo del qartë se shumë prej tyre, kanë krijuar parti të reja, jo sepse kishin me të vërtetë filozofi të reja politike në lidhjet me zhvillimet dhe reformat në vend. Nuk i kanë krijuar as duke u nisur nga dëshira se qytetarët meritojnë më shumë. Ata, i kanë krijuar këto parti (herë parti familjare e herë parti me një anëtarë e një kryetar) thjeshtë, sepse interesat e tyre dhe karriera e tyre për shkak të rrethanave kishte mbaruar në partitë e origjinës. Pra, aktiviteti i tyre politike nuk lidhet me interesat reale të qytetarëve për më shumë demokraci, por për qejfet dhe egoizmat e tyre personale për pushtet. Po ndiqja sot drejtpërdrejt tryezën e rrumbullakët të partive të vogla në lidhje me reformën zgjedhore. Të gjithë dukeshin qesharak. Një pjesë e mirë e tyre ishin ish PD, një pjesë tjetër ish PS, të cilët tashmë e kanë kuptuar fundin e karrierës së tyre politike dhe thjeshtë përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të krijojnë një imazh pozitiv, që tashmë prej vitesh e kanë humbur, ose ndoshta nuk e kanë pasur asnjëherë. Arsye tjetër e qesharakllikut të tyre është fakti, se disa prej tyre kanë 20 vjet që janë në krye të partive të tyre. Nuk kam dëgjuar që të kenë bërë kongrese, apo të kenë bërë zgjedhje apo ndryshime në lidershipet e tyre. Atëherë, është qesharake që këto persona me imazh të konsumuar në 20 vite të kërkojnë demokraci dhe ndryshime në vend, kur në të vërtetë ato nuk e zbatojnë demokracinë as në organizimin e brendshëm të partive që përfaqësojnë. Në këtë tryezë mungonte Aleanca Kuq e Zi. Pse? Së pari Aleanca Kuq e Zi, është parti që nuk rrjedh nga filozofitë e vjetra të doktrinave politike shqiptare. Ajo, nuk është një zgjatje apo një përjashtim i dështuar nga dy partitë e mëdha të vjetra. Aleanca Kuq e Zi, nuk bën pjesë as tek filozofia balliste, as tek ajo legaliste, as tek ajo komuniste, as tek ajo pseudo-demokratike, apo tek partitë familjare. Aleanca Kuq e Zi është Lëvizja e madhe mbarëkombëtare, e cila lind me baza identitare demokratike, me orientim krejtësisht patriotik-demokratik, dhe më përfaqësim mbarëkombëtar. Aleanca Kuq e Zi, ka thithur në gjirin e saj elektoratin e vërtetë shqiptar, i cili pa dyshim përbën shumicën, por që u përjashtuar me pa të drejtë në 20 vite tranzicion. Partitë e vogla aktuale, edhe ato të mëdha që shpejt do të jenë shumë të vogla përballë Aleancës Kuq e Zi, kanë frikë nga forca e madhe elektorale që ka kjo e fundit. Ato e dinë shumë mirë, se për shkak të politikave antikombëtare e anti-qytetare që kanë praktikuar në vitet e tranzicionit e kanë humbur tashmë besimin e shqiptarit të ndershëm që mendon dhe punon me zell për vendin e tij. Aleanca Kuq e Zi, është tashmë një realitet i qartë dhe shume i prekshëm politik. Ajo po rritet nga kontrata e sinqertë dhe dashamirëse që ka realizuar me qytetarin dhe përmes pazareve të turpshme siç kanë bërë partitë e vjetra të tranzicionit. Së dyti, edhe pse nuk ka shumë që është krijuar si parti, Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj pjesë tek partitë e vogla. Kjo duke i nisur si nga fakti i përfaqësimit mbarëkombëtar, ashtu edhe për nga numri i të anëtarësuarve. Për këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk konsiderohet një parti e vogël dhe nuk mund të marr pjesë në një tryezë të organizuar nga këto parti. Së treti, filozofia e Aleancës Kuq e Zi është krejt e ndryshme dhe bie ndesh si me partitë e vogla ashtu edhe me dy partitë e mëdha të vjetra. Aleanca Kuq e Zi, ka parim të rëndësishëm limitimin e