e diel, 9 dhjetor 2012

8 dhjetori, momenti për një mosbindje të re

Alban Daci
Diktaturat e konsideruara të parrëzueshme, kanë rezultuar të paafta për t’u përballur me mosbindjen e organizuar politike, ekonomike dhe shoqërore të popullit. Termi i përdorur në këtë kontekst u propozua fillimisht nga Robert Helvey. Mosbindja politike është një luftë e padhunshme (protestë, mosbashkëpunim dhe ndërhyrje) e zbatuar në mënyrë sfiduese dhe aktive për qëllime politike.
Çdo vend që ka pasur regjime diktatoriale ka njohur momente të mosbindjes së popullatës që kanë bërë të mundur përmes protestës rrëzimin e saj. Një ndër momentet më origjinale të mosbindjes qytetarë janë padyshim lëvizjet studentore shqiptare të vitit 1991. Në fillim të dhjetorit, ditët ishin të ftohta dhe Tirana dukej krejt e zymtë dhe melankolike. Regjimi ishte në ditët e tij më të vështira, ekonomia ishte në një krizë të thellë, kushtet e qytetarëve ishin të vështira, radhët e gjata për bukë kishin filluar nëpër furra, ushqimet dhe tollonat ishin gjithnjë e më të pakta. Pra, në fillim të dhjetorit të vitit 1991 Shqipëria të ngjasonte sikur ndodhej në një luftë, ku çdo gjë ishte e vështirë duke përfshirë edhe mundësinë për të ekzistuar.
            Pikërisht në momentet e tij të vështira, regjimi sikur kishte filluar të jepte sinjalet e para për një mundësi hapje dhe rinegocimi me qytetarët. Kjo u reflektua në faktin, se universitet u bënë  më të hapura për të gjithë, duke mos vendosur më në plan të parë si kriter seleksionimi biografinë dhe luftën e klasave. Pra, universitet nga një mollë e ndaluar që ishin cilësuar për ato familje që nuk quheshin komuniste, kishte filluar të pranonte çdo të ri që kishte rezultate të mira dhe të pranueshme për kohën.
            Në fillim të dhjetorit filluan të fikeshin dritat në godinat e studentëve. Pikërisht në periudhën, ku ata duhet të qëndronin brenda dhe të studionin për provimet. Gjithashtu, fakti se ishte dhjetor do të thotë se pa energji elektrike ato as nuk mund të ngroheshin. Kështu këtë situatë të re studentët nuk e pranuan dot dhe të parët që filluan protestat ishin ato të godinës të inxhinierisë, të cilët në momentin kur fikeshin dritat filluan të këndonin dhe të të ngrinin zërin. Këto qenë shkëndijat e para të, të cilat brenda një periudhe të shkurtër në gjithë qytetin e studentit ndezën atë që më vonë u quajt zjarri i demokracisë dhe i lirisë shqiptare.
            Pra, në momentet e një zymtie dhe një heshtje mjerimi, lindi shpresa e një ndryshimi të madh, i cili kërkonte energji, vendosmëri dhe vizion. Më mirë se rinia këtë nuk mund ta bënte askush tjetër. Regjimi mizor që jetonte duke ushtruar psikozën e dhunës nuk mund të rrëzohej po me dhunë. Arma më e fortë për rrëzimin e tij ishte mosbindja qytetare. Këtë gjë e kuptuan dhe e përdorën shumë mirë studentët dhe të rinjtë, punëtorët, intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë që kishin hequr të “zinjtë e ullirit”.
            Megjithatë, për fat të keq ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Rinia ishte ajo që e rrëzojë regjimin, por nuk ishte ajo që duhet të ndërtonte demokracinë e re ashtu siç ato e kishin ëndërruar. Krejt pa pritur dhe në mënyrë jo të qartë në krye të lëvizjes së tyre filluan të dilnin komunistët (ose enveristët), të cilët me eksperiencën e tyre të përfituan nga regjimi brenda një natë u transformuan nga njerëz të besueshëm të regjimit në demokrat të thekur.
Studentët, duke e cilësuar vetën shumë të rinjtë për sfidat që po përballnin i pranuar këto ish enverist  duke u besuar transformimit të tyre fals. Shpejt lindi pluralizmi politik, i cili nuk dukej i rastësishëm ashtu siç duhet të jetë, kur ka lëvizje të mëdha popullore. Partitë e reja u themeluan po nga ish njerëzit e regjimit, të cilët nuk kishin ndryshuar aspak në formë të menduarit dhe të bërit politik, por thjeshtë e kishin kuptuar se koha e donte të vinin maskën e rreme të demokratit duke i “shërbyer” demokracisë.
