e hënë, 6 shkurt 2012

Katër pikat e Tadiqit dhe Plani i Ahtisarit

Sylë UKSHINI 

Në kohën kur Serbia do të duhej të përmbushte kushtet e vëna nga BE lidhur me synimin e saj për të fituar statusin e kandidatit, shteti serb po provon të rihapë çështje që tashmë janë përmbyllur me Planin e Ahtisarit, i cili, siç dihet, ndodhet brenda Kushtetutës së Kosovë. Në vazhdën e strategjisë së tij të opsionomanive, presidenti serb, Boris Tadiq, e nis këtë vit me të ashtuquajturin Plan katër-pikësh për Kosovën, që janë: 1 Gjetja e zgjidhjes së veçantë për veriun e Kosovës; 2 Mbrojtja e manastireve dhe trashëgimisë serbe; 3 Mbrojtja e patundshmërisë; 4 Garancia për sigurinë e serbëve që jetojnë në enklava. Synimi është i qartë, përmes këtij plani nuk ka intencë jo që përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sic pretendon Beogradi zyrtar, por të vazhdojë përpjekjet e saj për zhbërjen e Planit të Ahtisarit dhe për ridefinimin e organizimit të brendshëm të Kosovës, respektivisht ta legalizojë dhe fuqizojë sa më shumë fuqishme prezencën e shtetit të Serbisë në Kosovë. Në fakt, ky plan i presidentit serb, të cilin ai e kishte paralajmëruar qysh para një muaji se ishte zotur se do ta publikonte në një kohë të përshtatshme Serbinë, erdhi befas dhe pikërisht në kohën kur komuniteti ndërkombëtar kërkonte përmbushjen e kushteve të vëna në samitin e 9 dhjetorit të BE-së. Motivi i Tadiqit për prezantimin e një plani të tillë është përpjekj për të bërë politikë dhe jo një plan që do të ishte në përputhje me realitetin e Kosovës. Kreu shtetëror serb po përpiqet të gjejë një mënyrë për t’u afruar me BE-në, që sa më parë të marrë statusin e kandidatit, dhe me këtë të tregojë para zgjedhjeve se ka mbështetjen e Perëndimit dhe se nuk bënë politik konfrontuese kundrejt Perëndimit. Në realitet Serbia e presidenti Tadiq duan në formë të ndryshme, pra edhe me këtë plan, vetëm t’i konservojnë disa çështje për diskutimet e mëtejme, ngase ajo dëshiron ta ruajë perspektivën e dialogut të ardhshëm politik të cilin ajo synon ta zhvillojë. Këtë e pranon indirekt edhe Ognjen Pribiceviq, ish-ambasador I Serbisë në Gjermani, se plani I Tadiqit mund të çojë në një kompromis “për shkak se këto bisedime teknike, që zhvillohen në mes Beogradit dhe Prishtinës, i kanë ezauruar opsionet e tyre.” Është interesant se posa u bë publik plani i Tadiqit, në disa qendra ndërkombëtare të vendosjes sikur u nxitua me vlerësime, edhe pse ky plan mbetet i paqartë edhe më tej dhe mbi të gjitha edhe pse ky plan synon ta rikthej Kosovën në periudhën e para pavarësisë, domethënë të rihap një dialog të ri midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo shihet edhe nga pika e cila si intencë ka një zgjidhje të veçantë për veriun, që në fakt përpiqet të hapë derën e dialogut politik, që mund të çonte në koncesione të reja në favor të Serbisë. Ndoshta është kjo pikë që e bënë komunitetin ndërkombëtar të shoh me rezervë këtë plan, i cili kërkon një zgjidhje të veçantë për veriun e Kosovës, përkatësisht edhe një herë rihapjen e çështjes së Kosovës, gjë që pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare nuk e dëshiron. Megjithatë, Beogradi zyrtar vazhdon përpjekjet diplomatike për të siguruar mbështetje ndërkombëtare lidhur me këtë plan për Kosovën, veçanërisht në Berlin dhe në Uashington, qëndrimi i të cilave do të jetë vendimtar për mbështetjen apo refuzimin e planit të presidentit Tadiq. Mirëpo, qendrat ndërkombëtare të vendosjes, në vend se të mbështesin një plan të tillë të presidentit serb, përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të kontribuonin duke