e martë, 26 korrik 2011

POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË NË VITET 92-97, MARRË NGA LIBRI "SHQIPËRIA NË TRAZICION" I ELEZ BIBERAJ

POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË NË VITET 92-97, MARRË NGA LIBRI "SHQIPËRIA NË TRAZICION" I ELEZ BIBERAJ

Politika e jashtme dhe çështja kombëtare.

Pasi kishte qenë pothuajse gjithmonë e lënë mënjanë nga politika europiane, Shqipëria e Sali Berishës ndoqi tre objektiva në fushën e politikës së jashtme : Të zgjeronte ndërveprimin me fuqitë Perëndimore për të ushtruar sigurinë vendit dhe për të mos lënë që lufta e pavarësisë që kishte shpërthyer në Jugosllavi të kalonte territoret e banuara nga Shqiptarët; Të kërkonte ndihmë ekonomike ndërkombëtare për zbatimin e reformave rrënjësore; Të arrinte me anën e bisedimeve me vendet fqinje një modus vivendi, që në të njëjtën kohë të mbronte edhe të drejtat e shqiptareve në këto vende.



Problemet e sigurisë dhe reformat në ushtri.

Me gjithë përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe gjithë ndërrimin e regjimit, Shqipëria e vogël dhe e dobët përballej me një problem sigurimi : me rrezikun që i vinte nga fqinjët që në të kaluarën kishin përlarë territore të gjera të banuara në mënyrë kompakte nga shqiptarët dhe që vazhdonin të mbanin qëndrime të paqarta lidhur me ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur. Shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë e ndryshoi në mënyrë dramatike panoramën politike të Ballkanit duke krijuar probleme të tjera për Politikë e Jashtme të Tiranës. E rrahur nga dallgët e presioneve nga fqinjët e Jugut dhe të Veriut, Shqipëria u gjet në vorbullën e stuhisë ballkanike. Si shtet në vijën e frontit dhe me një pozitë gjeopolitike shumë të vështire, Shqipëria ishte në rrezik të vazhdueshëm të një konfrontimi ushtarak të drejtpërdrejtë me Serbinë në të cilën ka dy milion shqiptarë.

Duke mos pasur aftësi ushtarake të mjaftueshme për të trembur agresionin serb, Shqipëria kërkoi mbrojtje në aleanca të një sigurimi më të gjerë duke vendosur lidhje të ngushta me USA, Turqinë dhe shtetet anëtare të tjera të Nato-s. Në dhjetor 1995, Shqipëria qe i pari vend ish anëtar i traktatit të Varshavës që kërkoi të anëtarësohej në Nato. Në shkurt 1994 Berisha shkoi në Bruksel për të nënshkruar personalisht pranimin e Shqipërisë për të marre pjesë në Programin e Partnershipit për Paqen të Natos (PPN). Në janar 1995 u nënshkrua një marrëveshje e veçantë bashkëpunimi me Naton në bazë të programit të PPN. Ndonëse programi nuk përfshin ndonjë angazhim sigurimi, Berisha deklaroi se në rast lufte me Jugosllavinë “ne do të mbështetemi në Nato dhe USA”. Ai theksonte se forcimi i lidhjeve dhe me tej integrimi në strukturat ushtarake Perëndimore ishin mundësitë më të mira të sigurimit të Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë, Berisha nënvizonte rëndësinë e modernizimit te ushtrisë shqiptare. Forcat e armatosura u ristrukturuan duke kaluar nga struktura e divizionit në atë të korpusit dhe qindra oficerë u dërguan për shkollim në USA, Turqi, Gjermani, France, dhe vende të tjera anëtare të Nato-s. Shqiptarët adoptuan një doktrine të re ushtarake të hartuar me ndihmën e këshilltarëve ushtarake perëndimore. Kjo doktrine theksonte funksionet mbrojtëse të ushtrisë dhe shikonte përdorimin e forcës ushtarake si një nga anët e strategjisë së sigurimit kombëtar të Shqipërisë.
Ajo theksonte se Shqipëria nuk shikonte asnjë shtet si armik ushtarak nuk kishte pretendime tokësore ndaj shteteve të tjera dhe ishte kundër ndryshimit të kufijve me dhune.
Doktrina e re ushtarake e titulluar “ Politika e sigurimit dhe mbrojtës së Republikës së Shqipërisë” u paraqit zyrtarisht në gusht të 1995. Megjithatë udhëheqësit shqiptarë e pohonin realitetin se forcat e armatosura nuk ishin në gjendje të trembnin asnjë kundërshtar të mundshëm pa le të prapsin një agresion të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër u bënë përpjekje për të modernizuar ushtrinë po blerja e armëve të reja moderne ishin sipër mundësive financiare të Shqipërisë.

Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në strategjinë e Nato-s për parandalimin e përhapjes së konfliktit në Jugosllavi duke vënë portet dhe aeroportet e veta në dispozicion të Nato-s. Forcat detare te Shqipërisë bashkëpunonin ngushtë me flotën e Gjashtë të USA dhe me forcat e tjera të Natos. Louis Bouvard kryetar i asamblesë së Atlantikut të Veriut i forumit të Nato-s dhe të ish vendeve anëtare të paktit të Varshavës e quante Shqipërinë “partnere besnike të Nato-s.” Në mbledhjen e qershorit të Nato-s dhe të katërmbëdhjetë vendeve anëtare të PNN, ministri i mbrojtjes Safet Zhulali përsëriti ofertën e Shqipërisë për të vënë portet dhe aeroportet e veta në dispozicion të Natos për misionet e saj paqeruajtëse në ish Jugosllavi. Në këtë kontekst udhëheqësit shqiptarë vazhdonin t’u rikujtonin partnerëve Perëndimore se synimi i fundit i vendit të bëhej anëtarësimi i plotë në Nato.

Duke ditur se vendi i tyre nuk i ishte në listën e anëtarësimit afatshkurtër në Nato shqiptarë zgjeruan marrëdhëniet ushtarake dypalëshe me USA, Turqinë, Gjermaninë për të përballuar problemet e ngutshme të sigurimit të vendit. Shqipëria nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Turqinë, Gjermaninë, Italinë dhe Francën. Këto marrëveshje parashikonin shkollimin e oficerëve shqiptarë, shkëmbimin e programeve, manovra të përbashkëta dhe ndihmë për ushtrinë shqiptare. Marrëveshje ushtarake dypalëshe u nënshkruan edhe me Bullgarinë dhe me Maqedoninë. Në mars-prill të 1996 Shqipëria ishte vendi që u zhvillua mbledhja e ministrave te Mbrojtjes të rajonit që kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe të sigurimit në Ballkan. Në këtë mbledhje morën pjesë ministrat e mbrojtjes së Bullgarisë, Maqedonisë, Turqisë, Italisë si dhe sekretari amerikan i mbrojtjes William Perry. Në fjalën e mirëseardhjes Berisha bëri thirrje “për një vizion të ri të sigurimit dhe të mirëkuptimit në Ballkan” Dhe ne korrik 1996 në Shqipëri u zhvilluan në shkallë të gjerë manovra ushtarake me emërtimin, “Shqiponja paqësore 96”. Sipas një vëzhgimi të angjensisë së informacionit të Shteteve të Bashkuara populli shqiptar mbështeste me vendosmëri pjesëmarrjen në PPN për paqen dhe kishte më shumë dëshirë të hynte në Nato sesa shumica e popujve të tjerë të Europës Lindore. 84% e shqiptarëve ishin për anëtarësim të plot në aleancën ushtarake Perëndimore dhe 70% për vendosjen e trupave të Nato-s në Shqipëri.


Marrëdhëniet me USA.

