e diel, 31 korrik 2011

Marrëdhëniet me Europën Perëndimore dhe rajone e tjera.

POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË NË VITET 92-97, MARRË NGA LIBRI "SHQIPËRIA NË TRAZICION" I ELEZ BIBERAJ


Marrëdhëniet me Europën Perëndimore dhe rajone e tjera.
Me gjithë përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar marrëdhënie të posaçme me SHBA, Tirana gjithashtu vazhdoi me ngulm të ndiqte synimin e integrimit europian dhe për këtë ju drejtua Italisë, Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Midis viteve 92-96 Bashkimi Europian dha rreth 650 milionë $ amerikanë ndihmë humanitare dhe ekonomike Shqipërisë. Në  këtë periudhë marrëdhëniet më të ngushta dypalëshe Shqipëria i kishte me Italinë dhe Gjermaninë. Italia ishte dhuruesja kryesore e Shqipërisë në Europën Perëndimore duke i dhënë fqinjës së varfër 420 milionë $.

Përballë dallgës së refugjateve shqiptarë me 91-92, Roma ishte e detyruar të mbante një qëndrim aktiv në marrëdhëniet me Shqipërinë. Italianët filluan një program ndihme humanitare për Shqipërinë dhe me pëlqimin e Tiranës vendosën një kontingjent prej rreth 900 ushtaresh në Durrës për të shpërndarë me emrin e koduar “Pelikan” ndihma humanitare ndërkombëtare. Ndihma e madhe që siguroi Italia gjatë viteve 91-92 pati rëndësi vendimtare për Shqipërinë. Mirëpo trajtimi i ashpër i refugjatëve shqiptarë dhe sjellja e ushtarëve italiane në Shqipëri u bënë shkak për shtimin e ndjenjave anti-italiane dhe të shqetësimeve lidhur me ndikimin përherë e më të madh të Romës në Shqipëri. Shumëkush kishte frikë se mos Shqipëria do të detyrohej siç kishte ndodhur në vitet 1920 dhe 1930 të kishte marrëdhënie klient-patron me Italinë, me pasoja të rënda për pavarësinë e vendit. Përveç kësaj gjatë fushatës zgjedhore të vitit 92 italianët iu përgjigjën dyshimeve që kishin lidhur me marrëdhëniet e ngushta të Partisë Demokratike me ShBA duke mbështetur botërisht socialistët. Ndërsa ndihmën financiare Italia e shihte si vendimtare për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Berisha dëshironte që t’i jepte fund sa më parë që të ishte e mundur bashkëpunimit ushtarak në formën e operacionit “Pelikan”. Shumë shqiptarë duke kujtuar aneksimin e vendit më 1939 shikonin me dyshim qëllimet afatgjate të Romës dhe mendonin se vendosja e ushtareve italiane në Shqipëri përbënte shkelje të sovranitetit të vendit. Nga ana tjetër pala italiane ankohej në atë kohë për atë qe e quante mungesë vlerësimi të Shqipërisë për ndihmën qe merrte nga Italia.

Bashkëpunimi me Italinë filloi të ngecte pasi qeveria shqiptare hodhi poshtë  kërkesën e Romës për të zgjatur afatin e operacionit “Pelikan”. Në dhjetor 1993 në një takim që pati me ministrin e Mbrojtjes të Italisë  Fabio Fabbri, i cili kishte ardhur për vizitë në Tiranë, Berisha tha se: “Shqipëria ishte gati të zgjeronte bashkëpunimin ushtarak me Romën po se ajo do te ruante “njëjtësinë dhe sovranitetin e vet”.
Më tutje pas ndërrimit të qeverisë në Romë marrëdhëniet dypalëshe u përmirësuan. Italia u bë partnerja më e madhe tregtare e Shqipërisë dhe zuri vendin e parë në sasinë përgjithshme të investimeve të huaja. Vizita e Berishës në Romë më 1995 ishte një hap i rëndësishëm për të rregulluar marrëdhëniet. Në këtë rast u nënshkruan disa marrëveshje duke përfshirë Traktatin e Miqësisë dhe marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak. Pastaj më 1996 presidenti Oscar Luigi Scalfaro vizitoi Tiranën dhe premtoi se Italia do të vazhdonte të mbështeste rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Mirëpo dyndja e vazhdueshme e refugjateve të paligjshëm shqiptare krijonte probleme për të dyja palët. Ndërsa Shqipëria i kërkonte Italisë që të nënshkruanin një marrëveshje për rregullimin e integrimit stinor të punëtorëve shqiptarë, Roma i bënte presion fqinjës që të merrte masa të rrepta për të ndaluar ose të paktën për të kufizuar sa me shumë emigrimin e paligjshëm.

