e hënë, 6 shkurt 2012

E drejta abstrakte në filozofinë juridike të Hegelit

Mr.sc. Rexhep Ahmeti:

E drejta abstrakte në filozofinë juridike të Hegelit

 Përmbledhje
 Mendoj se është me shumë rëndësi për  kohën në të cilën po jetojmë, që të ndikojmë, sa të mundemi, në zhvillimin bashkëkohor të mendimit  juridik shqiptar, i cili mund të jetë edhe tek ne, si në vendet e zhvilluara, një ndër burimet e së drejtës pozitive. Aktualizimi i vlerave të shumta të filozofisë juridike të Hegelit, mendoj, se është një  ndihmesë konkrete në këtë drejtim. Sidomos, është me rëndësi analizimi dhe kuptimi i domethënies shumë të thellë të nocionit të së drejtës abstrakte  në filozofinë e së drejtës te Hegeli, e cila lidhet jo vetëm me tërësinë e subjektives (Subjektit, Shpirtit, Mendjes, Njeriut) por është e pandashme edhe me tërësinë e objektives (Objektit, realitetit, jetës )
Abstraktja, spekulativja te Hegeli, ashtu siç është ne veprat e tij, nuk është nocion i kotë, i zbarët, i rëndë, i pakuptueshëm; nuk është abstraktim për hir të abstraktes, por është, pos tjerash, edhe teori e metodë zhvillimore për ta njohur sa më thellë jo vetëm objektin e filozofisë juridike por edhe Objektin e përgjithshëm, realitetin konkret, njeriun dhe shoqërinë e për t’i realizuar ata/ato në jetën e drejtpërdrejtë, në botën e lirë.  Edhe ky nocion, si nocionet tjera në veprat e Hegelit, natyrisht që është mendor, ka anët pozitive dhe negative të tij, kundërthëniet në vete, fazat e zhvillimit etj. Hegeli është thelluar në subjektivitet për të krijuar realitet të ri, më të zhvilluar, duke marrë shëmbëlltyrë-idenë.

Fjalët kuçe
 Georg Wilhelm Fridrich Hegel, e drejta abstrakte, abstraksioni, metoda, filozofia juridike, shpirti, vullneti, personi (personaliteti), liria, drejtësia, jeta, vetvetëdija, momentet e zhvillimit, rendi juridik, rendi i mirëfilltë juridik publik, arsimi juridik shkencor teorik.
Hegeli e ka vlerësuar kështu Aristotelin:

Aristoteli ka qenë një nga gjenitë shkencorë më të pasur, universalë e të thellë, që ka ekzistuar ndonjëherë, një njeri të cilit asnjë epokë nuk mund t’i vendosë pranë të barabartin e vet.[1]

  Hegeli është Aristoteli i kohëve moderne (siç edhe mund të jetë cilësuar, me të drejtë) dhe prej 27 shtatorit 1790 kur Hegeli, në moshën 20 vjeçare, ka mbrojtur titullin Magister philosophie, ky gjeni i njerëzimit ka qenë dhe është, (ashtu siç ka thënë vet për Aristotelin)  një nga gjenitë shkencorë më të pasur, universalë e të thellë, që ka ekzistuar ndonjëherë, një njeri të cilit asnjë epokë nuk mund t’i vendosë pranë të barabartin e vet.
Kur marrim dhe lexojmë teori shqiptare të së drejtës, apo edhe atë pak filozofi juridike të së drejtës (më shumë të interpretuar se sa të vetkrijuar), disi, sikur nuk na tërheq aq shumë, sikur nuk është aq e thellë; duket se ka shumë të drejtë abstrakte negative e pak të drejtë abstrakte (filozofike) pozitive.
E drejta abstrakte është një nocion juridik shumë i rëndësishëm në rendin logjik dhe praktik të filozofisë juridike të Hegelit.
“Filozofia juridike nuk ndalet as në abstraksion as në  shikim (vështrim) historik, nëse ajo nuk është e njëjtë (identike-R.A.) me idenë. Ajo di që mbretëria e së drejtës mund të bëhet vetëm duke falënderuar  përparimin  në zhvillim, dhe se nuk mund të  kapërcehet asnjë shkallë e këtij zhvillimi. “[2]

Te Hegeli nuk ndahet abstraksioni (deduksioni)  nga shikimi historik (induksioni), dhe këto dy shikime (metoda) janë një-ja identike me idenë filozofike (juridike) më të lart, absolute si teori dhe metodë me e përgjithshme, e cila në filozofinë e Hegelit është unitet i objektives dhe subjektives, sepse:
“Ideja si unitet i objektives dhe subjektives së idesë... ideja absolute,  është para së gjithash unitet teorik dhe praktik i idesë, dhe me këtë njëkohësisht edhe unitet  i idesë së jetës dhe i idesë së të kuptuarit.“[3]