Që në fillim të qeverisjes së Berishës kishte shumë shenja të qarta se politika e jashtme e Shqipërisë anonte shume nga SHBA, të cilat kishin mbështetur shumë demokratizimin e Shqipërisë. Në fillim të viteve 90 nuk kishte ndoshta vend në Europë në të cilin të kishte kaq shumë simpati për SHBA se sa në Shqipëri. Kjo u duk në qershor të 1991 gjatë vizitës së sekretarit të Shtetit të SHBA, James Backer. Gjatë viteve 1991 dhe 1992 ambasadori i SHBA William Rayerson dhe z/kryetari i misionit Chris Hill luajtën një rol vendimtar në inkurajimin e procesit demokratik në Shqipëri duke ushtruar presion të dukshëm dhe të ndjeshëm ndaj komunistëve që procesi i tranzicionit të zhvillohej në mënyrë paqësore dhe pa pengesa.

Me të marre pushtetin demokratët bënë çmos për të vendosur lidhje të forta me SHBA. Ndër udhëtimet e para te Berishës në SHBA si president ishte vizita që i bëri në Shtëpinë e Bardhë në qershor të 1992 për të biseduar me Presidentin Bush. Qëllimi i Berishës ishte të siguronte mbështetjen e SHBA për zbatimin e reformave rrënjësore politike dhe ekonomike dhe për të parandaluar shtrirjen e luftës në Kosove. Berisha theksonte se Shqipëria ishte vend mik dhe aleat që mund të shërbente për realizimin e interesave të rëndësishme të SHBA në Ballkan. Dhe vërtet të dy vendet vendosen lidhje të gjera politike dhe ushtarake. Shqipëria arriti të luante një rol shumë të rëndësishëm në strategjinë e përgjithshme të Shteteve te Bashkuara që përpiqeshin të përmbanin konfliktin në Jugosllavi dhe të krijonin një atmosferë paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit. Midis 1992-1996 SHBA kishin dhënë me shume se 200 milionë usd amerikane për të plotësuar nevojat humanitare të Shqipërisë për të ndihmuar transformimin e saj politik dhe ekonomik.

Qëndrimin pro-amerikan të Berishës e sulmonin zëdhënësit e PS të cilët thoshin se Berisha ishte më optimist nga ç’duhej, kur përpiqej për vendosjen e marrëdhënieve të ngushta me SHBA duke e bërë vendin e tij peng të interesave amerikane në Ballkan. Deklaratat e PS dëshmonin se ajo vazhdonte të shikonte me qellim dyshimet e SHBA ndaj Shqipërisë dhe se kërkonte që Shqipëria të mbështetej më shume tek Italia, e cila gjatë fushatës elektorale zgjedhore të 1992 kishte përkrahur vendosmërisht ish komunistët. Temë që përsëritej shpesh në analizat që të Majtët i bënin politikës se jashtme ishte, se Italia e jo SHBA ishte “aleate e natyrshme” e Shqipërisë. Vizitës së Berishës në Uashington në 1992 mediat komuniste u përgjigjen me sulme përherë e më të ashpra kundër SHBA. Artikuj të njëpasnjëshëm të në të përditshmen socialiste “Zëri I Popullit” përmbanin një varg ankesash lidhur me ndihmën e paketës të SHBA, që të rikujtonin reagimin e socialistëve ndaj vizitës së Bekerit në 1991. “Gjashtë milionë dollar për tre milionë shqiptarë” Berishën e akuzonin se u jepte tepër rëndësi marrëdhënieve të Tiranës me Uashingtonin në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila duhej të kishte lidhje të ngushta me Europën. Sidomos socialistët ishin kundër zhvillimit të marrëdhënieve ushtarake midis Shqipërisë dhe SHBA dhe paralajmëronin se këto marrëveshje do të kishin pasoja të rënda negative për interesat e sigurimit të Shqipërisë.

Megjithatë ata që ishin kundër marrëdhënieve të ngushta me SHBA nuk ushtruan ndonjë ndikim në politikën e jashtme të Berishës. Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Uashingtonit u bënë dhe më të ngushta me administratën e Presidentit Clinton. Në tetor 1993 SHBA dhe Shqipëria nënshkruan një memorandum ushtarak. Këshilltarët ushtarakë amerikane qëndronin pranë shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Shqiptare, kurse shumë oficerë shqiptarë shkolloheshin në SHBA.