Një vend tjetër Perëndimor që i dha Shqipërisë ndihmë të konsiderueshme ishte Gjermania. Boni siguroi ndihmë për rindërtimin e sistemimin të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për zhvillimin e bujqësisë të transportit dhe industrisë së lehtë.
Gjithashtu gjermanët ndihmonin për rindërtimin e aeroportit të Rinasit që është i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë. Me gjithë thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, zyrtarët gjermanë shprehnin zhgënjimin që Gjermania nuk ishte më e gatshme për të dhënë ndihmë politike dhe ekonomike. Shqiptarët kishin varur shpresa të mëdha tek Gjermania pasi ata gjithmonë e shikonin Gjermaninë, si më të prirur për realizimin e çështjes së tyre kombëtare sesa fuqitë e tjera europiane. Përveç kësaj me gjithë pranimin në Këshillin e Europës në qershor 1995 objektivi afatgjatë i Shqipërisë mbetej integrimi i plotë në bashkimin Europian dhe anëtarësimi në Nato.

Shqipëria gjithashtu u tregua e interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë me qëllim që të zgjeronte bashkëpunimin ekonomik dhe me shpresën se do të ulte mbështetjen që Moska i jepte Beogradit në çështjen e Kosovës. Dy vendet disa here shkëmbyen delegacione të nivelit të lartë dhe kryeministri Meksi vizitoi Moskën ne prill te 1995. Meksi dhe kryeministri rus Viktor Cernomerdin nënshkruan një serë marrëveshjesh për bashkëpunim ekonomik shkencor dhe teknik dhe biseduan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi.

Mirëpo nuk kishte të ngjare që marrëdhëniet të merrnin ndonjë zhvillim të madh si për arsye politike ashtu edhe për ekonomike. Rusia mbështeste vazhdimisht serbët dhe ishte hapur kundër shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Rusia nuk kishte ndonjë përfitim të madh në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë e largët.

Marrëdhëniet e Tiranës me ish-aleatët e Europës Lindore ishin të përzemërta por ndërveprimet mbeten të kufizuara pasi të gjitha vendet e Europës Lindore ishin më shumë të interesuara me krijimin e lidhjeve të ngushta me anëtarët e Bashkimit Europian. Megjithatë  Shqipëria u përpoq të zhvillonte marrëdhënie të mira me Bulgarinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Në 1993 Berisha dhe presidenti bullgar Zhelju Zhelev nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, Tirana e cila i trembej krijimit të një boshti midis Serbisë-Greqisë-Bullgarisë bënte çmos për të qenë në marrëdhënie të mira me Sofjen. Gjatë vizitës që beri në Bullgari në 1994, Berisha lavdëroi Zhelevin që nuk kishte pranuar ftesën e kryeministrit grek Micotaqis për një mbledhje të fshehtë me Greqinë dhe Serbinë në 1991. Sipas Berishës ishte planifikuar krijimi i boshtit Greqi-Bullgari-Serbi në këtë mbledhje që parashikohej të rishikonte fatin e Maqedonisë dhe që mund te kishte pasur si rezultat copëzimin e Maqedonisë midis fqinjëve ballkanas.

Shqipëria nënshkroi edhe një serë marrëveshjes bashkëpunimi me Kroacinë dhe me Slloveninë mirëpo me gjithë marrëdhëniet shumë të mira me ish republikat  jugosllave zbatimi i marrëveshjeve ekonomike nuk qe ndonjë gjë e madhe. Megjithatë me afat të gjatë ka perspektiva të mira që kompanitë sllovene dhe kroate të investojnë në Shqipëri sidomos në turizëm, ndërtim,  bujqësi dhe industri ushqimore.

