Në fillim të viteve ’90, pas një periudhe të errët autoritare, le të themi, lindi një shpresë e re për ndryshim. Ajo ishte shpresa e lirisë politike, lirisë ekonomike, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Në teori kjo ëndërr e re duhet të lindte nga njerëz të rinj, me vizione të reja, me moral të ri, shpresa të reja dhe guxim të fortë. Pra, me pak fjalë ndryshimi i regjimit nga totalitar në demokratik duhej patjetër të shoqërohej edhe me ndryshim elitash politike, nga elita e vjetër totalitare dhe shtypëse që kishte qenë, në një elitë të re, me vizione të reja të bazuar në idetë liberale.
Në fillim të viteve ’90 qytetarëve u krijua bindja se më në fund në Shqipëri po lindte një krijese e re, me ide të reja dhe me njerëz të rinj. Ky imazh pozitiv ndoshta erdhi për shkak të vrullit të madh që kishin ngjarjet si dhe për faktin se shqiptarët po përballeshin me fenomene krejt të reja dhe të pa përjetuara më parë.
Politikanët e asaj periudhe që u prezantuan si të rinj, jo vetëm nuk ishin të tillë, por ishin pjesë e asaj periudhe të vjetër totalitare që kishte ndëshkuar për vite me radhë çdo shqiptar. Premtimet e tyre fillestare ishin për një Shqipëri të lirë, të zhvilluar, transparente, dhe të integruar në organizmat e Europës Perëndimore.
Premtimet e tyre dështuan shumë shpejt dhe ata me kalimin e kohës dëshmuan se i përkisnin të kaluarës dhe nuk mund të jepnin asnjë besim apo kontribut për të renë. Shqipëria ashtu si edhe disa vende të tjera të Europës Lindore, nuk u shkëput dot nga e kaluara e saj. Kjo ndodhi për faktin, se ura që lidhte të kaluarën me të tashmen, pa bërë shumë dallime ishte e ndërtuar nga të njëjtët aktorë politikë që kishin ndryshuar vetëm fytyrën, por jo mendjen. Kjo mendësi e vjetër, por me një fytyrë të re ka vazhduar me vite me radhë duke mos ndryshuar as edhe sot.
Problemet kryesore që ka politika shqiptare janë:
· Nuk arrin të shkëputet nga e kaluara. Kjo ndodh për faktin se janë të njëjtat elita që mendojnë po njëlloj duke mos ofruar asgjë të re.
· Largimi dhe dinstancimi i saj nga qytetarët dhe nga jeta e tyre. Politika shqiptare është si një alien në planetin tokë. Mjafton të analizojmë faktin se si Kryeministri na gënjen me sy hapur duke mbuluar diellin me shoshë, kur pohon se Shqipëria ka një rritje prej 18%. Kjo shifër nuk është aspak e vërtetë. Mjafton të krahasojnë të dhënat e FMN-së dhe ato të qeverisë për të kuptuar se është një farsë. Gjithashtu, edhe sikur të jetë e vërtetë, kur terreni i jetës reale nuk e konfirmon, nuk është një shifër e kënaqshme duke pasur parasysh resurset humane dhe pasuritë që posedon ky vend.
· Demokracia mbetet një trup i huaj tek mendjet e politikanëve shqiptarë. Kjo ndodh për faktin se një pjesë nuk e kanë jetuar drejtpërdrejt këtë fenomen. Pra, kjo lidhet me problemin e parë. Shumë politikanë shqiptarë nuk kanë pasur asnjë eksperiencë jetësore në Botën Perëndimore.
· Politikanët shqiptarë e kanë të vështirë gjetjen e konsensusit. Kjo ndodh për faktin se ato e kuptojnë politikën jo si betejë mendimi dhe alternativash, por si një betejë gladiatorësh, ku luftohet për jetë a vdekje. Politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë politikën si arti i të mundshëm për të mirën e të gjithëve, por si aktin e të mundshmesh vetëm për interesat e tyre personale. Politika duhet të kuptohet si marrëveshje që ka për qëllim ruajtjen e shtetit, pa kompatesën, soliditetin, paqen e brendshme, bashkëpunimin mes qytetarëve dhe institucioneve, ruajtjen dhe zbatimin e ligjeve, besimin tek institucionet, stabilitetin e Shtetit në kompleksitetin e tij dhe në veçanti të qytetarëve. Pra, atë që Makiaveli e quan “E mira e Shtetit”. Përmes kujt arrihet kjo? Vetëm përmes konsensusit. Në Shqipëri në 20 vite kemi pasur gjithmonë mungesë konsensusi mes forcave politike.
· Lidhjet klanore, tribale dhe mafioze janë aq shumë të forta, sa diktojnë çdo aksion politik. Çdo do të thotë kjo? Aleancat politike shoqërohen nga marrëveshje dhe betime vëllazërie duke i shndërruar ato të shenjta dhe funksionale pa pasur parasysh faktin nëse janë në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Shumë koalicione në vend nuk bëhen, sepse kanë platformat më të mira dhe numrat e nevojshëm për të qeverisur mirë vendin, por sepse përmes tyre mund të arrijnë pushtetin politik, ekonomik dhe prestigjin e karrierës. Nuk mungojnë rastet, kur koalicione fillestare politike shoqëron me kalimin e kohës në martesa, në afera ekonomike dhe në miqësia farefisnore.
