Askush nuk e do dhe, për më shumë, nuk e dëshiron vlimin, por kur toleranca
ndaj Serbisë së Daçiqit dhe Nikoliqit vjen duke u rritur në atë masë sa ata të
propozojnë plane për zhbërjen e shtetit të Kosovës, dhe Bashkimi Evropian hesht
krejtësisht, vlimi do të jetë i pashmangshëm
Besnik Kryeziu
Proceset politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe po vazhdon të kaloj
në masën më të madhe nuk janë kuptuar si duhet nga masat shoqërore, ose thënë
më mirë, janë kuptuar ashtu si janë shpalosur nga ata që kanë udhëhequr këto
procese. Kjo shpalosje, në dukje ka qenë transparente, por në thellësinë e saj
ka qenë e mistershme dhe me plot mitizime.
Kjo gjë po vazhdon të ndodh edhe sot, në të ashtuquajturat bisedime për
normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Kësaj
radhe nuk e kam objekt shqyrtimi dialogun në vetvete që po vazhdon të ndodh në
Bruksel dhe prodhimin e rezultateve të mjegulluara për shtetin e Kosovës, por
më së shumti efektet që ky dialog do të mund t’i prodhoj te masat shoqërore në
momentin kur e kuptojnë të vërtetën e fshehur.
Duke e lexuar këto ditë Oshon dhe mënyrën se si ai e shpjegon të kuptuarit
e proceseve dhe fenomeneve të ndryshme nëpërmes kësaj që unë do e sjelli si
citat të veçantë ku Osho në mënyrë brilante e shpjegon çastin e kërcimit dhe
vlimit të ujit nëpërmes procesit të nxehjes.
“Uji bëhet gjithnjë e më i ngrohet, më i ngrohet, më i ngrohet, dhe, krejt
papritmas, në temperaturën e caktuar, fillon të avullojë. Të avulluarit ndodh
në moment. Të avulluarit nuk është gradual, veçse i befasishëm. Prej ujit te
avulli është kërcimi. Përnjëherë, uji avullohet, por është e nevojshme koha që
ai të ngrohet deri në pikën e vlimit. Të avulluarit është momental, por për nxehje
është koha e nevojshme”, thekson Osho. Ajo që po dua ta them unë në këtë shkrim
(natyrisht i nxitur nga Osho) ka të bëj me mënyrën se si po mundohen aktorët
kryesor në këtë proces bisedime që masat shoqërore të mos e kuptojnë në
thellësi përmbajtjen dhe esencën e këtyre bisedimeve. Për këtë ata po përdorin
metafora të forta, të menduara dhe analizuara kujdesshëm për ta arritur efektin
e duhur te masat shoqërore. Nuk po them se deri me tani nuk po ia dalin. Po ia dalin,
madje shumë mirë. Mirëpo pyetja që unë do ta shtroja me këtë rast ka të bëj me
kohën.
Osho thotë: “Prej ujit te avulli është kërcimi. Përnjëherë, uji avullohet, por
është e nevojshme koha që ai të ngrohet deri në pikën e vlimit”. Nga kjo mund
të themi se procesi i të kuptuarit të këtij dialogu dhe rezultateve që po
prodhon ky dialog nga masat shoqërore, ka nevojë të domosdoshme për kohë.
Duke e ditur faktin se ky dialog mes Kosovës dhe Serbisë pothuajse me
dekada po vazhdon të jetë proces, duke mos u bërë asnjëherë akt përfundimtar (sepse
apetitet e Serbisë dhe toleranca miqësore e ndërkombëtarëve nuk po marrin fund),
mund të themi se procesi i të kuptuarit është në fazën finale nga masat
shoqërore. Po të mbetemi logjikshëm edhe në procesin e të kuptuarit nga masat
shoqërore, sikur se te nxehja e ujit, atëherë mund të themi se masat shoqërore
janë në pikën e vlimit dhe kërcimit përfundimtar. Në këtë vlim dhe kërcim po
kontribuon shumë Serbia me planet e saja për territore në hapësirat e
Republikës së Kosovës, sikurse edhe heshtja dhe toleranca në vazhdimësi e
Bashkimit Evropian në raport me sjelljet grabitqare dhe raciste të Serbisë. Dikush
mund të mendoj se vlimi mund të evitohet, kjo mbase edhe mund të ndodh, por jo
me sjelljen e deritanishme politike karshi Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian.
Ujin mund ta ndalojmë të avulloj dhe të kërcej vetëm nëse e ndalim procesin e
ngrohjes, përndryshe vlimi është alternativa e vetme që do të ndodh.
Ata që ne me dëshirë i quajmë miqtë tanë ndërkombëtarë, duhen ballafaquar
nga politika dhe politikanët e Kosovës me këtë fakt, që ditë e më shumë po
bëhet i pa anashkaluar.
Askush nuk e do dhe, për më shumë, nuk e dëshiron vlimin, por kur toleranca
ndaj Serbisë së Daçiqit dhe Nikoliqit vjen duke u rritur në atë masë sa ata të
propozojnë plane për zhbërjen e shtetit të Kosovës, dhe Bashkimi Evropian hesht
krejtësisht, vlimi do të jetë i pashmangshëm.
Nëse ky proces nuk e ndryshon drejtimin e tij, dhe ky ndryshim do të duhej domosdoshmërisht
të jetë substancial, assesi kozmetik për masat shoqërore, viktima do të jemi ne,
qytetarët e Republikës së Kosovës, por fajtor përveç Serbisë, do të jenë edhe
ndërkombëtarët, dhe për këtë që tani duhet t´i përballim që nesër të mos e
luajnë të paditurin dhe të pafajshmin.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.