favorizuar impelemntimin edhe në veri Planit të Ahtisarit. Në këtë mënyrë, do të pamundësohej loja e dyfishët Beogradit në raport me Kosovën dhe Perëndimin. Për më tepër, nëse shihen me kujdes, të gjitha çështjet e “pazgjidhura” që i përmend Serbia e Tadiqi, tanimë të gjitha këto janë të përfshira në kuadër të Planit të Ahtisarit, i cili i përmbylli negociatat midis Kosovës dhe Serbisë përkitazi mbi statusin politik, të cilat u zhvilluan në harkun kohor shkurt 2006 dhe dhjetor 2007 Hapja e këtyre temave duket se shtron nevojën që të gjithë ta lexojnë ose rilexojnë Planin e Marti Ahtisarit për të parë se çështjet e “pazgjidhura” , të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, që i propozon për ”zgjidhje” presidenti serb janë të garantuara me Pakon e Ahtisarit, të cilin ai dhe elita serbe as nuk e kanë pranuar dhe as nuk janë të interesuar të implementojnë. Kjo ndodhë për shkakun se Serbia dhe elita e saj politike, me ndonjë përjashtim të vogël, mendon se ky dokument ndërkombëtar vulosi nxjerrjen edhe de jure të Kosovës nga Serbia, gjë të cilën de facto e kishte realizuar NATO në qershor të vitit 1999. Siç dihet, Plani i Ahtisarit, i hartuar nën ombrellën e OKB-së, dizajnoi pavarësinë e Kosovës dhe rregullimin e saj të brendshëm si shtet qytetar, një koncept normativ politik, që si parim të një bashkësie politike e propozoi pushtetin politik të të gjithë qytetarëve. Shqiptarët me mbi nëntëdhjetë për qind nuk janë në qendër të shtetit, siç është me rastin e formave të shteteve ballkanike dhe evropiane. Së këndejmi, Plani i Ahtisarit, që për shqiptarët e Kosovës paraqet një kompromis të dhimbshëm, por që u pranua si një plan me bazë të mirë për shtetin e Kosovës dhe për njohjen e tij ndërkombëtare. Na vazhdim do të jap një lloj përgjigje në katër pikat që i ka proklamuar presidenti serb, duke nënvizuar pjesët më thelbësore të Planit të Ahtisarit që ndërlidhen me të drejtat e komunitetit serb. E para, sipas Planit të Ahtisarit, pushteti i komunave dhe institucioneve lokale serbe, nga shkollat dhe spitalet e deri te gjykatat dhe policia lokale, janë përtej standardeve ekzistuese evropiane. Tanimë botërisht dihet se për komunat në veri të lumit Ibër është siguruar edhe autonomi shtesë. Është garantuar ndërlidhja e të gjitha komunave dhe institucioneve serbe në Kosovë, si dhe ndërlidhja e tyre me shtetin e Serbisë, që ka të drejtë që me dëshirën e saj të ndihmojë me para apo mjete të tjera komunat serbe dhe të gjitha institucionet serbe në Kosovë. Me këtë kompromis kaq të madh, Kosova vihet në kufijtë e skajshëm të funksionalitetit të saj si shtet, pasi minoritetit serb i rezervohen të drejta të veçanta si në nivelin lokal dhe në atë qendror, të cilat në nuanca të caktuara krijojnë hapësirë që de facto vejnë në pikëpyetje tersin territoriale dhe politike të shtetit të Kosovës, pasi e veçon një territor midis serbëve e pjesës tjetër të popullsisë së Kosovës. Veç kësaj, u pranua që qyteti i Mitrovicës , i cili deri në fund të luftës në qershor të vitit 1999 ishte i banuar kryesisht nga shqiptarët, të ndahet në dy komuna të veçanta, një shqiptare dhe një serbe (Annex II dhe III i Planit të Ahtisarit). Pastaj, prania ndërkombëtare, KFOR, EULEX, ICO, e bëjnë Kosovën një nga shtetet më të kontrolluara (Annex VIII ). Dhe mbi të gjitha, shumica shqiptare me mbi 90 % të popullsisë nuk përmenden si popull shtetformues dhe si rrjedhojë në Kosovë nuk ka asnjë komb titullar e as popull shtetëformues. Veç kësaj, sipas këtij Plani, serbët në komunat serbe, ato ekzistuese dhe gjashtë të reja, janë përgjegjës për arsimin, shëndetësinë, kulturës