       Studentët që ishin ideatorët dhe protagonistët kryesor të lëvizjeve antiqeveritare filluan që të manipuloheshin, të përdoreshin dhe pse jo edhe të dëboheshin jashtë me pretekstin për formime më të plotë akademik dhe intelektual. Kjo bërë që Shqipëria pas viteve ’90 të mbetej në duart e atyre që e kishin pasur edhe para viteve ’90.  Për këtë arsyeje, Shqipëria për gjatë këtyre viteve nuk u bo as europiane e as demokratike. Motot e studentëve të dhjetorit për një Shqipëri si Europa dhe demokratike mbeten në letër. Liria dhe demokracia nuk qëndruan në duart e tyre për t’u realizuar ashtu siç ata besonin, por  mbeten përsëri për fat të keq në duart e njerëzve të regjimit, të cilët demokracisë nuk donin t’i dëgjonin zërin dhe jo më të impenjoheshin për ta implementuar atë.
       Sot pas 20 vitesh lodhje, zhgënjimi dhe tranzicioni, i cili u ka kushtuar shumë shqiptarëve, Shqipëria duket sikur është përsëri aty e pandryshuar, por thjeshtë e fasaduar me një bojë të rreme progresi dhe zhvillimi.
Sot, shqiptarët ndjehet të tradhtuar nga klasa e vjetër politike. Sot shqiptarët kanë nevojë për të njëjtat kërkesa që kishin bërë në fillim të viteve ’90: më shumë demokraci liberale e reale; më shumë të integruar dhe të vlerësuar në BE si dhe në këtë 100 vjetor Pavarësie më shumë se kurrë duan të jenë të bashkuar dhe jo më të ndarë padrejtësisht ashtu siç ka ndodhur përgjatë historisë.
       Ne sot qeverisemi nga një klase politike, e cila është përfaqësuese e regjimit që studentët e dhjetorit e rrëzuan me shumë mund dhe sakrifica. Sot Shqipëria është në të njëjtën situatë ekonomike, ku borxhi publik ka kaluar cakun e lejuar.
Sot shqiptarët qeverisën nga persona të cilët kanë një të kaluar jo transparente. Sot, 20 vite pas përmbysjes së madhe nuk janë hapur dosjet që shqiptarët të dallojnë të ndershim nga spiuni, patriotin nga tradhtari, idealistin nga mashtruese.
 Sot, jetojmë në një kohë, ku ato familje që ishin të persekutuara gjatë regjimit janë po të persekutuar edhe sot. Ne jetojmë, në një moment ku njerëz të dëshpëruar  dhe të pa shpresë vetëdigjen dhe qeveria sheh sehir pa bërë edhe detyrën e saj kushtueses që duhet të dëgjojë kërkesat e çdo qytetari dhe vetëm pasi t’i ketë dëgjuar t’i vlerësojë nëse janë të drejta apo jo.
Në këto rrethana dhe situata ka ardhur momenti që rinia shqiptarët të fillojë një mosbindje të re kundër kësaj demokracie mafioze që ka marr peng të ardhmen e vendit.
Mosbindja nënkupton të sfidosh në mënyrë të ndërgjegjshme autoritetin me refuzim, duke mos ofruar hapësirë për nënshtrim. Mosbindja politike përshkruan ambientin në të cilën veprimi përdoret politikisht si dhe objektivisht (pushtet politik). Termi përdoret para së gjithash për të përshkruar veprimin e kryer nga popullata që synojnë të rimarrin kontrollin mbi institucionet qeveritare që kontrollohen nga diktaturat përmes sulmit pa pushim kundër burimeve të tyre të pushtetit dhe që qëllimisht përdorin planifikimin strategjik dhe operacional. Shqiptarët mjaftojnë vetëm gjashtë muaj të përdorin.
Mosbindja jonë kundër këtij regjimi është një formë legjitime për të rigjetur lirinë dhe vetëdijen e ekzistencën tonë si qenie të lira në një ambient të lirë. Qytetarë bëjeni këtë mosbindje vetëm për gjashtë muaj dhe e ardhja juaj do të jetë krejt e ndryshme nga trajektorja e tanishme ku ju jeni thjeshte udhëtar por jo përcaktuesit.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.