Pas ardhjes në pushtet të demokratëve Shqipëria u mundua të krijonte marrëdhënie të posaçme me Turqinë. Dy vendet nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi dhe një traktat bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Qindra ushtarakë shqiptarë shkuan për t’u shkolluar në shkollat ushtarake të Turqisë. Turqia mbështeti ndërtimin e një rruge automobilistike ndërkombëtare që do të lidhe portin e Durrësit me Stambollin duke kaluar nëpër Shkup dhe Sofje. Në tetor 1993 në një mbledhje të organizuar në Kombet e Bashkuara me rastin e 50 vjetorit të themelimit të organizatës botërore, presidenti Demirel u takua me presidentet e Shqipërisë, Bullgarisë e të Maqedonisë dhe arriti me ta një marrëveshje për këtë projekt katër vjeçar. Thuhej se Banka Botërore, ajo Europiane për zhvillim dhe Rindërtim, SHBA kishin pranuar të financonin këtë projekt prej 2 miliardë $.

Në fund të vitit 1992 Shqipëria u bë anëtare e Organizatës së Vendeve Islamike duke u nisur siç duket nga shpresa se do të përfitonte edhe nga ndihma ekonomike e këtij grupi. Në 1993 Banka Islamike e Zhvillimit premtoi të krijonte një fond 100 milionë $ për të inkurajuar investimet në Shqipëri. Ndonëse vendimi i Shqipërisë për të hyre në organizatën e Vendeve islamike nisej nga motive ekonomike e jo fetare, Berisha u sulmua ashpër nga opozita për këtë hap.

PS pretendonte se njëjtësimi i ngushtë i Tiranës me boten islamike do të bënte që Europa të rishikonte politikën ndaj Shqipërisë, siç mundej të merret me mend, socialistët nuk donin të dinin se politika e Berishës i kishte rrënjët në politiken e qeverisë se mëparshme, kur në 1991 parlamenti miratoi statusin e Shqipërisë si vëzhguese në  këtë organizatë. Këtë kritikë e mbështeti edhe Aleanca Demokratike. Duke përmendur rrezikun e shfaqjes së fundamentalizmit islamik në Shqipëri udhëheqësit e Aleancës Demokratike paralajmëronin se anëtarësia në aleancën islamike vinte në rrezik ekzistencën e Shqipërisë duke e veçuar atë nga pjesa tjetër e Europës. Këtyre kritikave Berisha u përgjigjej duke theksuar dobitë e ndihmës së mundshme ekonomike nga vendet islamike dhe duke shprehur besimin se anëtarësia e Shqipërisë në konferencën islamike nuk do të kishte pasoja të dëmshme për marrëdhëniet e saj me perëndimin.

Është e drejtë të thuhet se ata që kritikonin Berishën për këtë çështje niseshin për motive politike dhe jo nga shqetësimi i mirëfilltë lidhur me ndonjë rrezik që mund të paraqiste fundamentalizmi islamik për Shqipërinë. Një anketë e Agjencisë së informacionit të SHBA, e zhvilluar në mars të 1996 vërtetonte se shumica e shqiptarëve ishin të prirur të njëjtësoheshin me Perëndimin. 88%, pra një shumicë shumë e madhe thoshin se e shihnin vetën më fort si pjesë bashkësisë europiane,  kurse vetëm 8 % thoshin se e ndjenin vetën më fort si pjesë të bashkësisë islamike.
Ata që kritikonin Berishën nuk ishin në gjendje të thoshin se integrimi i Shqipërisë do të kishte qenë me i shpejtë po të mos kishte hyrë Shqipëria në Organizatën e vendeve Islamike. Në të vërtetë kishte pak mundësi që të dilnin organizata ose grupe fundamentaliste islamike që të kërkonin kthimin në zakonet, besimet dhe praktikat tradicionale të myslimanëve. Myslimanët shqiptarë nuk kanë zbatuar kurrë në mënyrë të rreptë rregullat e Kuranit. Megjithatë duke marrë parasysh ndjeshmërinë Perëndimore ndaj fundamentalistëve myslimanë, opozita shpresonte të fitonte pikë propagandistike dhe të krijonte dyshime në Europën Perëndimore dhe në SHBA lidhur me drejtimin e politikës së jashtme të Berishës.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.