zhvillimin ekonomik, planifikimin urban, shërbimet publike, pastaj të kenë një “rol të avancuar’ për përzgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore lokale, etj, të cilat, normalisht, u takojnë qeverive qendrore, njësive federale ose kantoneve (Annex III). Aneksi III, Neni 10 i lejon komunave bashkëpunim me komunat dhe institucionet serbe “brenda fushave të kompetencave të tyre.” “Ky bashkëpunim mund të merr formën e dhënies së asistencës financiare dhe teknike nga institucionet serbe në implementimin e kompetencave komunale.” Kështu, Plani i Ahtisarit u ofron serbëve të Kosovës prej 5 për qind të drejta dhe kompetenca çfarë nuk i ka asnjë minoritet në Evropë dhe kapërcen kufijtë e të gjitha standardeve evropiane, edhe kur është fjala për pozitën e serbëve lokalë në institucionet qendrore të Kosovës. Në fakt, nëse e shikohet Plani i Ahtisaarit, vërehet se veriut të Kosovës i garantohet një status special krahasuar me zonat e tjera të Kosovës. Prandaj, Plani i Ahtisaarit, i cili u dizajnua nën mbikëqyrjen e OKB-së, ShBA-së dhe BE-së, jep një kornizë demokratike edhe rreth veriut të Kosovës si dhe paraqet rrugën më të mirë për një proces të normalizimit të jetës në veri dhe përgjatë vijave etnike. E dyta, sa i përket mbrojtjes së manastireve dhe trashëgimisë serbe në Kosovë, Plani i Ahtisarit i ka dhënë një status të privilegjuar Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Në Aneksin V mbi trashëgiminë fetare dhe kulturore, qartë precizohet se “Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd.” Po kështu, sipas Planit të Ahtisarit, shteti i Kosovës “garanton se prona e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe asetet tjera të Kishës Ortodokse Serbe do të jenë të paprekshme dhe nuk do t’i nënshtrohen eksproprijimit.” Këto privilegje përfshijnë edhe të drejtën e “Kishës Ortodokse Serbe në Kosovës që të pranojë donacione dhe të përfitojë përkrahje tjetër nga çdo institucion brenda ose jashtë Kosovës. Veç kësaj, “Kosova duhet t’i ofrojë Kishës Ortodokse Serbe privilegje doganore dhe tatimore, krahas atyre privilegjeve të cilat i gëzojnë të gjitha fetë në Kosovë, për aktivitetet ekonomike të Kishës që janë specifike për vetëqëndrueshmërinë financiare, siç janë qëndistaria dhe veshjet fetare, qirinjtë, pikturimi i ikonave, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë, dhe produktet tradicionale bujqësore”. Shikuar qartë kjo do të thotë se Kisha Ortodokse serbe është shtet në vete brenda shtetit të Kosovës, madje të drejtat e saj herë-herë janë më të mëdha se në vetë Serbinë. Dhe nëse i shtohet edhe ajo që Plani i Ahtisarit përmes decentralizimit, serbëve lokalë i ofron një pozitë asimetrike, të privilegjuar nga pjesa tjetër e popullsisë së Kosovës, atëherë del se Kosova ka një sovranitet të mangët ose tejsisht ( apo tërësisht) të kufizuar. Në anën tjetër, kriteri për përcaktimin e simboleve të shtetit të Kosovës, duke përfshirë flamurin, stemën dhe himnin, anashkalon vullnetin e shumicës shqiptare në favor të konceptit qytetar, që në këtë rast shkon në favor të komunitetit pakicë. Dhe për më tepër, këto elemente të Planit të Ahtisarit janë të sanksionuara edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe ky është tregues se pala kosovare pa asnjë kusht është treguar e vullnetshme për respektimin e implementimin e një dokumenti të tillë ndërkombëtar, derisa në Maqedoni dhe Bosnjë ndodhë e kundërta, edhe pas shumë vitesh mbeten të pa implementuara plotësisht Marrëveshja e Ohrit, përkatësisht ajo e Dejtonit. E treta, lidhur me mbrojtjen e patundshmërisë, presidenti serb është mirë të lexoj nenin 