Ndërkaq zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes theksonin rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë për qëndrueshmërinë në Ballkan. Gjatë vizitës që bëri në 1994 në Tiranë sekretari i mbrojtjes William Perry lavdëroi Shqipërinë për rolin e saj konstruktiv në ndalimin e përhapjes së luftës nga Bosnja në Kosove, Perry shprehu përkrahjen e fortë të SHBA për pavarësinë dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma. Forca amerikane dhe shqiptare zhvilluan manovra të përbashkëta ushtarake në Shqipëri. Në korrik 1995 Shtetet e Bashkuara dërguan 2 avionë spiunë të tipit Predator në Gjader për të zhvilluar misione zbulimi mbi Bosnje duke mbledhur për paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara të dhëna zbulimi me rreze infratkuqe dhe të dhëna të tjera për veprimtarinë ushtarake në këtë zonë. Rreth njëqind ushtarakë dhe civilë amerikane kishin shkuar në Shqipëri për të telekomanduar avionët pa pilotë.

Mirëpo këto marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe u prekën keq nga grindja që lindi midis Shqipërisë dhe Greqisë. Athina dhe lobi grek në Amerike ushtruan presion të fortë mbi Shtëpinë e Bardhë për të bindur Berishën që të lironte pesë etnike greke anëtarë të shoqatës “Omonia”, të cilët ishin arrestuar dhe gjykuar për spiunazh. Berisha i qëndroi presonit te forte te amerikaneve për të liruar pesë greket. Ndonëse Uashingtoni dërgoi emisar në dy kryeqytet dhe Presidenti Clinton i bëri thirrje botërisht Greqisë që të bënte një dialog të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar me Shqipërinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe, në Tiranë ishte krijuar përshtypja se në këtë rast politika amerikane ishte ndikuar shume nga bashkësia greke në SHBA dhe se Uashingtoni mbante më fort anën e Athinës sesa të Tiranës. Zyrtarët e lartë shqiptarë vinin në dukje ironinë që SHBA, të cilat po bënin gjithë ato përpjekje për të ndihmuar vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri, tani po i kërkonin Berishës që të anashkalonte procesin dhe t’i lironte greket.

Duke mos pasur bazën e forte zgjedhore që kishte Athina në SHBA dhe duke mos qenë në gjendje të jepte një shpjegim të pranueshëm të rastit të pesë anëtarëve të “Omonias” Tirana nuk të shihte se ç’pasoja kishte këmbëngulja e saj në këtë çështje. Uashingtoni kushtëzoi vizitën që Berisha kishte planifikuar të bënte në SHBA me zgjidhjen e kënaqshme të kësaj çështje dhe pezulloi planet për krijimin e një ndërmarrje shqiptaro-amerikane me një fond prej 30 milionë USD. Ndërsa marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë sa vinin dhe bëheshin më të ndera, filloi të shtohej edhe presioni ndaj Shtëpisë së Bardhë për të zëvendësuar ambasadorin Ëilliam Rayerson të cilin e kritikonin se ishte njëjtësuar më tepër se ç’duhej me Berishën dhe se nuk kishte bërë sa s’duhej për përmisimin e gjendjes së bashkësisë greke etnike në Shqipëri. Në nëntor 1994 para se të përfundonte afati i emërimit të tij trevjeçar, Rayersoni, të cilin James Backer e kishte quajtur “funksionar i jashtëzakonshëm i shërbimit të jashtëm” u zëvendësua nga Joseph Lake, një funksionar i karrierës i shërbimit të jashtëm që kishte qenë ambasador në Mongoli dhe që nuk kishte ndonjë përvojë të mëparshme të politikës së jashtme. Para se të largohej ambasadori Ryarson mori dekoratën më të lartë të Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit”. Në ceremoninë e lamtumirës Berisha tha : “ Mbështetja e madhe e SHBA dhe interesimi direkt i Presidentit Xhorxh Bush për fitoren e demokracisë në Shqipëri, kanë qenë tejet të rëndësishme dhe kanë merituar mirënjohjen më të thellë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërësi dhe do ta gëzojnë atë përjetë. Ata kanë qenë dhe mbeten një kontribut historik në miqësinë e ngushtë që lidh dy vendet tona”
Nga ana tjetër socialistët e mirëpriten zëvendësimin e Rayersonit. Një funksionar i lartë i partisë socialiste e akuzoi Rayeronin se “kontribuoi në destabilizimin e qeverisë së fundit komuniste shqiptare dhe për gjunjëzimin e ish-komunisteve”

