Politika gjithnjë e më shumë bëhet profesion i vështirë,
për të mos thënë i pamundur. Kjo fushëveprimtari, sidomos në shtetet në
tranzicion, siç është Republika jonë, është vështirë të përkufizohet se
ku fillon dhe ku mbaron. Pjesëmarrja në politikë, respektivisht në hartimin e
politikave, po merrë konotacionet e të panjohurës, meqë bashkëatorë ka ose
tepër pak ose janë të tepërt. Rast për një debat të ri.
Nga Sadri
RAMABAJA
Kriza politike që bazamantin e ka tek kriza morale që po
kalon Kosova në shikim të parë na duket si diçka e re, aq sa do të mund të
thuhej se nuk ka ndonjë libër shkencor ku do të duhej të mbështeteshim për
tejkalimin e saj. Thuase ndodhemi edhe në mes të krizës që burim ka mosdijen,
injorancën, respektivisht mosnjohjen e vetvetes! Në këtë kuadër nuk mund të
flitet as për kulturë politike të etabluar. Madje ajo që mudn të potencojmë në
këtë rast, është fakt trishtues: kultura politike tek një pjesë e mirë e elitës
në gjithë hapësirën shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Në këtë rrafsh madje
duket se Kosova prin.
Ta pranosh këtë fakt, d.t.th. të fillosh të shestosh
rreth rrugëve që duhet të ndjekim për ta kultivuar atë. E keqja më e vogël do
të ishte nëse kjo do të venerohej vetëm tek masat, por kur kultura politike si
shpërfaqja më e dukshme e vetëdijes politike, i mungon edhe elitës
intelektuale, respektivvisht kur ajo lë shumë për të dëshiruar, atëherë
çështja është më serioze.
Në etapën e gjatë të zhvillimit të mendimit politik
evropian, që ndërlidhet me sistemin politik dhe demokracinë si produkte të
këtij mendimi, homosapiensi politik evropian zhvilloi kulturën e tij
politike idenditare. Kjo kulturë politike në etapa të ndryshme të zhvillimit të
saj, jo vetëm u identifikua me institucionet e kohës, (Kishën, Shtetin), por
edhe ishte produkt i tyre.
Në Mesjetë (500-1500) kishim një homo religiozus në
kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Klasa kleriko-feudale ishte produkt i kësaj
epoke. Kjo klasë zotronte shkrimin dhe leximin, dijen dhe kulturën, ndërkaq
pjesa tjetër ishte analfabete, masë gjysmë e verbër, lehtë e
manipulueshme.
Kultura politike ishte
gjithashtu produkt i mendimit politik skajshmërisht i dogmatizuar. Dhe
pikërisht ky dogmatizim i kulturës politike i shkoi për shtati klasës politike
që mbretërit t` i veshë me petkun e idhujve dhe natyrisht t` ia zgjasë shekujt
e jetës despotizmit.
Qyteti dhe roli i tij
në ngritjen e kultures identitare
Në Novobërdë gjatë
epokës së dobësimit bizantin, elita politike e kohës, që ndryshe njihen
si klasa e bujarisë, po krijonte një bërthamë të një principate me
elemente të theksuara shtetërore, ashtu siç vepruan elitat politke shqiptare
edhe në principatat tjera me qendrat urbane që po ngriheshin (Principatën e
Shkodrës, nën dinastinë e Balshëve, Principatën e Durrësit, nën dinastinë e
Topiajve, dhe Principatën e Artës, nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës... )
Ndërkaq Gjergji i II Balsha shkoi më tej, ai synoi të krijoi Mbretrinë
Shqiptare. Historia e Shtetit Shqiptar na dëshmon se krahas këtyre
principatave të mëdha qenë krijuar edhe një varg principatash më të
vogla, në mesin e të cilave rol të ndjeshëm do të kenë Principata e Kastriotëve
dhe ajo e Dukagjinëve.