Prandaj, zhvillimi më i lartë është  rezultat i një zhvillimi që përparon nëpër çdo shkallë konkrete (objektive) të tij, për të arritur deri te mbretëria e së drejtës, abstraksion ky i nevojshëm dhe interesant në filozofinë juridike dialektike të Hegelit. Si metodë abstraksioni, te Hegeli  kjo e drejtë është jo për shkak të vetes por për shkak të njohjes sa më të plotë të objektit që shqyrtohet, si dhe për hir të realizimit të tij në jetë.
Duke përdorur metodën e abstraktimit, në kuptimin historik, Hegeli arrin gjer në konkluzionin se “gjendja juridike fillon vetëm në shpirtin e përgjithshëm të popullit[4] Është e qartë se Hegeli i jep rëndësi primare në zhvillim shpirtit (personal, popullor, botëror), mendjes, njohurisë, teorisë, dhe në përputhje me këtë,  ai vazhdon konkluzionin e tij se:
“Nëse shpirti i popullit ngritët në shkallë më të lartë, nuk mund më të ruhen  ato momente të rregullimit (juridik-R.A) që kanë sjellë në shkallë të mëhershme, ato domosdoshmërisht shemben dhe asnjë forcë nuk mund t’i mbaj (ruaj-R.A.) ato”[5].
Duke përdorur metodë të tillë  filozofike-juridike e cila” nuk është formë e jashtme, por shpirti dhe nocioni i përmbajtjes… që shfaqet si tërësia e nocionit[6], Hegeli arrin konkluzion të tillë, i cili, edhe sot, pak a shumë, ka aktualitet, siç është edhe ky konkluzion:
Shpirti i tashëm i kohërave  është i drejtuar kundër shumë momenteve të cilat vështirësojnë gjendjen bashkëkohore të  popujve të Evropës dhe që pengojnë zhvillimin e pastër të nocionit juridik.“[7]
Edhe këtu Hegeli ka përdorur emërtimin që shprehë abstraksion, ka theksuar nocion abstrakt zhvillimin e pastër të nocionit juridik”  i cili, as sot nuk mund të hidhet, të mohohet ngase është i rëndësishëm dhe ka  rol në zhvillim, e nuk ka forcë që të   mund të ndalë, sipas Hegelit. Nuk është pa abstraksion, as mendimi i Hegelit se “trualli i lirisë është mendimi i pastër ”, që dikush mund të krijoj paragjykimin se është edhe spekulacion i thatë, i pavlerë.  Por, kur  e analizojmë më tutje thënien e Hegelit se “Objekti i shkencës së filozofisë juridike është nocioni i lartë i natyrës së lirisë, pa marr parasysh atë që vazhdon, me shfaqjen e kohëve.[8], atëherë e kuptojmë më mirë se   trualli (toka) i lirisë prodhon edhe nocionin e lartë të natyrës së lirisë, i cili teorikisht i tejkalon, apo i abstragon, shfaqjet, prezantimet, interpretimet apo kufizimet konkrete   të kohës, që, ndonjëherë, lirinë reale të individit e bëjnë liri abstrakte. Por, këtë teorizim, apo filozofim të mirëfilltë Hegeli e bënë, mu për shkak të lirisë absolute dhe reale jo vetëm të personit por edhe të njerëzve tjerë që ai i merr, sipas betimit të juristit, si persona dhe i trajton si të tillë, ndaj edhe u lë trashëgim një filozofi të lirisë që zhvillohet domosdoshmërisht. Edhe pse, në dukje, nocioni i lirisë hegeliane duket abstrakt, kur e shikojmë atë të ndërlidhur “organikisht” me nocione, vlera, tjera subjektive ai nuk na del fare spekulim por, në vete dhe për vete është spekulativ, abstrakt pozitiv, sepse është nocion i thellë mendor. Në këtë kuptim kemi të bëjmë edhe me ”natyrën e njohurive spekulative…me metodën njohurore...sepse kemi të bëjmë me njohurinë, dhe në njohuri përmbajtja është e lidhur qenësisht me formën[9]“, çka unë këtu kuptoj spekulacionin dhe metodën spekulative, pra metodën abstrakte, sepse edhe forma, metoda, mendimi “mënyra spekulative e të njohurit në përgjithësi, qenësisht dallohet nga mënyra tjera të njohurit”[10] Kjo çështje logjike dhe gnoseologjike lidhet natyrshëm te Hegeli me filozofinë e së drejtës dhe ka vlerë të veçantë për njohjen, krijimin dhe realizimin e së drejtës, në tërë kompleksivitetin e saj.
Në veprën “Prepedeutika filozofike” Hegeli ka dhënë këtë definicion spekulativ apo mendor për të drejtën:
“Sipas të drejtës (drejtësisë, drejtshmërisë) duhet të ndodhë (të jetë-R.A.) vetëm vullneti i përgjithshëm, pa marrë parasysh  qëllimin apo besimin e individit, kjo e drejtë, (drejtësia, drejtshmëria) ka për objekt, njeriun si qenie të lirë në përgjithësi“[11]

Është krejt e qartë se në nocionin e  përgjithshëm të së drejtës Hegeli fut, si zakonisht, shumë elemente. Aty kemi një pjesë të nocionin unik të së drejtës që te Hegeli përfshinë edhe antropologjinë juridike, drejtësinë, drejtshmërinë, vullnetin e përgjithshëm e domosdonë e ndodhjes, realizimit të tij; kemi njeriun dhe çështjen esenciale të tij, lirinë njerëzore. Këtu është krejt e kthjelltë, se e drejta te Hegeli nuk e përfshinë njeriun e kufizuar juridikisht, vetëm si person  fizik a juridik, por trajton njeriun si ” qenie të lirë në përgjithësi.“[12]  Hegeli pohon: “Aq sa çdokush pranohet si një qenie e lirë, ai është, person.[13]  Pra, teoria juridike e Hegelit niset nga qenia e lirë e njeriut dhe vetëm pastaj vije te personi juridik, domethënë niset nga tërësia e qenies dhe e vlerave të saj, kur trajton çështjen e së drejtës e segmenteve të saj të veçanta, sepse: “njerëzit sipas natyrës së tyre shpirtërore kanë personalitet (person).”[14]
Hegeli në raport me të drejtën abstrakte, fshikullon ato ligje pozitive të padrejta që nuk e trajtojnë njeriu si personalitet, por e pranojnë robërinë, skllavërinë:
“Ekziston kufizimi i lirisë dhe ligje që lejojnë që njerëzit të trajtohen jo si personalitete por si sende, për shembull ligjet që lejojnë robërinë. Këto janë vetëm ligje pozitive, e drejta pozitive,   që janë kundër mendjes apo të së drejtës absolute (drejtësisë, drejtshmërisë).[15]

