Pas Ferizajt edhe në Kaçanik fitoi PDK-ja. Në asnjërën nga këto dy komuna nuk
u kontestua rezultati përfundimtar, ndonëse ankesat nuk munguan nga partitë
tjera që ishin në garën zgjedhore.
Nga rezultati i zgjedhjeve në Ferizaj, do të duhej një reflektim i vetë opozitës,
duke analizuar shumë seriozisht arsyet që prodhuan humbje dhe të bëheshin
ndryshime e assesi të vazhdohej me të njëjtat metoda, sepse metodat e njëjta
prodhojnë edhe rezultate të njëjta. Kaçaniku duhet të jetë leksikoni i fundit për
opozitën për ndryshime strategjike.
Të gjithë e kemi të njohur arsyen e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme
të këtyre dy komunave. Fitorja e përsëritshme e PDK-së në këto dy komuna,
për mua hap një dilemë të madhe, dilemën se a dimë të reflektojmë si shoqëri
për proceset politike dhe shoqërore. Përgjigjja, bazuar në rezultatin e këtyre
zgjedhjeve, del JO! Nuk dimë dhe për fat të keq kemi shumë deficit në të
menduarin dhe të vepruarin tonë si shoqëri për shumë fenomene që po ndodhin
në mesin tonë.
Këto fenomene që po vazhdojnë të jetojnë me ne dhe të mbijetojnë nga ne, janë
shumë të rrezikshme për të ardhmen tonë politike dhe zhvillimin e shoqërisë
sonë.
Domosdoshmëria e reflektimit karshi proceseve politike dhe shoqërore është
jetike për zhvillimin e demokracisë dhe kulturës politike. Kjo që ndodhi në këto
dy komuna nuk duhet parë thjesht si një garë të cilën e fitoi më i miri, por duhet
parë dhe analizuar nga të gjitha aspektet, si: politik, sociologjik, psikologjik,
social etj.
Në të gjitha shoqëritë njëmend demokratike, Partia Demokratike e Kosovës
do të duhej të dënohej politikisht për qëndrimin që ka mbajtur e po mban për
njerëzit e veshur me pushtet që e kanë shkelur me të dy këmbët ligjin. Dhe këta
njerëz nuk janë të pakët. Shikuar nga prizmi i ngushtë partiak dhe interesat e
klaneve ekonomike dhe politike, kjo fitore është, siç e tha edhe vetë kreu i PDK-
së, barometri matës i skenës politike në vend. Në fakt kjo gjë nuk është dhe nuk
mundet të interpretohet në këtë mënyrë, do të thosha manipulative dhe mafioze.
Si në Ferizaj ashtu edhe në Kaçanik, Qeveria me tërë kapacitetet e saja u vu në
mbështetje të kandidatëve të PDK-së, pra të kandidatëve të vetë Kryeministrit
Thaçi.
Ajo që për mua është shumë brengosëse në gjithë këtë histori, ka të bëj me
proceset demokratike dhe të vetë shtetit ligjor.
Të gjithë e dimë dhe e kemi të njohur se si funksionon demokracia dhe
transparenca brenda partive tona politike, sidomos të këtyre që e kanë qejf të
quhen “të mëdha”.
Kishim dhe po vazhdojmë të kemi parti ku liderët vendosin për gjithçka,
ndërkohë që organet partiake janë sa për dekor dhe përmbushje e demokracisë
në dukje për konsum të publikut.
Në dritën e këtyre zhvillimeve duhet të shtrohet edhe një pyetje tjetër. Kush
duhet të ndryshoj, ne apo partitë politike?
Partitë politike e kanë dëshmuar dhe po vazhdojnë ta dëshmojnë se nuk e kanë
aspak ndërmend të ndryshojnë. Me rezultatin e zgjedhjeve në këto dy komuna
edhe elektorati po tregon se nuk ka ndryshuar dhe se tendenca për ndryshim nuk
duket gjëkundi.
Çka paraqet kjo për shoqërinë dhe zhvillimin e saj? Kjo tregon se jemi një
krizë të thellë politike dhe në një plogështi të rëndë shpirtërore, sociale dhe
ekonomike.
Ata që në të vërtetë do të duhej të merren me analiza të drejta, nuk po e bëjnë
një gjë të tillë, sepse në një mënyrë apo tjetër janë të varur nga politika. Guximi
i tyre për të vepruar dhe menduar karshi fenomeneve të shumta politike, matet
me prapanicën e tyre. Sa herë u rrezikohet ajo, ata bëhen të urtë dhe bëhen zëri i
qeveritarëve, duke e shkelur identitetin e tyre njerëzor dhe intelektual.
E vetmja mundësi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve për të mirë është kritika
e argumentuar dhe e shëndosh përbrenda të gjitha partive politike nga vet
anëtarësia, duke u munduar që ndryshimi të ndodh qoftë edhe me presione të
ndryshme pozitive.
Duhet ta kuptojmë nëse nuk e kemi kuptuar deri tani se partitë ekzistojnë për
ne dhe jo ne për parti. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do t’i sjellë asgjë të re
as Ferizajt e as Kaçanikut, përveçse do ta rrisë diktaturën dhe tallava-politikën
e deritanishme të Hashim Thaçit. Krekosja e tij do të vazhdoj duke na thënë
se ekipet e mira nuk ndryshohen. Kjo për përditshmërinë dhe jetën tonë do
të thotë vazhdim i kriminalitetit, skamjes, papunësisë, nepotizmit, haraçit,
mungesës së ujit, mungesës së dritave, mungesës së cilësisë në arsim, mungesës
së shëndetësisë minimale, dhe mungesës së shpresës se do të bëhet mirë!
Kur njerëzit mbetën pa shpresa, ata s’janë gjë tjetër përveçse kufoma të gjalla
mbi tokë. Kam frikën se kjo shoqëri është pajtuar me mjerimin e shkaktuar nga
kjo Qeveri.
Duhet thuhet shumë drejtpërdrejt se në të gjithë këtë proces, karshi problemeve
që na rrethojnë nga të gjitha anët, ankesat nuk janë zgjidhje, por veprimet.
Vetëm kur reflektojmë drejt dhe qartazi në mënyrë shumë aktive, do ta
ndryshojmë të ardhmen tonë politike dhe ekonomike.
Pasiviteti karshi të ardhmes politike, lirisë sonë individuale dhe kolektive duhet
zëvendësuar me të qenit aktiv. Kjo sepse liria nuk është dhe nuk do të duhej
perceptohej vetëm si heqje e kërbaçit pushtues ndaj nesh. Liria është shumë më
gjithëpërfshirëse se sa kaq.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.