8, pika 6 të Planit të Ahtisarit, ku nënvizohet se “Kosova do të njohë, mbrojë dhe fuqizojë ushtrimin e drejtave të personave mbi pronat e tyre private të luajtshme dhe të paluajtshme në Kosovë, në pajtim me norma dhe standarde të njohura ndërkombëtarisht. Kërkesat lidhur me pronat private të paluajtshme, duke përfshirë pronat bujqësore dhe komerciale, sipas nevojës, do të vazhdojnë të trajtohen nga Agjencioni Kosovar i Pronave (AKP) siç parashihet me Aneksin VII ”, duke përfshirë edhe obligimin tjetër se “Kosova do t’i trajtojë me prioritet të gjitha çështjet e kthimit të pronave, përfshirë ato të Kishës Ortodokse Serbe, siç parashihet me Aneksin VII” të Planit të Ahtisarit. E katërta, garanci për sigurinë e serbëve që jetojnë në enklava janë të qartësuara me Planin e Ahtisarit, i cili precizon ndarjen e pushtetit në të gjitha nivelet ndërmjet shumicës shqiptare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera pakicë. Tashmë sipas Planit të Ahtisart janë të formuara komunat e Graqanicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Artanës (Novobërdës), kufijtë e të cilave janë skicuar në atë formë që të përfshijnë sa më shumë serbë në to. Pos tjerash, sipas Aneksit II, neni 3, thuhet se pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë, në mënyrë individuale apo si pjesë e komunitetit, të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe ruajtjen e elementeve thelbësore të identitetit të tyre, të fesë, gjuhës, traditave dhe kulturës së tyre, si dhe zhvillojnë arsimin e tyre fillor dhe të mesën në gjuhën e tyre. Gjuha serbe dhe shkrimi cirilik përdoren zyrtarisht në tërë territorin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, serbëve u garantohen së paku 10 (nga 120) mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës (Neni 3.3), ndërsa po të dilnin në zgjedhje të gjithë, serbët do t’i kishin 30 deputetë, pra tri të katërtat e numrit të përgjithshëm të deputetëve në parlamentin e Kosovës. Neni 3.7-9 siguron pjesëmarrjen dhe votimin e pakicave në Kuvend për çështjet të cilat ndikojnë në bashkësitë “jo-shumicë” duke mos referuar në votën e thjeshtë të shumicës apo referendum. Neni 5 kërkon një numër minimal të serbëve dhe përfaqësuesve tjerë të bashkësisë siç janë ministrat dhe zëvendësministrat dhe mandaton që shërbimi civil “reflekton llojllojshmërinë e njerëzve të Kosovës.” Aneksi I gjithashtu i jep përfaqësuesve jo-shumicë një rol të theksuar në zgjedhjen e anëtarëve të Gjyqit Kushtetues (Neni 6) dhe në procesin e ndryshimit të kushtetutës (Neni 10). Pra, nëse lexohet me kujdes Plani i Ahtisarit, shihet qartë se ai kryekëput është një dokument që merret ekskluzivisht me të drejtat dhe garancitë e komunitetit serb, por Beogradi zyrtar nuk e ka hallin e të drejtave të serbëve lokalë, të cilat më së miri mund të zhvillohen dhe garantohen me këtë dokument, që ofron standarde më të larta evropiane kur është fjala për pozitën e tyre në nivel lokal dhe qendror, por tek synimi permanent mbajtjen e Kosovës si çështje të papërmbyllur dhe për bërjen të pamundshme të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Prandaj, plani katër pikësh i Tadiqit nuk paraqet një strategji zgjidhjeje, por një intencë për ta dekompozuar Planin e Ahtisaarit, i mbetet një kornizë për një demokraci funksionale dhe një bazamenti të vetëm i shtetësisë së Kosovës. Ndërsa, zbatimi i Planit të Ahtisarit edhe në tri komunat e veriut, sikur në pjesët tjera të Kosovës, do t’u tregojë serbëve lokalë se ata mund të gëzojnë të drejta më të mëdha se cilado minoritet tjetër në botë.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.