Nuk mund të ketë krenari nëse nuk jemi të lumtur dhe kombëtar. Sot po
lind një forcë e re politike e cila simbolizon këto tre elementë që
janë jetik për të ardhmen tonë. Duhet t’i besojmë asaj
Alban Daci
Çfarë na bën të lumtur?! Shumë do thoshin me të drejtë që nuk është e mundur t’i përgjigjen të gjithë së bashku me të njëjtin stil kësaj pyetje, sepse secili ka një vizion personal për lumturinë.
Disa të tjerët do të thoshin se lumturia nuk ekziston, që është një term pa përmbajtje identifikuese. Ndërsa disa të tjerë e pranojnë ekzistencën e saj duke e identifikuar atë me suksesin, kënaqësinë, pasurinë, me zbulimin dhe me mposhtjen e sfidave që duhet të përballim gjatë udhëtimit jetësor. Dikush tjetër që është i magjepsur fort pas moralit do e gjej atë tek një sjellje virtuoze.
Një person besimtar nuk do të përdorte mirëfilltë fjalën lumturi, por do të thoshte se: bëj një jetë në harmoni me vullnetin e Zotit. Një tjetër do të thoshte me shaka, se lumturinë e gjej kur në dimër pi një tas me çaj brenda një ambienti të ngrohtë dhe jashtë bën shumë ftohtë.
Të gjithë së bashku, kur përjetojnë një moment lumturie e kanë të vështirë ta përshkruajnë atë me fjalë: dikush do ta shprehte me një aktivitet lumturie, si për shembull duke kërcyer, kënduar, duke manifestuar sjelljet e tij për të treguar se është gjallë. Lumturia është mundur për këdo që ndodhet në gjendjen e një lirie të brendshme. Ajo është një përfitim dhe një çmim personal. Askush nuk mund të jetë i detyruar të jetë i lumtur, ajo varet nga zgjedhjet dhe nga dëshirat e çdo kujt për arritur një gjendje të tillë.
Gjithashtu, të gjithë janë dakord se: mjerimi, sëmundjet, luftërat dhe shumë të këqija që godasin njerëzimin nuk ndihmojnë të jetosh në alegori. Mendoj, se përderisa lumturia është një fenomen i brendshëm që përjetohet thellë nga koshenca jonë, vullneti ynë duhet dhe mund të kaloj/sfidoj faktorët e jashtëm që e pengojnë realizimin e saj.
Çdo të thotë «lumturi»? fjalorin italian e shpjegon si një gjendje me plotë vlerësim; në një kuptim të dytë, si oportunitet (për shembull lumturia e një ideje); ose si sinonim të kënaqësisë. Lumturia italiane rrjedh nga lumturia latine felicitas që është fjalë felix, që do të thotë «pjellor, pjellori», me të njëjtën rrënjë të fecundus, pra «pjellori».
Në çfarë konsiston lumturia? Disa deklarojnë të bindur se ajo nuk ekziston. Për një psikiatër amerikan ajo është një kusht imagjinar, që në të kaluarën të gjallët ua dedikonin të vdekurve dhe që tani të rriturit ua dedikojnë fëmijëve. Ndërsa eksperienca evropiane është e ndryshme nga ajo amerikane. Mund të takojmë persona që me të vërtetë e kanë përjetuar lumturinë dhe këto persona është e drejtë t’i thërrasim të lumtur, qofshin të rritur apo fëmijë.
Pas kësaj paranteze me karakter të përgjithshëm është interesante ta kërkojmë lumturinë tek shqiptarët, a ekziston ajo tek ata, nëse po kur dhe si mund të ketë evoluar? Patjetër që lumturia ekziston edhe tek shqiptarët, por me ndryshim me shoqëritë e tjera, shoqëria jonë është plotësisht homogjene dhe duke qenë e tillë mendoj se është ndër të paktat shoqëri në Botë, ku mund të identifikohet jo vetëm lumturia personale por edhe lumturia kolektive e përbashkët e përjetuar nga të gjithë së bashku me të njëjtin stil në një moment të caktuar.
Shoqëria shqiptare është shumë kompakte, sepse i ka rezistuar asimilimit dhe ka ruajtur origjinalitetin e saj. Kjo ka bërë që mënyra e të munduarit, të përjetuarit të jetë e njëjtë pa dallim në gjithë shoqërinë tonë. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se shoqëria jonë është sulmuar barbarisht ndër shekuj nga shoqëritë e huaja që kanë dashur ta gllabërojnë dhe ta asimilojnë atë, për këtë arsye të gjithë anëtarët e shoqërisë tonë për të përballuar këto sulme kanë qenë të detyruara të qëndrojnë kompakt duke u sjellë si një trup i vetëm përballë së huajës.
