e shtunë, 29 dhjetor 2012

Bashkimi Kombëtar, SHBA dhe NATO

 Alban Daci

Është e vërtetë se në shqiptarët kemi vuajtur shumë, kemi kaluar shumë prova, kemi përjetuar shumë momente të hidhura dhe shumë herë kemi qenë në dilemë për të ardhmen tonë. Megjithatë, tashmë Shqipëria ka hyrë në një rrugë të re. Aleanca Kuq e Zi nuk ishte vetëm në kuptimin politik një risi në sistemin politik shqiptar, por edhe një model i ri social e kombëtar. Shqipëria, vendi ynë i dashur, i shqiponjës përkrenare, në 22 vitet e fundit kishte njohur hapur një far komplekse të qenit shqiptar dhe një orientim antikombëtar nga politika e vjetër. Shqipëria nuk është një komb me 3 milion e gjysmë banorë, por është një komb me më shumë se 10 milion banorë. Shqipëria nuk është kjo që ne kemi aktualisht, por ajo që të tjerët na e morën dhe na e copëtuan sipas dëshirave të tyre. Bashkimin e shqiptarëve e kam cilësuar edhe në shkrime të tjera, është një proces sa i natyrshëm po aq i domosdoshëm. Fqinjët tanë si dhe disa fuqi të tjera botërore duhet të fillojnë të mësohen me faktin se edhe shqiptarët ashtu si popujt e tjerë do të bashkohen. Ky bashkim mos sot, nesër, pasnesër ose në një të ardhme jo të largët do të ndodh. Populli shqiptar ashtu si edhe popujt e tjerë një ditë do të jetë i bashkuar dhe nuk mund ta ndalojë askush këtë proces. Ka plot forma demokratike dhe të pranueshme se si mund të ndodh bashkimi i shqiptarëve, pa u ndryshuar edhe kufijtë. Edhe pse janë dy rrethana të ndryshme historike, për nga mënyra bashkimi i shqiptarëve mund të jetë i ngjashëm me bashkimin e dy Gjermanive. Ndryshimi i vetëm është se Gjermania kishte qenë nismëtare e dy konflikteve më të mëdha botërore, të cilat morët miliona jetë njerëzish, kurse shqiptarët ishin viktima të padrejtësisë së madhe që u bo në vitin 1913. Megjithatë, përderisa bota e civilizuar pranojë si diçka të natyrshme dhe normale bashkimin e dy Gjermanive, po ashtu duhet të jetë e gatshme të pranojë me të njëjtën formë edhe bashkimin e shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë njohur kurrë në histori si popull barbar, që kanë bërë masakra dhe pushtime të tjera. Shqiptarët në gjithë historinë e tyre janë përpjekur në mënyrë legjitime thjeshtë të mbrohen nga sulmet e të tjerëve. Kjo është një garanci më shumë për të besuar se shqiptarët e duan edhe bashkimin përmes formave të drejta, demokratik, legjitime dhe ndërkombëtarisht të pranueshme. Fakti se në gjithë historinë e tyre shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë pushtues, kjo është një arsye më shumë se edhe bashkimi i tyre është një garanci më shumë për paqe dhe stabilitet në rajon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot de facto dhe de jure superfuqia e vetme në Botë. Nëse sot në Botë ka një popull krejtësisht pro amerikan, ky padyshim është populli shqiptar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interesa të rëndësishme gjeopolitike e strategjike në Europë dhe sidomos edhe në Rajonin e Ballkanit. Për nga shtrirja gjeografike si edhe për nga rëndësia demografike për sa i përket Ballkanit Perëndimor, populli shqiptar mbetet i një rëndësie primare. Për këtë arsye bashkimi i tyre do të siguronte qëndrueshmërinë e Rajonit si dhe vetë interesat e palëkundura të NATO-s. Bashkimi i shqiptarëve duhet të ndodh përmes tre kanale të rëndësishme: së pari përmes vullnetit të lirë të vetë shqiptarëve; së dyti përmes kanaleve dhe njëtrajtësisë së objektivave amerikane dhe të NATO-s dhe së treti në linjën e forcimit dhe të qëndrueshmërisë së stabilitetit dhe paqes në Rajon. Forma më e mirë që populli të shpreh vullnetin e tij, pa dyshim është ushtrimi i referendumit popullor si bazë të demokracisë të drejtpërdrejt. Në të drejtën ndërkombëtare Vetëvendosja nuk ushtrohet nëse nuk përfaqësohet nga vullneti i lirë i qytetarëve. Aleanca Kuq e Zi është e para forcë politike, e cila publikisht mposhti dy pikat doganore të Morinit që ndajnë shqiptarët me shqiptarët. Aleanca Kuq e Zi është e para forcë politike që vendosi të bëj referendumit e bashkimit të shqiptarëve më shqiptarët. Referendumi i iniciuar nga Aleanca Kuq e Zi nuk është një lëvizje politike për ca vota më shumë, por është baza e filozofisë së saj, e cila thotë se Bashkimi i Shqiptarëve është e drejtë legjitime/juridike dhe duhet të ndodh mbi parimet demokratike ndërkombëtarisht të pranuara. Referendumi i Bashkimi Kombëtar do të jetë edhe një shembull demokracie për politikën shqiptare, e cila