Por me këtë mendim për të drejtën absolute nuk mund të kufizohemi dhe të supozojmë se Hegeli i paska mohuar ligjet e zbatueshme në një shoqëri, të drejtën pozitive në përgjithësi. Ai nuk i mohon ligjet substanciale pozitive sepse: “Liria në përgjithësi mbahet atje ku sundojnë ligjet, e jo vetvullneti i ndonjë individi.”[16] Duke analizuar, anë, aspekte të ndryshme praktiko-teorike, apo teoriko-praktike të së drejtës në përgjithësi, Hegeli ka ardhur gjer te konkluzioni mendor se: “E drejta është e domosdoshme (drejtësia, drejtshmëria janë të domosdoshme).“[17] 
Edhe në “Skicat themelore të filozofisë juridike”, Hegeli shkruan  se “nocioni i së drejtës në vete dhe për vetveten-domosdoshmëri.[18]Këtu çështja e domosdoshmërisë së nocionit abstrakt të së drejtës pasurohet edhe me termin dhe përmbajtjen “në vete” dhe “për vetvete“, që janë pasurim dhe lidhje abstraksionesh, përmbajtjesh mendore që dalin jashtë njohurive juridike sepse “…nocioni i së drejtës, sipas zhvillimit të tij (dhe ekzistencës së tij-R.A) bie jashtë njohurive juridike, deduksioni i tij  këtu shfaqet si i dhënë dhe duhet të pranohet [19] Domethënë se kemi diçka që është jashtë shkencave juridike por që është e nevojshme ta kemi, ta njohim e ta përdorim edhe në fushën e drejtësisë, e ajo është filozofia juridike, që është aq e rëndësishme sa që Hegeli konstaton, me të drejtë, qysh para afër 200 vjetëve se “Njohuritë juridike janë një pjesë e filozofisë.”[20] (Ndërsa sot tek ne në Republikën e Kosovës, shumë teorikë juridikë merren me nocione juridike, shkruajnë për to, pa e njohur mirë këtë të vërtetë gnoseologjike!, ndërsa ne që e praktikojmë këtë të vërtetë gnoseologjike, na nënçmojnë duke na “cilësuar”  si jo juristë nga “lartësia” e tyre juridike!). Pasi në të drejtën dhe në  jurisprudencë kemi të bëjmë me idetë dhe nocionet nuk mund t’i shmangemi filozofisë juridike, sepse, sipas Hegelit ”Ideja e së drejtës është liria dhe që vërtetësisht të kuptohet ajo, duhet të njihet në nocionin e saj e në ekzistencën e saj.”[21] Por ideja e së drejtës te Hegeli nuk mbetet vetëm në abstraksion (qoftë ai pozitiv a negativ) ngase ideja e së të drejtës duhet të realizohet, domosdoshmërisht, sepse ajo është edhe   qëllim  subjektiv që “dëshirohet dhe shfaqet; me vepra sendërtohet, si qëllim që mund të bëhet përmes veprimtarisë, e cila atë, subjektiven e kalon në objektivitet.[22]
 Ja se si nocioni i vullnetit edhe pse  është abstrakt dhe spekulativ, ai domosdoshmërisht lidhet me objektivitetin dhe jetën konkrete. Skica e Hegelit për këtë: ”Ngadhënjimi i jetës-vetndërdija-sotshmëria.”[23]  Por jo vetëm kjo skicë është e madhe përmbajtjesore, e kuptimisht e mrekullueshme, por ka edhe skica-tjera që reflektojnë mendësi-urti, si kjo se: “Shpirti dëshiron të bëhet ide-Nocion dhe ekzistencë (jetë- R.A.) [24]”.
E drejta abstrakte te Hegeli, natyrisht që, ka edhe përmasa tjera interesante në filozofinë juridike të Hegelit. Sipas Hegelit:
“Në vete dhe për vete vullneti i lirë, siç është në nocionin abstrakt, është  në përcaktueshmëri të drejtpërdrejtë.“ (Kursivi është i Hegelit) [25]

Kështu pra, vullneti i lirë është përballë realitetit të negacionit të tij i cila përballë vetes  lidhet vetëm abstraktisht, në vete  sepse është vullnet i lirë i ndonjë subjekti. Por te Hegeli kjo anë negative dhe e kufizuar e një pjesë të së drejtës abstrakte është vetëm moment i zhvillimit subjektivo-objektiv sepse veçantia e vullnetit individual: “ka një zhvillim të mëtejshëm para vetes  si një botë e jashtme, e drejtpërdrejtë, e gjetur.“ [26]
 Se ideja abstrakte edhe vullneti i lirë te Hegeli ka shumë momente zhvillimi deri sa të hyjë në lëvizje (deri sa të bëhet dialektike) argumenton edhe shpjegimi i fragmentit 34 në veprën “Skicat themelore të filozofisë juridike”, ku Hegeli ka skicuar:
”Abst.ende jo mendim në vete i përcaktuar- ashtu që diçka gjithashtu ekziston-ashtu që kjo është qenie e cila ende nuk është në lëvizje, e cila nuk është në marrëdhënie më atë tjetrën-ashtu të drejtpërdrejtë.”[27]