Burimet historike,
ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë
qenë familje fisnike e rëndësishme. Vet emri
i kësaj principate ndërlidhet me titullin e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Mbiemri
Dukagjin lidhet me një personazh historik, me “dukën arbër Gjin Tanushin” (dux
Ginius Tanushius Albanensis), i cili në një dokument të vitit 1281 përmendet si
kundërshtar dhe i burgosur politik i pushtetit anzhuan në Shqipëri. Ndërkaq
vetëm pas një shekulli shfaqet për herë të parë emri familjar Dukagjini.[1]
Principata e Dukagjinëve kryeqendër të saj fillimisht
kishte Ulpianën (në lindje të Prishtinës), ndërkaq pas pushtimit të saj nga
Perandoria Osmane kryeqendra e saj u transferua në zonat e thella malore të
Dukagjinit për t` u etabluar më pas në Lezhë. Ajo përfshinte brenda
juridiksionit të saj Zadrimën, zonat në veri dhe në verilindje të Shkodrës dhe
shtrihej deri thellë në Rrafshin e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe sa selia e principatës së Dukagjinëve
ishte Ulpiana, roli i Novobërdës , si qendër strategjike ushtarake, qoftë për
faktin se ishte fare afër Ulpianës, qoftë ngase korrespondonte me një varg
kështjellash që shtriheshin në pika poshtu strategjike të Gollakut (Busavatë,
Kremenatë, Prapashticë, Grashticë...) ishte tejet i madhë. Ndërkaq roli i
Katedrales së Novobërdës në krijimin e një elite kulturore identitare të lidhur
me fatin e grigjës së saj, ishte evident. Qyteti i Novobërdës, krahas
qyteteve-shtete të kohës, falë kësaj elite ishte ndër qytetet-shtete të rralla
që kishte arritur të nxirrte Statutin e vet, një lloj kushtetute e kohës. Shih
për këtë sigurimi qoftë edhe vetëm i kopjes së këtij statuti nga Biblioteka e
Kopenhagenit, ku potencohet nga studjuesit se është vendndodhja e tij, pastaj
botimi me studimin kritik që do ta shoqëronte, do të ishte një eveniment për
historinë tonë, por edhe për vet kulturën e mendimit politiko-juridik të asaj
epoke.
Selitja e kulturës politike identitare bashkë me
përpjekjet për krijimin e bërthamave të shtetit Shqiptar do të marrë goditjen e
rëndë nga pushtimi osman. Ajo që do të mund të konludohej në këso rastesh
njohjeje me të kaluarën tonë, mendimin politiko-juridik, kulturën politike të
kohës...është se bujaria shqiptare e këtij krahu të Shqipërisë, po t` i
shpëtonte plojës osmane, fare lehtë do të ishte në ballë të një principate që
do të mund të shnd[rrohej në bërthamë gravituese të Shtetit modern Shqiptar.
Por, siç dëshmon historia, në vitin 1454 sulltan Mehmeti
i II rrethoi qytetin më të rëndësishëm e më të fortifikuar të Kosovës pas
Shkupit, Novobërdën, emri i së cilës njihej mirë në vendet e tjera për
prodhimin e arit dhe të argjendit. Pas një bombardimi 40-ditor me topa të
mëdhenj dhe premtimit se mbrojtësve e banorëve të saj u garantohej jeta,
Novobërda u dorëzua më 1 qershor 1455 dhe me këtë mori fund periudha e
lulëzimit të saj si qytet[2]. Por sulltan Mehmeti i II, që ishte në krye të
ekspeditës, me të marr qytetin, e shkeli fjalën e dhënë: 74 gra (sipas
fjalëve të një dëshmitari) `iu dhanë të pafeve`, ndërsa 320 fëmijë u morën për
t`u bërë jeniçerë në Anadolli[3].
Lajmi për rënien e Novobërdës, tronditi jo vetëm qytetet
tjera shqiptare, por ai shqetësoi edhe Hungarinë, Italinë etj. [4] Pas
marrjes së Novobërrdës, osmanët pushtiuan edhe qytetet tjera të
Fushë-Dardanisë, ndërkaq perimetri i hapësirave të lira shqiptare ngushtohej
çdo vit.