në 22 vite pseudodemokraci nuk e ushtrojë qoftë edhe një herë të vetme demokracinë e drejtpërdrejt. Në një vend ku nuk bëhen referendume do të thotë se aty nuk ka demokraci, por oligarki, ku pakica përmes mekanizmave të rremë të shumicës bën si t’i dojë qejfi pa pasur parasysh vullnetin e qytetarëve. SHBA dhe shqiptarët kanë një histori sa të ngjashme po aq edhe interesante. SHBA ashtu si edhe shqiptarët kanë kaluar momente të rëndësishme që kanë të bëjnë më ekzistencën, me pavarësinë si dhe progresin. Të dy këto vende edhe pse kanë kaluar momente të vështira, kurrë nuk e shuan shpresën se një ditë do të jenë të respektuar dhe një shembull për botën. SHBA-t sot janë shembull për ushtrimin dhe realizimin e demokracisë. Gjithashtu, shqiptarët janë një shembull për tolerancën fetare. Historia që nga 1913 e SHBA-ve dhe shqiptarëve është e pandarë e mendoj se kështu duhet të vazhdojë të jetë edhe për 100 vitet e tjera që sapo kemi nisur. Bashkimi i shqiptarëve është një garanci për politikat amerikane në rajon. Kolonitë e huaja u bashkuan dhe krijuan atë që sot njihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëherë mbi të njëjtën model dhe me të njëjtat parime përse të mos krijohen edhe Shtetet e Bashkuara Shqiptare, të cilat në parim kanë të drejtën e tyre për t’u bashkuar dhe jo për të kërcënuar të tjerët që mes veti janë bashkuar shumë kohë më parë. Me fillimin e shekullit që lamë mbrapa u mbaruar procesi i formimit i kombit-shtet për të gjithë kombet e tjera, përveç këtij tonit, i cili padrejtësisht u privua nga ky proces historik. Pas Luftës II Botërore, shtet-kombe që e kishin mbaruar këtë proces hynë në një proces të dytë, në atë të ndërvarësisë ndërkombëtare ekonomike dhe në epokën e globalizimit. Ky i yni u privua edhe nga ky proces, sepse ishte përjashtuar nga i pari. Për këtë arsye shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të jenë të përjashtuar dhe të privuar nga proceset e mëdha botërore. Përjashtimi ynë nga këto dy faza të rëndësishme që kanë kaluar shtetet-kombet e tjera, nuk na bën të mundur edhe integrimin tonë në BE. Ne nuk mund të integrohemi në një model sui generis siç është BE-ja, pa mbaruar procesin tonë të formimit shtet-komb si dhe pas pasur eksperiencë të rëndësishme në ndërvarësinë ndërkombëtare ekonomike dhe në procesin e globalizimit. Kjo është një e vërtetë e madhe që hedh poshtë modelin e bashkimit të shqiptarëve në BE. Integrimi ynë i menjëhershëm në BE, është sikur të kalosh brenda një vit një nxënës nga klasa e parë direkt në vitin e parë në universitet. Kjo mund të ndodhte vetëm në rastin e gjenive, por për sa kohë cilësia e gjinisë lidhet vetëm me individin dhe jo me popujt, atëherë nuk mund të funksionojë edhe me ne shqiptarët. NATO mbetet aleanca më e madhe e botës perëndimore e cila në themel ka ruajtjen e demokracisë dhe sigurinë e përbashkët kolektive të shprehur më së miri në nenin pesë të traktatit të saj. Shqiptarët janë një popull që gjithmonë e kanë dashur demokracinë dhe që gjithmonë janë identifikuar për shkak të historisë, kulturës dhe kostumeve si Perëndimor. Atëherë përse NATO duhet të anëtarësojë disa shtete të bëra vetëm me shqiptarë (ose shumicë shqiptare) dhe të mos pranojë një shtet të bashkuar shqiptar? Bashkimi i shqiptarëve mbi parimet demokratike ndërkombëtarisht të pranueshme, jo vetëm do të forconte sigurinë e tyre, por edhe do të thjeshtonte procesin e zgjerimit dhe të forcimit të NATO-s në Ballkanit Perëndimor. Dua ta mbyll me këto fjalë që ka thënë Bill Klinton pasi zëvendësojë Bush-in: “Në një epokë të re të rrezikut alternativ, qëllimi ynë më i madh duhet të jetë zgjerimi dhe forcimi i komunitetit ndërkombëtar të demokracive me bazë tregu. Gjatë Luftë së Ftohtë ne u përpoqëm të përmbanim një kërcënim ndaj ekzistencës së institucioneve të lira. Tani ne përpiqemi të zgjerojmë rrethin e kombeve që jetojnë nën këto institucione të lira, sepse ëndrra jonë është ajo ditë, kur idetë dhe energjitë e çdo njeriu në botë të shprehen plotësisht, në një botë demokracish të lulëzuara që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe rrojnë në paqe”. Shqiptarët bashkimin e tyre e shohin edhe përmes realizimit të një tregu të përbashkët dhe përmes realizimit të një demokracie model e të merituar. Ne shqiptarët duam të lulëzojmë e të bashkëpunojmë me demokracinë e SHBA, ekzistenca e të cilës është garanci për paqen dhe stabilitetin në botë.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.