Kjo shfaqë metodën e Hegelit që çdo ide ta merr me themel, si çështje në vete dhe për vete, t’i pasqyrojë momentet e zhvillmi të saj subjektiv e objektiv, duke pasur qëllim të fundit sendërtimin në realitet  të ideve a idesë kryesore. Kjo pra vlen edhe për të drejtën abstrakte  dhe idenë e vullnetit të lirë sepse:
“...  në fillim  nocioni është abstrakt, kjo domethënë që të gjitha përmbajtjet e përcaktuara janë në te, por gjithashtu vetëm përmbajtja (brendia-R.A): ajo është  vetëm në vete dhe ende nuk është e zhvilluar deri te totaliteti në veten e saj...Ideja e përmbaruar e vullnetit do të ishte gjendja në të cilën nocioni do të realizohej plotësisht dhe në të cilën ekzistenca  tij  nuk do të kishte qenë asgjë tjetër po zhvillim i vet atij.”[28]

Pos kësaj trashëgimie të çmuar që na ka lënë Hegeli për zhvillimin e përmbajtjes së Subjektit juridik përballë Objektit, ekzistencës apo jetës, ai si idenë e vullnetit ashtu edhe atë të së drejtës abstrakte e pasuron kur e shqyrton edhe nocionin  e personalitetit (si nga aspekti i përgjithshëm ashtu edhe nga ai i filozofisë juridike) dhe kur atë e lidhë me subjektin individual, me Unin. Ja një esencë e thellë:
“Në personalitet qëndron që unë si ky plotësisht nga të gjitha anët (në arbitraritetin e brendshëm, në instinkte dhe lakmi (babëzi-R.A.) po edhe sipas ekzistencës së jashtme të drejtpërdrejtë) i përcaktuar dhe i fundmë, por  saktësisht në raport të pastër përballë vetes, dhe kështu në fundësi e di veten si ai/ajo e pafundmë/me, i,e  përgjithshëm/e i, e lirë. “[29]

Siç mund të kuptohet e të shihet, këtu kemi edhe madhështinë e urtisë, e metodës hegeliane të shikimit të gjërave e proceseve në thellësi, tërësi a totalitet funksional realizues. Këtu Hegeli ka shprehur dhe anticipuar madhështinë, fuqinë a mundësinë e mrekullueshme të personalitetit të njeriut i cili duke e njohur veten dhe duke qenë pastërtësisht e plotësisht në vete, për vete dhe për të tjerët edhe në fundësi të jetë i,e pafundshëm/me, që edhe në kufizim të jetë i,e pakufizueshëm/me, që edhe në   robëri të jetë përballë vetes, i,e lirë, i,e përgjithshëm/e, ashtu, siç ishte i përgjithshëm, p.sh, një Adem Jashar shqiptar, ashtu siç ishte e përgjithshme një Xhevë Ladrovce shqiptare.
Por nocioni i personalitetit në filozofinë juridike të Hegelit, përkatësisht, në të drejtën abstrakte hegeliane është shumë  i, pasur, i përgjithshëm, mendor, esencial që nuk vlen vetëm për një kohë e hapësirë, por për shumë sosh. Ta shohim e kuptojmë edhe një pjesë të këtij nocioni, nga vet veprat e Hegelit:
“Personaliteti fillon vetëm atëherë kur subjekti posedon jo vetëm vetvetëdijen e përgjithshme për veten si konkret, në cilëndo mënyrë të përcaktimit të un-it, por, përkundrazi, i vetëdijshëm për vetveten si plotësisht unë abstrakt,  në të cilin të gjitha kufizimet konkrete  dhe vleftëshmëritë (edhe të hollat që vlejnë- R.A.) mohohen, të pavlershme. Në personalitet  për këtë është njohja e vetes  si objekt, por si objekt  i ngritur me të menduar në një pafundësi të thjeshtë, dhe në këtë mënyrë me veten plotësisht objekt identik. Individët dhe popujt ende nuk kanë personalitet, përderisa ende nuk kanë ardhur gjer te ky mendim i pastër  dhe njohuri për veten.“ [30]