Për këtë arsye është e vështirë të shënojmë në shoqërinë tonë kufirin mes lumturisë personale dhe asaj kolektive, sepse fati ose pjelloria e çdo kujt ishte/është në të njëjtën kohë fati dhe pjelloria e të gjithëve. Për shembull, kur në një familje shqiptare lindte një djalë, ky çast ishte një moment lumturie për këtë familje që e shprehte duke dalë në dritare dhe gjuajtur me pushkë si shenjë gëzimi dhe pjellorie duke garantuar se kjo familje do të vazhdoj të ekzistoj, sepse tashmë ajo e ka trashëgimtarin e saj.
Lindja e fëmijës ishte edhe një lumturi kolektive për gjithë shoqërinë tonë, sepse Shqipëria do të kishte një ushtar më shumë që do të luftonte kundër pushtuesve të huaj. Kjo lloj lumturie ka pësuar evoluim, sepse tashmë në ditë e sotme nuk mund të shtihet më me pushkë (mbajtja e armës pa leje dënohet me ligj), por ajo përsa i përket shprehjes së emocioneve mbetet e njëjtë, sepse shoqërohet me sjellje konkrete që shprehin një situatë të tillë si: për shembull organizimi i një darke, ku ftohen njerëzit më të dashur, nuk shtihet më me pushkë, por hidhen fishekzjarrë, ngritja e një dollie shampanje, e cila më parë nuk ekzistonte dhe vendin e saj e zinte rakia.
Lindja e një fëmije edhe në ditët e sotme, ku shoqëria është gjithmonë më globale përbën përsëri edhe një lumturi kolektive, sepse nëse shoqëria shqiptare shtohet qoftë edhe vetëm me një anëtar të ri do të thotë se: ajo ka një përqindje më të madhe njerëzore për të sfiduar proceset që lidhen me globalizimin.
Gjithashtu, dje një prindër shqiptar lumturohej, kur çonte djalin e tij ushtar, sepse ishte i bindur se djali i tij ishte burrëruar dhe mund të ishte një krah i fortë për të përballuar tashmë jetën bashkë dhe jo vetëm si më parë. Ndërsa, sot shumë prindër lumturohen kur djemtë/vajzat e tyre diplomohen duke përfunduar studimet universitare. Kjo lumturi është përsëri personale dhe kolektive, sepse nuk është i lumtur vetëm protagonisti që përjeton drejtpërdrejt atë moment, por edhe prindërit, të afërmit dhe Shqipëria, sepse kemi një përqindje më të madhe me kapacitete intelektual që mund forcoj pozicionin e Shqipërisë në nivelin ndërkombëtar.
Sot, një fëmijë shqiptar lumturohet, kur shijon një akullore dhe këtë çast e shpreh duke kërcyer, ndërsa një fëmijë i dy brezave më parë kishte të njëjtën lumturi, kur hante një misër të zier dhe këtë gëzim e shprehte po duke kërcyer në oborrin e pa shtruar të një shtëpie fshati. Megjithatë, pavarësisht për nga vlera materiale, nga ky shembull vihet re se në çdo kohë lumturia ka të njëjtin nivel kënaqësie dhe shprehet po me të njëjtën mënyrë. Kjo ndodh, sepse siç thamë më sipër ajo është pjesë e një situate të brendshme.
Gjithashtu, edhe lumturia kolektive e shqiptarëve është e njëjtë për çdo periudhë kohore, sepse ajo përfaqëson interesat vitale të secilit nga ne në shoqërinë tonë. Ne, jemi një shoqëri, ku ndër shekuj e kemi konsideruar Shqipërinë, si një vend, ku ne identifikohemi më të dhe ajo identifikohet me të gjithë ne. Pra çdo shqiptarë është Shqipëria dhe Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Skënderbeu me patriotët e tij dhe popullin shqiptar të asaj periudhe ishin të lumtur, kur shpartallonin në betejë turqit, Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë të periudhës së tij ishin shumë të lumtur, kur në Vlorë ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë.
Gjithashtu edhe ne, në ditët e sotme u emocionuam dhe u lumturuam, kur pamë të ngrihej flamuri jonë historik në Selinë kryesore të NATO-s. Në këtë momente historike, lumturinë kolektive pavarësisht nga koha dhe momenti e kemi përjetuar me të njëjtën mënyrë, sepse në çdo moment ka pasur të njëjtën rëndësi, identifikimin e personales me kolektiven dhe kolektivja nuk mund të përfaqësohej pa interesat e se cilit, që në rastet tona konkrete ka qenë, krenaria e kombit, mbijetesa e tij, integrimit i tij, prosperiteti i tij. Përderisa, Kombi nuk është vetëm një person, por një populli i tërë që identifikohet me të, atëherë ai përmban brenda tij lumturinë dhe emocionet e secilit nga ne.
