e premte, 1 korrik 2011

PROBLEMI IZRAELITO-PALESTINEZ DHE TURQIA

Prof. Dr. Ramazan GÖZEN


Turqia është një nga vendet e pakta në botë që mund të japë kontributin më të madh në zgjidhjen e problemit palestinez.

Në një kohë kur kemi zhvillime ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit izraelito-palestinez, edhe Turqia po ndërmerr iniciativa diplomatike për të dhënë kontributin e saj në zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë kuadër ajo mirëpret përfaqësuesit e këtij problemi. Takimet që drejtuesit e nivelit të lartë të Turqisë realizuan javën e kaluar me palët janë tregues i një ndërmjetësimi jozyrtar që vazhdon të bëjë Turqia në këtë drejtim. Nga njëra anë kemi takimet që realizuan duke vizituar Ankaranë dhe Stambolli lideri i Al Fatah, Mahmud Abas dhe lideri i Hamasit, Halid Meshal, mes të cilëve mosmarrëveshjet vazhdojnë prej një kohe të gjatë.

Në programin 4-ditor të vizitës së Abasit në Ankara zunë vend takimet me Presidentin Gyl, Kryeministrin Erdoan dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Davutollu, kurse vizita njëditore e Meshalit në Stamboll mbeti e kufizuar vetëm takimin me Davutollunë. Nga ana tjetër Kryeministri i Izraelit, Netanjahu në një mesazh që i dërgoni Kryeministrit Erdoan në të njëjtat ditë e uroi Erdoanin për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të 12 qershorit si dhe kërkoi zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të tensionuara për shkak të krizës së anijes “Mavi Marmara”. Ky mesazh i Netanjahut mund të lexohet si një sinjal që tregon se Izraeli pret nga Turqia që të kontribuojë në zgjidhjen e problemit palestinez. Të gjitha këto zhvillime tregojnë se Turqia gjatë stinës së verës do të jetë e angazhuar me një politikë aktive në kuadër të problemit palestinez.

Ashtu siç e kemi thënë edhe në një nga programet e mëparshme, aktorët ndërkombëtarë, ku bëjnë pjesë kryesisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Obama, për një kohë të gjatë po punojnë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme problemit palestinez. Vazhdojnë iniciativat ndërkombëtare për zbatimin e formulës së “zgjidhjes me dy shtete”, që do të thotë krijimi i një shteti palestinez, i cili do të jetë fqinj me shtetin e Izraelit. Krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa vendeve të tjera perëndimore, edhe shumë vende islame, kryesisht Egjipti dhe Turqia po bëjnë përpjekje për shpalljen e shtetit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por për të arritur këtë qëllim para së gjithash duhen eliminuar dy pengesa themelore. E para është krijimi i një udhëheqjeje dhe shoqërie palestineze të bashkuar dhe të fuqishme. Dhe për këtë duhet të arrihet marrëveshja mes udhëheqjes së Al Fatahut, e kryesuar nga Mahmud Abas në Bregun Perëndimor dhe Hamasit, që pjesërisht ndodhet në Gaza dhe pjesërisht jeton në mërgim; sheshimi i divergjencave ideologjike dhe politike që ekziston për një kohë të gjatë mes këtyre dy palëve; pajtimin e palëve lidhur me pozicionin e shtetit palestinez dhe konceptin mbi marrëdhëniet me Izraelin. Duhen ndërtuar institucione të përbashkëta ku do të marrin pjesë si grupi Al Fatah, i cili është më i moderuar dhe pro-dialogut, ashtu dhe Hamasi, i cili mban një qëndrim relativisht më të radikal dhe prej skifteri. Duhet krijuar një shtet palestinez, që të ketë një parlament, qeveri, institucione administrative dhe sigurie të përbashkëta, i tillë që ti shpallë pavarësinë botës dhe të jetë i aftë të sigurojë njohje në arenën ndërkombëtare.

Natyrisht që nuk do të kemi një zgjidhje të plotë të problemit, edhe sikur të kapërcehen të gjitha këto pengesa dhe të themelohet një shtet funksional palestinez. Sepse që një shtet palestinez të jetojë e ekzistojë duhet që ai të njihet nga një shumicë e caktuar e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht nga Izraeli dhe vendet që e përkrahin dhe e mbështesin. Dhe problemi më i madh në këtë pikë është qeveria e sotme e Izraelit dhe mungesa e vullnetit ose kundërshtimi i kësaj nga Netanjahu, që sot ndodhet në krye të kësaj qeverie.

Netanjahu dhe aktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë që e përkrahin atë mbështesin krijimin e një shteti palestinez vetëm në kushtet që kërkon dhe do të jetë dakord Izraeli. Sionizmi nuk është dakord për të kthyer territoret palestineze që Izraeli i mban të pushtuara që nga viti 1967 e këtej dhe nuk pranon kthimin e banorëve hebre që janë vendosur me rrugë ilegale në këto toka të pushtuara, nuk lejon që qindra-mijëra refugjatë palestinezë të kthehen në atdheun e tyre. Dhe pa u pranuar këto kushte të Izraelit, ky i fundit del kundër shpalljes së një shteti të pavarur palestinez.

Netanjahu ka ndërmarrë nisma ndërkombëtare për të penguar krijimin e një shteti palestinez që nuk plotëson këto kushte të sionizmit. Në takimet që pati në fillim me kongresmenët amerikanë në Uashington, pastaj me Berluskonin në Itali kërkoi prej këtyre të mos njohin shtetin palestinez që do të shpallet në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Pra të gjitha këto informacione na tregojnë atë se për krijimin e shtetit palestinez duhet nga njëra anë të arrihet një marrëveshje mes palestinezëve, dhe nga ana tjetër të bindet Izraeli, në veçanti Netanjahu. Në botë nuk ekzistojnë shumë vende që mund ti realizojnë njëherësh të dyja këto. As Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore, as Irani dhe vendet e tjera islame nuk i kanë kapacitetet dhe pozitën që të kontaktojnë e bisedojnë me të gjitha palët. Vendet perëndimore mbeten të pamjaftueshme në përpjekjet e tyre për të eliminuar këto barriera për faktin se e i japin Izraelit një përkrahje pa kushte, kurse vendet islame për arsyen se nuk ndërtojnë dialog me Izraelin dhe me aktorë radikalë si Hamasi.

Dhe në një situatë të tillë nuk mendoj se ekzagjerojmë nëse themi që pothuajse alternativa e vetme mbetet Turqia. Patjetër që rol të rëndësishëm në këtë proces do të luajnë edhe vende si Egjipti dhe Jordania në veçanti, madje mund të thuhet se ato edhe momentalisht e luajnë këtë rol. Vetëm se përvoja që ka Turqia në problemin palestinez, pozita e saj në politikën ndërkombëtare, koncepti i sotëm i saj në politikën e jashtme dhe përbërja e qeverisë aktuale, e forcojnë edhe më shumë shansin e Turqisë për të ndërtuar dialog me të gjitha palët, për ti bindur ato dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemit.

Në qoftë se Turqia, që zotëron këto avantazhe, do të arrijë ta përdorë me sukses këtë kartë që ka në dorë, nuk do të kontribuojë vetëm në zgjidhen e problemit palestinez, por do të ndikojë thellësisht edhe politikën e Lindjes së Mesme dhe atë botërore. Nuk do të jetë ndonjë kërkesë e madhe nëse themi që drejtuesit e Turqisë duhet të meritojnë çmimin Nobel të Paqes nëse arrijnë të zgjidhin këtë problem shumëvjeçar në Lindjen e Mesme.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.