Edhe në kohën e sotme dhe këtu tek ne nuk mund të themi se kjo çështje e shtruar kështu nga Hegeli, nuk është aktuale. Pra, a kemi filluar tani ne në Republikën e re të Kosovës të jemi personalitet/te? A posedojë unë vetndërdijen për veten?  A jam  unë “i vetëdijshëm për vetveten si plotësisht unë abstrakt,  në të cilin të gjitha kufizimet konkrete  dhe vleftëshmëritë”, siç janë babëzia për para, poste, famë, inati,  keqdashja, kajta për mallra materiale e instinkte tjera jointeligjente mohohen nga unë të paflefshme?
 A jam ngritur i unë dhe kombi im  me të menduar në një pafundësi të thjeshtë, dhe a kam ardhur unë dhe a kemi ardhur ne deri te ky mendim i pastër  juridik  dhe njohuria e plotë për vetveten? Të gjitha këto pyetje, mund të sintetizohen  një pyetje të vetme: A jam unë dhe kombi im personalitet abstrakt (në kuptimin e filozofisë juridike të Hegelit), apo a jam unë i vetëdijshëm për të drejtën time abstrakte inherente?  (Këtu ia lë lexuesit që në vetvete t’u përgjigjet këtyre pyetjeve)
Nëse çdo njëri nga ne do t’i sqaronte këto pyetje, çështje të vërteta psikologjike me veten e tij dhe të ballafaqohej, burrërisht, me vetveten, atëherë do t’i kishim punët shumë më mirë, jo vetëm me vetveten por edhe me Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Kosovës, sepse do të ishim si “natyrë (instinkt) e çliruar lirisht nga vetvetja”[31] dhe nga e kundërta negative do ta lironim veten tonë, personalitetin tonë, ose do ta çlironim lirinë tonë subjektive nga robëria jonë subjektive, sepse si joliria jonë ashtu edhe liria jonë janë në brendësinë tonë, që përmes reflektimit dhe vetëdijesimit, negativja jonë mund të mohohet gjithmonë, ashtu që joliria jonë të mos mund ta pamundësojë lirinë tonë.
Kur tani po mendoj ta përfundojë këtë shkrim, po dëshiroj që ta nxjerrë para lexuesit edhe një mendim të Hegelit për shkallët e zhvillimit:
“Çdo shkallë e zhvillimit e idesë ka të drejtën e saj të veçantë, sepse ajo (shkalla e zhvillimi, R.A.) është ekzistenca e lirisë në njërën nga përcaktimet e saj. “[32]

Duke zbatuar këtë logjikë të së drejtës abstrakte në filozofinë juridike të Hegelit, mendoj se është pozitive ta shtrojmë pyetjen që lidhet me sotshmërinë tonë: Në  ç’shkallë të zhvillimit gjendet ideja e lirisë sot në Republikën e Kosovës?
Republika e Kosovës është rezultat i realizimit të pjesërishëm të nocionit të lirisë së  përgjithshme të shqiptarëve. Me këtë realizim të gjertanishëm të Republikës së Kosovës kemi mohuar robërinë e robëruesit (ish-shtetit skllavërues të qenies sonë) dhe tani kemi ekzistencën e lirisë sonë në njërën nga përcaktimet e saj, shprehur ngjashëm, me termat e logjikës të së drejtës te  Hegeli.
 Liria jonë gjendet në atë shkallë  që kemi mundur ta biem dhe ta fitojmë gjer më tani. Ekzistencën e lirisë reale nuk duhet ta ngatërrojmë, assesi me ekzistencën e lirisë ideale, abstrakte, që edhe ajo është qenie shpirtërore që mund të realizohet, e sipas Hegeli edhe realizohet sepse:
Historia e zhvillimit të një populli tregon se si populli e realizon nocionin e tij të lirisë.[33]