Siç thamë më sipër lumturia përfaqëson një ide si dhe suksesin e saj. Kjo është e vërtetë, sepse mjafton të rikujtojmë momentet, kur në vitet 90 në Shqipëri fitoi ideja demokratike e cila garantoi suksesin e shoqërisë pluraliste shqiptare. Po të pyesim protagonistët e kësaj ideje se ai shin të lumtur, kur përjetuan suksesin e saj? Unë, jam i sigurt se të gjithë me një zë do të përgjigjeshin me nostalgji se nuk kanë përjetuar momente më të lumtura në jetën e tyre se ai çast magjik. Besoj, se nuk ka pasur lumturi më të madhe për të ndjerin Pjetër Arbënori, se sa momenti që përjetoi demokracinë me sytë e tij duke fituar lirën që regjimi i kishte mohuar. Ai moment përbënte një lumturi të jashtëzakonshme për të gjithë “Arbënorët” e viteve 90-të, sepse gjithë jetën e tyre e kishin sakrifikuar për ëndrrën që gjithmonë kishin ëndërruar, të qenit i lirë dhe i respektuar për mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit. Përsëri, lumturia e Arbënorit ishte një lumturi kolektive, sepse jo vetëm ai, por të gjithë shqiptarët fituan lirinë. Pra, kur idetë janë si demokracia që parashikon fatin dhe të drejtat e çdo kujt, suksese i saj nuk mund të jetë personal, por i përgjithshëm, sepse demokracia është një lëvizje që mbështet tek të gjithë dhe i trajton të drejtat e secilit në mënyrë të barabartë. Suksesi i një ideje të tillë personifikon suksesin e një Kombi të tërë, ku anëtarët e saj janë qytetarët.
Lumturia, është edhe një formë harmonie mes çdo anëtari të një shoqërie dhe vetës së tij. Kjo ndihmon që edhe ato anëtarë që janë në gjendje të kenë mundësinë për të ushtruar dhe përfituar pushtet në shoqërinë e tyre të jenë pozitiv edhe për lumturinë e të tjerëve. Kur një person falë lumturisë është në harmoni me vetën e tij, ai është në gjendje të krijoi dhe të garantoi lumturi edhe për personat e tjerë. Për shembull, në shekujt kur skllavëria ishte e legjitimuar nuk ka pasur pak pronar që i lironin spontanisht skllevërit e tyre. Ndërsa, sot ajo edhe pse është e ndalur me ligj, praktikohet në një shkallë të gjerë në shumë pjesë të botës që kanë si subjekt më të dobëtit, gratë, fëmijët.
Pra, nuk ka forcë më të madhe se lumturia që gëzon si individin dhe kolektivin, ku ai është anëtar. Lumturia nuk është një pjatë që mund të shërbehet, sepse atëherë mjafton të shkojmë në një restorant që ta porosisim dhe brenda pak minutash shefi i kuzhinës do e bënte gati për të na e servirur kamerieri. Lumturia, bën pjesë tek të drejtat e njeriut, dhe si e tillë çdo anëtarë apo edhe vetë shoqëria e ka të drejtë ta garantoj atë edhe nëse ekziston.
Pra, lumturia përfitohet dhe nuk mund të presësh të jetë e dhuruar. Megjithatë, duke marrë si shembull Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, mendoj se Lumturia duhet të integrohet si fjalë në kushtetutën tonë, sepse vetëm atëherë nuk do të guxonte askush ta mohonte atë. Një hap i tillë, nuk e krijon atë, sepse ajo krijohet nga çastet e jetës të çdo qytetari, por e promovon dhe e mbron atë në nivel të përgjithshëm shoqëror. Një qytetar i lumtur do të thotë se shton lumturinë në familje, një familje e lumtur ndihmon që Kombi të jetë i lumtur dhe një Komb i lumtur do të thotë se ai do të ndihmoj për një rend ndërkombëtar me më shumë lumturi dhe më me pak luftëra.