Mendësia teokrate dhe mendimi feudal dje dhe sot
Pushtimi i Ballkanit nga Perandoria Osmane, do të sjellë
edhe në Kosovë, si në pjesën më të madhe të hapësirës shqiptare, mendësinë
teokrate të gërshetuar me mendimin feudal, që në kulturën politike nuk kalon
sinorët e krahinës. Kjo etapë në sferën shpirtërore e kulturore, do të
thellojë çarjen e unitetit shpirtëror përmes konvertimit masiv të popullsisë në
fenë islame.
Tashmë qendër e formimit kulturor nuk ishte as katedralja
e Novobërdës dhe qyteteve tjera si Trepça, Ulpiane, Prizreni, Peja...e as
kishat, por xhamitë.
Kështu obskurantizmi orjental dhe kultura anadollake e të
menduarit po ulej këmbëkryq edhe në këtë pjesë të Shqiprisë, ndërkaq në
rrafshin social e politik, rendi feudal që karakterizonte fshatarsinë e lirë,
do të bëjë jetë deri në fund të viteve `70-të të shek. XX!
Kjo mendësi feudale teokrate, e gërshetuar me mungesë të
theksuar të kulturës politike identitare, do të thellohet në epokën e pushtimit
të sërishëm nga sllavët (1912) dhe për fat të keq, do të përcillet edhe në
epokën tonë.
*
* *
Forca politike që dominoi mendimin politik të
viteve `90-ta të shek. XX, kur koha shtronte nevojën e ngritjes
së strukturave çlirimtare në nivel nacional, këtë mendësi feudale e karikoi në
mendim kuazimodern që gërshetohej me kulturën politike pacifiste, e që
përkufizonte Atdheun brenda “mureve të avllisë”, ndërkaq obligimin
kushtetues për mbrojtjen e tërsisë toksore e rrudhte në slloganin “
mbrojtje e pragut të shtëpisë”! Dhe pavarësisht karikimit të këtillë të
obligimeve kushtetuese, si forcë politike ajo, falë mungesës së kultures
politike, kryeqendrën e Republikës, edhe sot e kësaj dite e mban si bastion të
vetin!!!
Historiografia jonë, pavarësisht se nën zë, ka
shënuar tri prej betejave më të mëdha që janë zhvilluar në mbrojtje
të tërësisë tokësore të Shqipërisë pikërisht në Gollak. Fjalën e kam për
betejën që për vijë zjarri kishte hapësirën nga Prapashtica e deri në Shahiq,
me përqëndrim të theksuar në Sfircë (1912), pastaj për betejën e Kikës
dhe atë të Ushit (1944), që të trija si përpjekje titanike kundër depërtimit
serb në hapësirën shqiptare.
Në ballë të këtyre betejave ishin politikanë që kishin
kaluar pragun e mendësisë feudale dhe me kohë i kishin kuptuar mesazhet e
epokës së revolucionit Francez (1789), që i kishte hapur rrugë krijimit të
shtetit-komb në Evropë. Kështu ishte edhe në betejat për mbrojtjen e tërsësisë
tokësore gjithandej nga jugu në veri të Shqipërisë s (Komiteti i Fshehtë në
Manastir, Çeta e Themistokli dhe Mihahjl Gramenos, kryengritësit malësor në
Deçiqin e Dedë Gjo Lulit...).
Pra kishim një ecje deri diku në hap me kohën…një
progres politik, një përpjekje për ta lexuar rrjedhën pozitive të
historisë. Ndërkaq me pushtimin dhe aneksionimin e kësaj pjese të Shqipërisë
(tetor 1912-qershor 1999) për më se tetë dekada, do t`i hapet rruga
akulturimit dhe asimilimit, injorancës politike, ndëshkimit politik dhe ekonomik,
por edhe eksperimentimeve ekstreme me Kosovën, që do ta ushtroj pushteti i
Beogradit duke shfrytëzuar aq sa kishte nevojë edhe shtresën e kolaboratorëve
që nuk i mungoi.