Sikurse Hegeli që ishte inherent në të drejtën abstrakte para afër 200 vjetësh, ashtu duhet të jemi edhe ne sot, sepse ende nuk e kemi arritur, ne në Republikën e Kosovës, nivelin e të kuptuarit dhe të rezonuarit të tij, jo vetëm në filozofinë juridike, sepse as akademia jonë e Republikës, as akademitë tjera shqiptare nuk i kanë në bibliotekat e veta të përkthyera mirëfilli dhe seriozisht nga origjinali veprat e gjeniut jo vetëm evropian por edhe botëror Georg Wilhelm Fridrich Hegelit. Dhe kur vetvetëdija mendore (abstrakte, spekulative) nuk ka arritur ende në Akademi dhe në universitetet e shumta shqiptare, (ku shpesh, edhe sot, nuk lejohen të hyjnë punëtorë shkencorë, njerëz a dijetarë me vetvetëdije mendore, vërtetë, prodhuese, personalitete të përgjithshme), atëherë çka të themi për institucione tjera të dijes, që as potencialisht teorikisht as praktikisht konkretisht nuk e kanë këtë kompetencë dhe mundësi për t’i plotësuar standardet njëherë ballkanike (ato më të arrirat) pastaj standardet evropiane. Mendoj se  lirisht, mund ta marrim Hegelin si kriter  në lidhje me këtë, ndaj edhe e bëjmë pyetjen: A mund të jetë një akademi sot serioze në Ballkan e Evropë, nëse nuk i ka në bibliotekën e akademisë, të përkthyera nga origjinali të gjitha veprat e botuara të këtij korifeu të shkencës botërore?
Tani është koha që të ballafaqohemi me mungesat tona në fushën e arsimimit shkencor.
 Kjo shkallë e arsimit të përgjithshëm shkencor që e kemi është e mirë, në krahasim më  përpara, por është e ende dije, shkencë, a vetvetëdije vetëm sasiore dhe e pamjaftueshme, sigurisht, sepse nuk po ofron kushte, mundësi e  liri të mjaftueshme për t’u marrë me shkencë të gjithë ata që kanë vullnet, inteligjencë (talent) e  eksplorime origjinale. Këtë e vërtetojnë shumë shfaqje të tashme (ngjarje, ndodhuri) në këtë fushëveprimtari. Nevojat e sotme të zhvillimit të përgjithshëm në Republikën e Kosovës për arsim superior akademik shkencor e teorik janë më të mëdha se kurrë më parë. Nga eksplorimi i gjertanishëm i kësaj teme për të drejtën abstrakte del nevoja edhe për njohjen dhe përvetësimi konkret të kësaj të drejte e cila është nevojë inherente për çdo jurist a jo jurist që merret seriozisht (dhe jo vetëm formalisht) me të drejtën, drejtësinë,  a drejtshmërinë. Në kuadër të temës që po trajtojmë  Hegeli ka folur e shkruar edhe për qëllimin e arsimimit juridik (por jo vetëm juridik) ku këtë lloj të arsimimit e lidh me nocionet: vullnet i pastër, veçantinë, arbitraritetin apo interesin e kufizuar, me përmbajtjen e dhënë dhe përmbajtjen absolute të vullnetit, lirinë, instinktet dhe predispozitat natyrore,  domosdoshmërinë e rregullimeve dhe ligjeve për kufizimin e arbitraritetit dhe realizimin e vullnetit të lirë etj. Ja fragmenti 33-të (“Prepedeutika filozofike”) te Hegeli:
Vullnetit të pastër nuk i ka mbetur asnjëlloj veçantie. Aq sa kjo (veçanti-R.A.)  është  te vullneti rast aq ky është arbitraritet sepse ky arbitraritet ka ndonjë interes të kufizuar dhe e merr përcaktimin e vet nga  instinktet dhe predispozitat natyrore. Një përmbajtje e tillë është e dhënë, por nuk është absolute, e vënë nga ana e vullnetit. Parimi themelor i vullnetit është, pra, ta vendos dhe ta mbajë lirinë e tij. Përveç kësaj ajo (liria-R.A.) vërtetë, dëshiron ende përcaktime tjera të llojllojshme. Ajo ka ende qëllime të përcaktuara të llojllojshme, rregullime (organizime-R.A), gjendje etj., por ato nuk janë qëllime të vullnetit në vete dhe për vete, por tashmë janë qëllime ngase   janë mjete dhe kushte për realizimin e vullnetit të lirë, i cili i bënë të domosdoshme, rregullimet dhe ligjet për kufizim të arbitraritetit, prirjeve natyrore, gjykimeve të varfra, dhe në përgjithësi të instiktive dhe ëndjeve të cilat janë në lidhje vetëm me qëllime natyrore, për shembull, arsimimi ka qëllim që njeriun ta bëjë një qenie të pavarur, kjo është ta bëjë atë një qenie me vullnet të lirë.[34]