mandatave. Nisur nga kjo, Aleanca Kuq e Zi nuk mund të ulet në një tryezë, ku kryetarët e atyre partive kanë mbi 20 vjet që mbajnë postin e kryetarit, pa respektuar asnjëherë rotacionin demokratik. Së treti, Aleanca Kuq e Zi ka objektiv të madh, real, Bashkimin Kombëtar. Për këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të ulet në tryezë me parti, të cilat, jo vetëm, nuk e kanë këtë kauzë, por pashkak të kaluarave të tyre, jo rrallë herë janë bërë hapur pengesa që Bashkimi Kombëtar të realizohet. Së katërti, Aleanca Kuq e Zi, ka si filozofi të rëndësishme reformimin e gjithë sistemit politik. Nëse nuk reformohet ky sistem, atëherë vendi do të vazhdojë të lundrojë në ujërat e tranzicionit politik, ekonomik e social. Përsa kohë do të kemi një sistem të vjetër politik, i cili si në filozofi ashtu edhe në terren mendon dhe punon për interesa të ngushta dhe jo për interesat gjithëpërfshirëse të qytetarëve, vendi do të vazhdojë të jetë një dele e zezë, i pa integruar në strukturat e BE, i pa bashkuar dhe me probleme të mëdha ekonomike e sociale. Për Aleancën Kuq e Zi, partitë e vogla apo të mëdha të sistemit të vjetër politik shqiptar, përfaqësojnë tashmë të kaluarën dhe për rrjedhojë nuk mund të jenë më as protagonist e as aktor të rëndësishme për të bërë procese e reforma të mëdha në shërbim të shqiptarëve e Shqipërisë. Ato, i patët të gjitha mundësitë gjatë gjithë tranzicionit, por nuk bënë asgjë, sepse ishin të kapur pas interesave të ngushta klanore. Aleanca Kuq e Zi, kërkon një reformë zgjedhore që nuk diskriminon asnjë subjekt politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kenë shanse të barabarta në garën elektorale. Gjithashtu, duhet të bëhet kujdes që fondet e buxhetit shtetëror të mos përdoret nga koalicioni në pushtet për të bere fushatë elektorale në shërbim të interesave të tyre politike. Duhet të marr fund përdorimi i parave publike për interesa të subjekteve të caktuara politike. Kodi aktual zgjedhor, nuk nxjerrë në pah cilësitë e kandidatëve. Parimi i demokracisë në Greqinë e Lashtë, ishte të zgjidhen me të mirët për të qeverisur sa më mirë në interesin e të gjithëve. Sot, sipas këtij kodi, mund të bëhet deputet edhe një “antikapat”, që nuk din as të shkruaj e as të flasë, por mjafton të jetë në numrat e parë të listave të partive të mëdha. Pra, sipas këtij kodi zgjedhor, nuk kemi një konkurrencë shumë dimensionale demokratike, ashtu siç duhet të ndodh në të vërtetë, por kemi fasada demokratike me fizionomi të brendshme krejt anti-demokratike. Kandidatët nuk paraqiten para zgjedhësve për t’u zgjedhur, por ato thjeshtë delegohen dhe emërohen në të njëjtën kohë. Ka ardhur momenti të bëhet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që ngjall konkurrencën e ndershme demokratike. Gjithashtu, problem tjetër i madh në Shqipëri gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ka qenë fakti, se vota e qytetarit nuk ka shkuar atje ku ai ka vendosur, por ku kanë vendosur subjektet politike ta vendosin. Është koha, që edhe Shqipëria të ketë numërimin elektronik të votës, i cili nuk duhet të menaxhohet nga asnjë subjekt politik shqiptar. Garant të këtij procesi duhet të jenë institucionet ah hoc të BE si dhe organizmave të tjerë perëndimor që kanë një eksperiencë të gjatë e të suksesshme në këtë fushë. Nëse nuk realizohet reforma zgjedhore, Shqipëria do të vazhdojë e dëshpëruar të lundrojë ndoshta pa afat në ujërat e tranzicionit politik, ekonomik e social.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.