Degradimi i mendimit politik që Atdheun e sheh në
përputhje me mendësinë feudale të Mesjetës, kishte reflektuar në degjenerim të
kultures politike deri në atë shkallë, sa krijimin e formacioneve të UÇK-së
gjithandej në Drenicë, Dukagjin, Llap e Gollak…, kjo shtresë relativisht e
„majme“ tashmë, e propagonte si rrezikun real jo vetëm për përmbysjen e
idhujtarisë politike moderne, por edhe për egzistencën biologjike të
shqiptarëve! Kjo idhujtari politike, tipike për popujt me kulturë të brishtë
politike, ose të manipuluar tej mase për shumë vite, burimin e ka në mendësinë
mesjetare të ‘homo religiosus’-it , ndërkaq do të përpunohet mirë nga
qendra të mendimit politiko-ushtarak serb, në funksion të shpërlarjes së trurit
sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX.
Për fat të keq, partitë politike shqiotare kuazi legale,
që vegjetonin në këtë epokë, kanë një rol tejet negativ në këtë rrafsh.
Sa më heret që ky rol negativ i partive politike shqiptare mirret nën
thjerrëzën e studjuesve të fushave të ndryshme shoqërore (sociologë,
politikologë, filozof, historianë, por pse jo edhe antropolog, psikolog
etj), duke pas për objektiv nxjerrjen e përfundimeve empirike sa më
shterruese lidhur me atë se si ndodhi që e ashtuquajtura elitë politike
dhe kulturore jona të dështoi aq keq, duke u shkëputur pothuajse fare nga
blloku i rezistencës, aq më shpejt do të gjenim rrugët që do t` na shpjenin
drejt daljes nga rrethi vicioz ku ndodhemi dhe rreziku që të mbesim peng i
ndërgjegjes së vrarë të një brezi.
Në historinë e Kosovës
të shek. XX-të, do të jetë pikërisht kjo mendësi, që do të
ndikoj keq në strukturimin dhe vet rezistencën e organizuar nga UÇK-ja
gjithandej në zonat ku ajo veproi. Ndërkaq pas luftës çlirimtare të UÇK-së, me
ndihmën edhe të segmenteve të jashtme, në pushtet na rikthehet injoranca,
haxhiqamilët tanë!
Sot, duke
shfrytëzuar mungesën e kulturës politike, shkallën e ultë të dijes deri në
trishtim të një shtrese të sundimtarëve tanë, një pjesë e mirë e shtresës
rurale, bartëse e luftës për çlirim, tashti e vetëmashtruar dhe injektuese e
klasës sunduese, por edhe një pjesë e mirë e shtresës urbane e zënë dhe mbetur
peng në rrjetin e merimangës së nostalgjikëve titistë, së bashku, vazhdojnë të
jenë kontribuesit më të mëdhenjë të riinstalimit dhe mbajtjes në jetë të
mendësisë politike të ngritur në pushtet me gjithë injorancën politike,
që u shpërfaq sy e faqe botës edhe në regjistrimet e publikuara nga EULEX-i.
A mund të themi
prandaj, se duke lejuar që Republikën ta udhëheqin një grusht injorantësh, nuk
disponojmë as vullnet politik e as dije p[r të marrë vendime politike të
duhura? Distancimi nga kjo kategori injorantësh, që e kanë zënë peng
Republikën, shih për këtë, është më se urgjent. Çfardo koketimi me këtë
kategori, paraqet vazhdimin jo vetëm mungesë të dijes politike, por edhe regres
politik, ndërkaq e mbledhur tok, kjo paraqet vet legjitimimin e injorancës!
A disponojmë farë
strategjie për dalje nga ky rreth vicioz ku e ka futur injoranca Repubikën?
Nëse jo, a jemi të gatshëm ta hartojmë atë dhe ta implementojmë në afate sa më
të shkurtëra të mundshme? A do të duhej që vendimet për një veprim të tillë të
mirreshin nën presionin e kohës dhe opinionit të trazuar në morinë e skandaleve
që po prodhon kjo klasë sunduesish injorantë...
A janë faktorët që do
të duhej të kiheshin në konsideratë gjatë hartimit dhe implementimit të kësaj
strategjie, aq kompleks, sa na e bëjnë të pamundur veprimin tashti, sot, e
menjëherë? Dhe jo krejt në fund, nëse nuk veprojmë në përputhje me këto
kërkesa, mos vallë po lejojmë legjitimimin e injorancës madje edhe brenda
Parlamentit?