Kur lexojmë elementet, nënelementet, nocionet, nënocionet, po edhe rrugën (metodën) e formimit të tyre, si dhe raportin e të gjitha këtyre me objektin reflektues, menduesin, që është pjesë dhe krijesë e realitetit objektiv, atëherë e kuptojmë më mirë natyrën e menduar të së drejtës abstrakte te Hegeli dhe figurat, apo nocionet bazë të saj, siç është edhe figura dhe nocioni i vullneti të njeriut, që gjatë të lexuarit mund ta zëvendësojmë edhe më vet njeriun. Prandaj, edhe në një pjesë të fragmentit 33 përmes nocionit të vullnetit të lirë, të lidhur edhe me të gjitha nocionet e çështjet esenciale ekzistenciale që janë aty të ndërlidhura, shohim (dhe duhet të shohim) njeriun konkret, Objektin më të ndërlikuar të ballafaquar, teorikisht e praktikisht me subjektivitetin e tij, vetveten e brendshme, Subjektin brenda Objektit. Pra njeriu është edhe objekt edhe subjekt; është njeriu edhe objekt-subjekt, edhe subjekt-objekt, edhe unitet i objekt-subjektit, edhe kundërthënie e unitet i subjekt objektit ose anasjelltas.
Përmes nocionit a figurës së vullnetit të lirë që është  lidhur pandashëm me çështjen e lirisë së njeriut dhe të njerëzimit, Hegeli ka treguar se njeriu si qenie natyrore dhe biologjike është në luftë gati të përhershme me vetveten sepse njeriu në jetë shpesh ballafaqohet me ndonjë  interes të kufizuar“, sepse    e merr përcaktimin e vet nga  instinktet “, çka do të thotë se ose bënë veprime instinktive, të pavetëdijshme, shtazore ose ka ndërmend të bëjë veprime penale kundërpublike, i shtyrë nga arbitraritete egoiste, kryeneçësi të varfra dhe në përgjithësi nga instinkte, lakmi dhe antinjerëzi të ndryshme të cilat janë në lidhje vetëm me qëllime natyrore, biologjike. Është fat i madh që njeriu ka edhe anën tjetër, pozitiven, që nuk është instinkt, që nuk është pavetëdije shtazore, arbitraritet…. por që ka veçanti të vullnetit të pastër, PARIMI themelor i të cilit është  ta vendos dhe ta mbajë lirinë (NJERIUN) e  cila (i CILI) vërtetë, ka ende qëllime të përcaktuara të llojllojshme, rregullime, organizime, të tashme, Rend Juridik, Rend Publik, gjendje, rregullime organizime të ardhshme Rend të Mirëfilltë Juridik,Publik, sepse çdo ditë hiqen nga pak gjëra të paarsyeshme a negativitete që e  “pengojnë zhvillimin e pastër të nocionit juridik.“ Rendi i Mirëfilltë Juridik, rregullimi i jetës, organizimi më i mirë, më i lartë i komunitetit (kombit e njerëzimit) do të ndodhë gjithsesi, sepse, sipas së drejtës mendore-abstrakte-logjike të Hegelit:
·         Arsimimi  e bënë njeriun qenie inteligjente, të pavarur, qenie  me vullnet të lirë,
·         gjendja juridike fillon vetëm në shpirtin e përgjithshëm të popullit,
·         Trualli i lirisë është mendimi i pastër,
·         Raportet dhe gjendjet ku njeriu trajtohet si send,  vetëm si  i pashpirt, domosdoshmërisht shemben dhe asnjë forcë nuk mund t’i mbaj a ruaj  ato,
·         Sipas të drejtës, drejtësisë, drejtshmërisë vullneti i përgjithshëm duhet të ndodhë, duhet të jetë,
·         E drejta është e domosdoshme, drejtësia, drejtshmëria janë të domosdoshme,
·         Shpirti dëshiron të bëhet ide-Nocion dhe ekzistencë,
·         Filozofia di që mbretëria e së drejtës mund të bëhet,
·         Njeriu është edhe abstrakt, i përgjithshëm,  pakufishëm, i lirë dhe mund të kalojë çdo rrethanë të kufizuar, të keqe, të vështirë, të tmerrshme etj.
Por, për t’i arritur këto duhet arsim i mirëfilltë, që ta kuptojë njeriu se është gjithësia, mundësia, duhet të çlirohet psikologjikisht, teorikisht, rrethanisht, përmes njohurisë, shkencës dhe mjeteve e rrugëve që ia programon ajo. Por kjo rrugë, përsëri e përsëri nuk është e shkurtër, e lehtë dhe pa kundërthënie, sepse njeriu pengohet nga instinktet për t’u realizuar si qenie e lirë. Rrethanë lehtësuese është se njeriu ka edhe instinkt[35] për njohuri   sipas Hegelit. Ne do të shtonim edhe këtë se ka fatbardhësisht edhe pasion shkencor, pasion njerëzor, pasion çlirimtar, pasion krijues, sendërtues etj.
Ja sa interesant Hegeli flet e shkruan edhe për instiktiv absolut, i cili është krejt tejkalim i instinktit natyror, biologjik.
“Instinkti absolut dhe përcaktimi i vullnetit të lirë është  të bëhet vullnet i përgjithshëm ose të sendërtohet liria[36]