Nëse bëjmë pyetjen se ku mund ta gjejnë sot shqiptarët lumturinë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje do ju tregoj një histori të shkurtër tibetiane: një djalosh kishte marr një udhëtim për të gjetur sekretin e jetës. Nuk le vend pa shkelur dhe pa vizituar, por sekretin e jetës nuk po e gjente dot. Pas shumë kilometrash diku në një mal takon një të moshuar që jetonte vetëm. Djaloshi sapo takon të moshuarin i shkon ndërmend ta pyes se ku mund ta gjente sekretin e jetës? Plaku i thotë se: duhet të kalosh nga ana tjetër e kontinentit dhe do të arrish në një pyll, ku nuk depërton asnjëherë drita e diellit dhe aty do të takosh një korb të zi që do të jap përgjigjen që kërkon. Ai kalon lugina, shkretëtira, akullnaja, male dhe pas gjithë këtij mundimi dhe kohës që kishte kaluar tashmë nuk ishte djalosh si në fillim. Pasi i shteruan të gjitha energjitë i sfilitur përfundon në këmbët e një peme të një pylli të dendur, ku me shumë vështirësi disa rreze dielli arritën të depërtonin mbi kokën e tij. Nga rrezet e diellit ngre kokën sipër dhe në një degë shikon korbin e zi që me sqepin e tij po pastrohej. Menjëherë iu kujtua ajo që i kishte plaku. Nuk nguron dhe pyet korbin duke gërthitur: “Korb i vjetër! Korb i vjetër!. Zogu shikon poshtë. Më thuaj kush është sekreti i jetës? Kërkoje vetë i thotë Korbi dhe pastaj largohet duke fluturuar. Ky ishte sekreti i jetës. Historia mund të tregohet njëlloj edhe për sekretin e lumturisë. Është një sekret që secili duhet ta gjej tek forcat e tij. Kjo është bukuria dhe misteri i saj. Ajo është një eksperiencë e hapur për të gjithë shqiptarët. Lumturia prezanton për ne avantazhe të mëdha respektivisht me aktivitet e tjera njerëzore: nuk sjell mjete të veçanta ekonomike, nuk presupozon një gradë të caktuar arsimimi, nuk kërkon miqësi të fuqishme. Ajo gjendet tek forcat e secilit nga ne dhe forca jonë e përbashkët mund të ndërtoj Kombin e lumtur. Nëse në i bashkojmë forcat tona për lumturinë, atëherë lumturia do të jetë pjesë e suksesit tonë. Kombi ka nevojë për kontributin e secilit që të kalojë sfidat kohës. Nëse ne nuk mbrojmë identitetin tonë kombëtar atëherë nuk kemi mbrojtur as të drejtën tonë legjitime për të kërkuar dhe përjetuar lumturinë. Nuk mund të ketë lumturi kombëtare, kur ajo drejtohet nga njerëz që nuk vlerësojnë kombin as si identitet kombëtar e as si vlerë të shtuar sociale. Nuk mund të ketë lumturi nëse ka më shumë korrupsion. Korrupsioni është vrasës i lumturisë dhe i të ardhmes të vetë Kombit dhe të qytetarëve të tij që janë elementët kryesore që e ndërtojnë dhe e ushqejnë atë. Politika që nga Greqia e lashtë ka qenë simbol i të mirës kolektive dhe të lumturisë së përbashkët. Forma më e mirë e realizimit të lumturisë ka qenë padyshim demokracia. Pra, ka lumturi ose premisa për të nëse ka një demokraci të plotë dhe funksionale. Në një vend si ynë nuk ka lumturi, sepse politika aktuale nuk ka si qëllim as të mirën e përbashkët dhe në të njëjtën kohë as edhe lumturi. Lumturia është e shenjtë dhe bën pjesë tek të drejtat e cdo qytetari, ajo simbolizon gjendjen shpirtërore të një kombi dhe statusin e tij social. Shqiptarët aktual nuk e kanë lumturinë, sepse ajo është mbushur me papunësi, nepotizëm, korrupsion. Megjithatë, shqiptarët nuk e kanë humbur guximin dhe shpresën për ta rigjetur lumturinë. Shqiptarët e kanë përjetuar dëshpërimin deri aty ku nuk mban më dhe për këtë arsye ato po bëjnë dhe do të bëjnë gjithçka për të rigjetur lumturinë e humbur. Rruga e parë për ta rigjetur lumturinë është të dërgojnë në shpi këtë politika të papërgjegjshme. Shqiptarët duhet të besojnë tek alternativat e reja, të cilat nuk kanë lidhje me të kaluarën e tyre dëshpëruese. Sot po lindin alternativa të reja politike që kanë në plan të parë kombin, identitetin kombëtar, krenarin e të qenit shqiptar. Për këto arsye ato janë edhe shpresa për të rigjetur lumturinë e humbur me pa të drejtë tek çdo qytetarë shqiptar. Nëse ne shqiptarët nuk besojmë tek kombi dhe tek vlerat e tij do të thotë se nuk besojmë as tek lumturia jonë individuale apo kolektive. Nuk ka qytetar të lumtur pa një komb krenar. Nuk mund të ketë krenari nëse nuk jemi të lumtur dhe kombëtar. Sot po lind një forcë e re politike e cila simbolizon këto tre elementë që janë jetik për të ardhmen tonë. Duhet t’i besojmë asaj, sepse ajo do të jetë e ardhmja që kemi merituar por nuk e kemi pasur për shkak të një politike të papërgjegjshme dhe antikombëtare.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.