Atëherë si mund të riformulohet
definicioni mbi politikën sot, vendimmarrjen dhe legjitimimin e saj? Mos vallë,
ajo, pra politika, gjithnjë
e më shumë po na shndërrohet në profesion të vështirë, për të mos thënë të
pamundur për ta nxënë?! Kjo fushëveprimtari, sidomos në shtetet në tranzicion,
siç është Republika jonë, po rezulton se është vështirë të përkufizohet
se ku fillon dhe ku mbaron. Pjesëmarrja në politikë, respektivisht në hartimin
e politikave, po merrë konotacionet e të panjohurës, meqë bashkëatorë ka ose
tepër pak ose janë të tepërt. Përgjimi i pushtetarëve nga EULEX-i dhe
shpërfaqja publike e injorancës politike që ka marrë fatet e vendit në duart e
saj, gjithësesi është rast për një debat të ri.
Gjendja e zymtë e
krijuar në jetën e përditshme të qytetarit tonë, flet shumë për nevojën e një
katarsisi politik. Këtij katarsisi mund t` i ndihmojnë vetëm brezi i ri pa
ngarkesa nga e kaluara. Shih për këtë, Kosova ka nevojë imediate për një elitë
politike dhe kulturore të denjë ët bëjë kthesën historike që e pret. Kjo elitë
nuk është se mungon, pavarësisht se është e hollë... Por ajo duhet të ketë
hapësirë veprimi, respektivisht duhet t`i pushtojë këto hapësira.
Duke i zgjeruar
terrenin kulturës dhe mendimit politik, i hapet rrugë ardhjes në skenë të
elitës së re politike dhe me këtë edhe perspektivës së Republikës së dytë
shqiptare në Ballkan dhe bashkimit të tyre në një Federatë Shqiptare. Zgjerimi
i hapësirës së lirisë nënkupton vetvetiu krijim të parakushteve për
modernizimin e shoqërisë dhe funksionalizimin e shtetit. Ndërkaq vetëm një
shtet funksional do të ishte në gjendje të mbrojë me sukses kauzën kombëtare.
Gjatë historisë, në rrafshin gjithëkombëtarë Kosova ka dhënë kontribut të
ndjeshëm. Përmes kontributit të drejtpërdrejt në skenën politike sot, duke
u shkëputur nga vargonjtë e mendësisë feudale dhe kulturës politike të robit,
duke u angazhuar pro forcave demokratike progresive, ne mund të
kontribuojmë në ndryshimin e gjendjes aktuale. Pa ndryshim të këtij trendi, nuk
mund të pritet zhvillimi ekonomik, ngritja e mirëqenies së
qytetarëve, po as sigurimi i lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve.
Formimi i kulturës
politike është proces historik dhe çështje institucionesh. Nëse në Mesjetë këtë
detyrë e kishte Kisha, sot atë do të duhej ta kishte në dorë Shteti dhe përmes
institucioneve arsimore dhe kulturore t` i jipte gjak të ri mendimit politik,
duke kontribuar në funksionalizimin e Republikës së dytë shqiptare që do të
duhej të ishte kontribut në rrugën e integrimit kombëtar.
Përmes kësaj eseje dua ta shtroj për debat tezën mbi
delegjitimimin e domosdoshëm të injorancës politike si imperativ i daljes nga
rrethi vicioz ku e ka sjellë politikën, duke i dhënë përparësi absolute
hartimit dhe legjitimimit të politikës që për bazë ka ekspertizën e duhur. Në
këtë mënyrë, të gjithë ata që do të merrnin pjesë në kët debat të ri, do të
kontribuonin që Republika të dalë nga kthetrat e injorancës, të fillojë ecjen
vertikale e të dinjitetshme krahas demokracive tjera evropiane.
[1] Akademia e Shkencave e Shqipërisë,
Instituti i Historisë, Historia e popullit shqiptar I, Botimet Toena, Tiranë,
2002, f. 307/308
[2] Historia e Popullit Shqiptar
I, Tiranë, 2002, f. 418
[3] Nolel Malcom, Kosova - a
short history, (Kosova - një histori e shkurtër), Prishtinë, 2001, f. 95
[4] Po aty, f.128
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.