Politika në vijë të përgjithshme konceptohet si aktiviteti me anë të së cilës njerëzit bëjnë, mbajnë dhe zhvillojnë rregulla të përgjithshme të ekzistencës së tyre. Si një aktivitet i qashtër social është i lidhur nga njëra anë me ekzistencën e konfliktit, diversitetit dhe debatit, ndërsa nga ana tjetër shtron nevojën ekzistenciale për bashkëpunim, bashkëveprim, dialog dhe gjetje konsensusi. Pra merr të mirëqenë natyrën njerëzore që në kushte natyrore është e prirë për konflikt, por synon zgjidhjen racionale të konflikteve pikërisht më anë të ndërtimit të atyre urave komunikimi që në shoqërinë moderne na pëlqen t`u themi institucione. Këto janë gardianët moralë, por edhe ligjorë që njeriu si ‘kafshë politike’ nëse huazonim një term aristotelian, ka sendërtuar për t`iu përgjigjur kërkesave për rregulla loje të qarta dhe mundësi pjesëmarrjeje aktive apo pasive në jetën publike. Pa një organizim të tillë të mirëfilltë, shoqëritë do ishin në rastin më të mirë anarkike (parë si mungesë organizimi vertikal), ose kaotike (pa rregulla, xhungël, ku më i forti mbijeton).
Rregullat, ligjet, institucionet, ndarja e shtetit nga pushteti dhe kontrolli i ndërsjellët, bashkë me balancimin e pushteteve garantojnë atë frymë besueshmërie dhe kushtetutshmërie pa të cilat është e pamundur që demokracitë e shoqërive të sotme, të ekzistojnë. Këto janë karakteristika që i ndajnë gjithë llojet dhe nënndarjet e këtyre demokracive funksionale, që nga ato që ndjekin një model neoliberal, deri te ato me shkallë pjesëmarrje më të gjerë si demokracitë e tipit welfare apo (neo)korporatist, ku kontrata shoqërore synon një përfaqësim me bazë të gjerë.
Vendet në zhvillim, të quajtura ndryshe dhe vende në tranzicion, ku përfshihen dhe pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimore, janë situata të cilat ofrojnë një panoramë idiosinkratike empirike, ku rasti nuk i ngjan rastit, ndonëse një vëzhguesi të jashtëm mund t`i duken se notojnë në të njëjtën moçalishte. Fjala bie, në listimin e fundit të baroneshës Ashton që i mori me rradhë vendet e këtij rajoni, diferencoi qartë Kroacinë, e cila për hir të së vërtetës, ka kohë që nuk shëmbëllen asnjë ngjashmëri me simotrat më në lindje, duke qenë se ka një zhvillim ekonomik për frymë të popullsisë edhe më të lartë nga disa vende anëtare të BE-së, si për shembull Rumania apo Bullgaria. Por edhe trendi integrues i Maqedonisë duket në rrugë të mbarë, duke ngelur e vetmja pengesë momentale çështja e emrit, të cilën duket se politikisht Gruevskit nuk i intereson ta vërë në shinat e zgjidhjes për efekte të kalkulimit politik. Pra BE-ja mirëpret hapjen e procedurave për anëtarësim të këtij vendi në momentin e parë që do vihet re një gatishmëri për zgjidhjen e një çështjeje që kërkon vetëm minimumin e sforcos politike dhe që do arrijë në momentin që do i leverdisë politikisht drejtuesve të vendit, i përkthyer si gjest në vota elektorale.
Mal i Zi duket gjithashtu në rrugë mjaft të mbarë me vetëm shtatë fusha/rekomandime të cilat duhet të adresojë në mënyrë më të plotë në të ardhmen e afërt për të hapur negociatat për anëtarësim pas marrjes së statusit kandidat. Së fundmi, ky vend u vizitua edhe nga komisionari për zgjerimin në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Mal i Zi, ku një plan-veprimi i detajuar u diskutua mes Fyles dhe ministrit të jashtëm malazez. Nga ana tjetër, vlen të theksohet që ky vend i vogël, gjashtëqind mijë banorësh, me anë të modelit ekonomik racional që kanë ndjekur ndër vite, i ka dhënë zgjidhje afatgjata shëndetit makro(ekonomik) të tij, duke u bazuar në një plan me pespektivë afatgjatë. Paratë e trafiqeve, investimet e huaja të fuqishme, vencarisht të rusëve dhe arabëve në bregdetin e vendit ku kanë ngritur resorte turistikë, mbështeten në një filozofi eko-bio që mbështetet në filozofinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqënies së garantuar.
Ndërsa Shqipërisë, renditur vetëm e pesta në listën Ashton, i duhet të adresojë listën me dymbëdhjetë prioritetet kyc të identifikuara në opinionin e Komisionit Evropian. Sikundër theksoi së fundmi edhe komisioneri Fyle, vendit i nevojitet një konsensus bipartizan për zgjidhjen e ngërçit politik dhe që të vazhdohet plotësimi i rekomandimeve të KE-së. Pa këtë konsensus, Shqipërisë i bie të ngeli në provimet e rradhës dhe procedura për anëtarësimin e saj të shtyhet në kalendat greke në rastin më të mirë ose t`i ngjajë ëndrrës së një nate vere të paktën edhe për ndonjë dekadë. Është fatkeqësi që një vend me homogjenitet dhe stabilitet të mirëfilltë etnik, multi-konfesional ku ekziston një bashkëjetesë shembull në këtë drejtim dhe me kufij të jashtëm të stabilizuar, të (ri)prodhohen kriza të tilla ciklike dhe të rrezikohet në këtë farë feje integrimi i vendit, demokratizimi i tij dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura si garantues të kushtetutshmërisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.