· Politikanët nuk arrin të shkëputen nga militanca dhe dhuna. Politika shqiptare akoma është në fazën revolucionare e stilit partizan. Në politikën shqiptare duke u nisur që nga masa deri tek elita drejtuese është shumë i pranishëm fenomeni i injorancës, të qytetarit që vetëm bindet dhe nuk analizon kurrë me mendjen e tij. Pra, qytetarët në shumicën e kohës janë thjeshtë ushtarë të mirë të politikës shqiptare. Kjo lidhje e politikës me injorancën dhe militantizmin, bën që fenomeni i dhunës jo vetëm të jetë i pranishëm, por edhe stili i vetëm organizues për të arritur tek pushteti.
· Problem tjetër i madh lidhet me moralitetin. Edhe pse etika dhe moraliteti janë çështje shumë të diskutueshme që nga themeli i shtetit modern ato janë shumë të rëndësishme për realizimin e një politike të shëndosh. Politika shqiptare sidomos në këto 20 vite ka dëshmuar që nuk ka asgjë morale.
· Lidhja e përjetshme me pushtetin. Politikanët shqiptarë e kanë kuptuar lidhjen me politikën si diçka të përjetshme. Elitat aktuale politike kanë filluar të besojnë se ato janë faraonët e kohëve moderne. Mendojnë dhe besojnë se janë të zgjedhur nga hyjnitë për të qeverisur dhe drejtuar deri në vdekje. Kjo lidhje e trishtueshme dhe autoritare, ka bërë që të mos ketë alternim figurash dhe për rrjedhojë të mos funksionoi edhe demokracia. Teoria e liberalizmit ka si bazë alternonim dhe evolucionit për të realizuar demokracinë liberale. Në 20 vite tranzicion asnjëra nga ato të dyja nuk kanë ndodhur.
· Problemi tjetër lidhet me faktin se politika e brendshme në momente të caktuara dhe të rëndësishme nuk i jep precedencë politikë së jashtme. Shembull konkret dhe tipik i kësaj është ngërçi i vazhdueshëm i politikës shqiptare që ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në BE.
Këto probleme të rreshtuara me lartë që çdo qytetar i ka përjetuar drejtpërdrejt në këto 20 vite dëshmon më së mirë faktin se politika aktuale është e dështuar dhe se vazhdimësia e saj është humbje kohe për vendin dhe qytetarët. Ka ardhur koha të ndryshojmë mendësitë tona, mënyrën e të bërit politikë si dhe të kthejmë vëmendjen tonë kundrejt qytetarëve. Që kjo të ndodh duhet të ndodh ndryshimi i elitës politike. Ky ndryshim mund të realizohet përmes besimit të përbashkët se meritojmë të qeverisemi ndryshe në mënyrë të moralshme, të ndershme e transparente si dhe përmes përdorimit të demokracisë për të dërguar në shpi të papërgjegjshmit që në këto 20 vite na kanë qeverisur, por që nuk na kanë përfaqësuar dhe për të frymëzuar një elitë të re me plot energji, pasion dhe obligim për të përfaqësuar të mirën e përbashkët. 20 vitet e tranzicionit të stërzgjatur janë dëshmia e gjallë dhe reale se kjo elitë politike nuk meriton më të na qeveris apo të na udhëheq në sfidat dhe aspiratat e të ardhmes. Kohën e patën në dorën e tyre për ta shfrytëzuar në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve dhe të vendit. Ato nuk e bënë një gjë të tillë, sepse nuk erdhën me një frymëzim dhe obligim për ta bërë, por erdhën me mendësinë se qytetarët janë ‘turmë’ dhe mund të bëjmë ç’të duam me ta. Sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë përballë sfida shumë të rëndësishme, ku padyshim më e rëndësishmja mbetet ajo e Integrimit Europian. Elita aktuale politike e vjetruar në mendime dhe e dalë boje në aksione ka dëshmuar dhe po dëshmon çdo ditë që kalon se nuk është në gjendje ta Integrojë vendin në BE. Elita aktuale është e dështuar, sepse përfaqëson një politikë të dështuar. Një politikë e dështuar simbolizon një qeverisje të dështuar. Qeverisja e dyshuar është simbol i regresit dhe jo i Integrimit. Ndoshta duhet të reflektojmë?! Ndoshta duhet t’i them ndal?! Ndoshta duhet të reflektojmë më mirë dhe të veprojmë ndryshe?! Ndoshta duhet të rilindim ne qytetarët bashkë me një politikë të re që nuk duhet të jetë një vazhdimësi e aktuales?! Ndoshta! Ndoshta! Ndoshta! E ardhmja është e jona dhe ajo po na pre. E ardhmja është vetëm Aleanca Kuq e Zi, e cila lind nga gjiri i çdo qytetari si e vetmja shpresë për të fituar dinjitetin e merituar, për të përfituar identitetin kombëtar si një ndër popujt më të lashtë të Europës (një arsye më shumë se pse duhet të bëhemi edhe pjesë e BE), për të rifituar demokracinë. Aleanca Kuq e Zi nuk është e kaluara e hidhur politike, por ajo është e tashmja dhe ardhmja e çdo qytetari dhe e vet kombit. Në shqiptarët meritojmë të jemi të integruar dhe të barabartë me vendet e tjera të BE, meritojmë të jemi të zhvilluar dhe modern, meritojmë te jemi të lumtur, meritojmë të qeverisemi mirë e përgjegjshmëri qytetare. Ne duam dhe meritojmë të jem Kuq e Zi, sepse këto janë ngjyrat që kanë simbolizuar historinë tonë kombëtar dhe faktin e të qenit shqiptar. Ne nuk meritojmë të kemi këtë elitë politike aktuale të pamoralshme dhe të papërgjeshme. E ardhmja jonë është Kuq e Zi në familjen e madhe europian, me dinjitet, demokraci e progres.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.