Pasi ne fillim te 1995 Gjykata e Kasacionit te Shqipërisë vendosi të lironte me kusht të pandehurit e ‘Omonias”, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Uashingtonit sikur ranë prapë në brazdë dhe në shtator Berishën e ftuan në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për çështje rajonale për bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë. Zëdhënësit amerikanë e quajtën takimin midis Berishës dhe Clintonit si “shumë pozitiv”. Sipas një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Clinton e vlerësoi “rolin e përgjegjshëm të Shqipërisë në rajonet e ish Jugosllavisë me popullsi të madhe shqiptare” dhe e siguroi Berishën se “Shtetet e Bashkuara mbështesin fort autonominë e popullit të Kosovës dhe do të vazhdonin të punonin në këtë drejtim”. Udhëheqësi shqiptar theksoi se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara i kishte dhënë mundësi të ritheksonte lidhjet e ngushta mes Tiranës dhe Uashingtonit dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në çështjet e rajonit të Ballkanit. Gjatë kësaj vizite Berisha bëri një vizitë në Pentagon dhe u ofroi Shteteve te Bashkuara shfrytëzimin e bazave në Shqipëri. Udhëheqësi socialist Sërvet Pellumbi u ngrit menjëherë për të kritikuar ofertën e bazave që kishte bërë Berisha duke “te papërgjegjshme”. Zyrtarët qeveritarë u përgjigjën duke i akuzuar socialistët se nuk bënin dot dallonin midis grindjeve të vogla të brendshme dhe interesave të larta kombëtare.

Berisha shprehu kënaqësi të thellë për rezultatet e vizitës, kurse shtypi pro-qeveritar e përshëndeti vizitën e Presidentit si ngritje të mëtejshme të statusit ndërkombëtar te Shqipërisë. Komentet e vizitës ishin të ndryshme, disa thoshin, se vizita ishte një plus për Shqipërinë dhe Berishës, kurse disa të tjerë e quajtën të papërfillshme. Disa gazeta si “Koha Jone” dhe “Aleanca” që i kishin dërguar disa korrespondente në Uashington i dhanë vizitës një ngjyrim tepër negativ dhe i interpretuan në mënyrë ogurzeze bisedimet e Berishës me Clintonin dhe me zyrtarët e tjerë amerikanë. Politikanët e krahut të djathtë e kritikonin Berishën se u kishte bërë tepër lëshime SHBA dhe se nuk kishte qenë shumë këmbëngulës në mbrojtjen e interesave të shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni.

Në pragun e zgjedhjeve parlamentare të majit 1996 SHBA i thanë qeverisë shqiptare që të bënte çmos që votimet të ishin të lira dhe të drejta. Pas këtyre zgjedhjeve siç do vihet re marrëdhëniet dypalëshe pësuan një ftohje mjaft të rendë, kur SHBA e quajtën të parregullt procesin elektoral. Vendet europiane, të cilat merren zakonisht me pak me te drejtat e njeriut si faktor të politikës së jashtme nuk i vazhduan më gjatë vërejtjet për zgjedhjet duke ia lënë Uashingtoni, i cili në të kaluarën kishte mbështetur me të madhe Berishën, rolin e kritikut të huaj më të ashpër.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.