Akoma më tutje dhe më lartë: arsimimi juridik na mundëson që ta kuptojmë më mirë të drejtën abstrakte dhe atë formale sepse, Hegeli nuk ka konstatuar pa e pjekur e vërtetuar mirë këtë realitet, raport dhe të vërtetë subjektive-objektive se:
“E drejta është diçka e shenjtë ngase ajo është ekzistencë e nocionit absolut, liri e vetvetëdijshme, (e vetndërdijshme, e vetëndërgjegjshme-R.A.); por formalizmi i së drejtës dhe i detyrave (detyrimeve, kompetencave-R.A.), formohet nga dallimi në zhvillimin e nocionit të lirisë. Në raport me formalen, kjo është abstrakte dhe për këtë e drejtë e kufizuar, shpirti i cili në momente e mëtutjeshme (të ardhshme-R.A.), me përmbajtje  në liri, shpie gjer te vetvetëdija dhe realiteti, që si konkret dhe i përgjithshëm, ka më shumë të drejtë.”[37]

Pra, gjykuar në frymën e Hegelit, të drejtë apo liri   të vetvetëdijshme nuk ka pa nocion absolut të formuar për  të drejtën apo lirinë, sepse e drejta është e shenjtë  ngase është ekzistencë e nocionit absolut për  lirinë (NJERIUN DHE SHOQËRINË)  E VETVETËDIJSHËM/ME). Pra, edhe vetvetëdija për të drejtën, vetvetëdija për formalizmin e të drejtës, vetëvetëdia për lirinë,  vetvetëdija për raportet  konkrete në realitet kanë rëndësi të shenjtë, pasi, sipas Hegelit, realiteti, që ”si konkret dhe i përgjithshëm, ka më shumë të drejtë” na duket se po REALITETI na jep të drejtë të konkludojmë, se edhe metoda e Hegelit që niset më shumë nga nocioni, ideja, abstraktja, e drejta abstrakte, shpeshherë, nuk është aq e lehtë për t’u kuptuar (edhe pse është tepër e rëndësishme), ndaj si abstrakte duket se shpesh edhe bie në kolizione (antinomi, ndonjëherë të pazgjidhshme me vetveten) me realitetin. Pra, kjo e drejtë është edhe relative (sepse mbetet e parealizuar në realitet) dhe realiteti është edhe më konkret dhe më i përgjithshëm se e drejta absolute e Hegelit, ndaj njeriu dhe shoqëria  organizuar ka mundësi, sot edhe shumë  se dje, për ta realizuar çdo të drejtë që i nevojitet njeriut e komunitetit njerëzor. Pra, se a nisemi nga nocioni  i së drejtës abstrakte apo  e drejta pozitive konkrete (raportet konkrete shoqëroro-juridike) në sotshmëri, kjo është vetëm anë formale e metodës zhvillimore konkrete dhe abstrakte, metodës dialektike, por e rëndësishme është që edhe çdo nocion i së drejtës të jetë edhe shumë konkret, i kuptueshëm, sepse kështu bëhet më i lehtë për t’u KUPTUAR E REALIZUAR, ndaj edhe nocioni abstrakt i së drejtës duhet te jetë edhe konkret, pa e humbur tërë përmbajtjen e dhënë nga Hegeli. Në lidhje me këtë më 1996, në një punim (të pranuar edhe zyrtarisht) në studimet pasuniversitare  kam konstatuar se: “nocioni i sotëm i së drejtës ka ende shumë metafizikë dhe abstraksion qoftë ky edhe nocion evropian për të drejtën.”[38]
Por tani nocioni i instinktit te Hegeli, që unë po e quaj, nocioni i pasionit për eksplorim, na shtynë të konkludojmë, se shkencat juridike te shqiptarët kanë pak abstraksion pozitiv evropian, ndërsa shumë abstraksion negativ. Ndaj edhe e drejta abstrakte tek ne nuk është e zhvilluar mirë teorikisht, (filozofikisht, logjikisht) juridikisht. Por ky nivel yni i tashëm  mund të tejkalohet me arsimimin teoriko-shkencor që e theksuam më lartë, pra edhe kur ne të synojmë  “natyrën (instinktin) tonë të çliruar lirisht nga vetvetja” dhe si të gjithçliruar do të kemi më shumë mundësi që nga shpirti ynë (i jonë)  të “lind edhe realitet[39]” i ri që e bënë botën tonë edhe më të lirë, ku do të kishte, vërtetë, ende më shumë, personalitete rrezatuese-realizuese për lirinë e përgjithshme.
Këtë shkrim po e përfundoj, përsëri me një eksplorim (që përkon me temën e përfundimin e këtij shkrimi)  të Hegelit për Aristotelin:
Aristoteli njihet si metafizik i thellë, radikal, abstrakt. Sot, duket qartë se ai e mori shumë seriozisht detyrën e edukimit të Aleksandërit. Formimi i Aleksandërit u mbyll gojën të gjitha thashethemeve mbi kotësinë praktike të filozofisë spekulative.
Që te serioziteti i Aristotelit, i cili e dinte mirë se çfarë është e Vërteta dhe çfarë është edukimi i vërtetë, tregohet se ai nuk ka punuar me Aleksandërin sipas mënyrës tipike, sipërfaqësore moderne të edukimit të princërve.“ [40]


[1] Georg Vilhelm Fridrih HEGEL: Aristoteli, Dritan, Tiranë, 2003, f.4.
[2] G.V.Hegel: Politički i pravni spisi, Nolit, Beograd, 1981, f. 210
[3] Hegel: Nauka logike, Prosveta, Beograd, 1973 f. 343-344
[4] Po aty
[5]Po aty
[6] Hegel: Nauka logike, Prosveta, Beograd, 1973 f. 346
[7] Po aty
[8] G.V.Hegel: Politički i pravni spisi, Nolit, Beograd, 1981, f. 18-19



[9]  Skicat themelore të filozofisë juridike, botimi i dytë,  SOUR “Svjetlost”, Sarajevë, 1989, f. 8
[10] Po aty f, 7.
[11] G.V.Hegel: Prepedeutika filozofike, Grafos, Beograd, 1975,f. 42
[12] Po aty, f. 42
[13] Po aty, f. 43.
[14] Po aty, f. 43
[15] Po aty, f. 43-44.
[16]  Po aty,f.43
[17] Po aty, f.
[18] Skicat themelore të filozofisë juridike, f. 23.
[19]  Po aty, f. 21
[20] Skicat themelore të filozofisë juridike, botimi i dytë,  SOUR “Svjetlost”, Sarajevë, 1989, f. 21
[21]  Po aty, f. 21.
[22]  Po aty, f.47,
[23] Po aty, f.44,
[24] Po aty, f. 67
[25] Po aty, f.80.
[26] Po aty, f, 80
[27] Po aty, f. 80
[28] Skicat themelore të filozofisë juridike, serbokroaisht, f, 81

[29] Po aty, f.81
[30] Skicat themelore të filozofisë juridike, serbokroaisht, f, 82


[31] Shkenca e logjikes, f.348
[32] Skicat themelore të filozofisë juridike, serbokroaisht, f, 71

[33] G.V.Hegel: Politički i pravni spisi, f.210
[34] Prepedeutika filozofike,f.37
[35]  Instinkt nuk është me shumë se pasioni; nstinkti shpreh  pavetëdijshëri, ndërsa pasioni është ndjenjë me
     e lartë dhe më shumë ka në vete vetëdije që edhe e shfaqet. Prandaj ne në në raste të tilla, kur kemi të
      bëjmë me motive intelektuale do ta përdorim termin dhe nocionin pasion.
[36] Politicki i pravni spisi, f.222
[37] Politicki i pravni spisi, f.224
[38] Shi për këtë punim: Njohja e së drejtës dhe metoda dialektike, në fakultetin juridik, drejtimi aministrativo-kushtetues, Prishtinë, 1996.
[39] Sipas Aristotelit dhe Hegelit “ E vërteta është Identitet i Konceptit me realitetin e tij vetjak në nxjerrjen jashtë; Koncepti e lind Realitetin. “ Shih për këtë librin e HEGELIT: ARISTOTELI, fatbardhësisht dhe ndoshta, rastësisht, të përkthyer në shqip nga DRITANI, Tiranë, 2003, f. 79
[40] Georg Vilhelm Fridrih HEGEL: Aristoteli, Dritan, Tiranë, 2003, f.25

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.